Reagim i redaksisë | Liria jonë dhe impotenca e Kryeministrit

nyje.al | 19.03.2024

Ditën e sotme, gazetares Ambrozia Meta kryeministri i vendit guxoi t’i tërhiqte veshin. Kryeministri mendon se mund t’u tregojë vazhdimisht mediave se çfarë pyetjesh të bëjnë dhe të mos bëjnë, se për çfarë u tërhiqet veshi dhe se për çfarë ju rrihen shpatullat. Një tërheqje veshi tregon shumëçka. Nga njëra anë të çmerit fakti që akti i kryeministrit të kujton një sjellje tepër familjare. Kush guxon të na e tërheqë veshin? A ia lejojmë dikujt të na e tërheqë veshin teksa po bëjmë punën tonë? A ia lejojmë një të panjohuri në rrugë të na avitet e të na prekë fizikisht? Veshin na ka ndodhur të na e tërheqin ato autoritete të cilat e kishin për detyrë të na rrisnin. Dhe na e tërhiqnin atëherë kur nuk dinin sesi të na drejtonin. E thënë ndryshe, tërheqja e veshit është momenti më infantil i vetë autoritetit. Atëherë kur autoriteti nuk di sesi ta drejtojë situatën ndryshe, përpos që me kërcënimin e dhunës të na kufizojë sjelljen duke qenë se liria jonë nxjerr në pah impotencën e tij. Dhe duke luajtur me duar autoriteti rivendikon alibinë e dhunës dhe të fuqisë që vjen me të.

Po ashtu, tërheqja e veshit është një veprim i radhës nga një burrë i cili në vend se të japë llogari mendon se mund t’i tregojë një gruaje sesi duhet të sillet dhe t’ia mësojë këtë duke e prekur me duar. Nuk ka sesi të mos reflektohet përmes tërheqjes së veshit edhe nënteksti “mos bëj më shumë pyetje’, ‘mos pyet më shumë për këtë temë’, “nuk dua të jap shpjegime të tjera”, apo mesazhi që ‘tashmë jam i zënë ngusht nga aludimet për një aferë korruptive mes oligarkëve botërorë, oligarkëve kombëtarë” ku vetë Rama duket më shumë si sekseri i tyre në kurriz në pasurisë sonë të përbashkët. Ç’mund të thotë më shumë një sekser? Në atë tërheqje veshi ka intimidim, seksizëm, por edhe impotencë dhe pagatishmëri për të dhënë llogari për temën në fjalë. Sa më impotent për të mbrojtur interesin e përbashkët dhe për të dhënë llogari, aq më i gatshëm për t’i shtrirë duart e tij mbi trupat e të tjerëve. Dhe nëse janë gra, duket sikur i vjen edhe më vetvetiu ta bëjë.

Të gjitha këto nëntekste reflektohen te tërheqja e veshit ngaqë kryeministri duket se nuk do të japë llogari para mediave për vendimet e tij në emër të popullit. Është detyra e medias t’ia tërheqë veshin kryeministrit, dhe jo e anasjellta. Dhe kjo ishte ajo çka gazetarja Ambrozia Meta ka arritur të bëjë, ashtu si edhe gazetare të tjera, ndër to dhe Ola Xama, të cilat po bëjnë detyrën e tyre, po parehatojnë pushtete dhe po përjetojnë ndërsyrjen si kundërpërgjigje.

Dhuna e Ramës e presupozon faktin që ai e trajton veten si nji figurë aq familjare dhe intime në jetën e gazetares sa të mundet të na paralajmërojë. Ky është një burrë i cili sillet dhe beson se është brenda nesh. Dhe është detyra jonë si gazetarë, ta nxjerrim jashtë, ta vendosim përballë, ta parehatojmë në punën e tij, të nxjerrim në pah skizmën, pafuqinë dhe impotencën e tij dhe ta detyrojmë t’i raportohet kësaj impotence pa përfunduar duke luajtur me duar. Në instancë të fundit, detyra e gazetarisë është ta vendosë pushtetin me shpatulla pas kontradiktave dhe impotencës së tij duke ia hequr alibinë e dhunës.

Si gazetarë s’duhet të harrojmë kurrë se nuk ka gjë më të pushtetshme sesa pyetësimi. Dhe nuk duhet lënë rast pa shfrytëzuar për ta manifestuar këtë pushtet që kemi! Ambrozia, Ola dhe të tjera gazetare po ia dalin ta bëjnë këtë. Na duhet të solidarizohemi dhe të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje