Një Peticion për Shkencën e Vërtetë?!

Nebi Bardhoshi | 20.02.2024 | nyje.al

Gjatë pandemisë, njerëzia u mbyll, ndërsa media shpërtheu, ku, ndër to, lindi dhe një portal i ri. E ndiqja këtë portal, më shumë për shkak të respektit që kam për krijuesin e tij. Në këtë portal botoheshin edhe skupe që lidhen me origjinën dhe kontrollin e botës, përfshi dhe dijen. Shkurt, teori konspiracioniste. Ndër to kujtoj tezën se mijëra vite më parë njerëzit ishin 3-4 metra, se jetëgjatësia ishte 300-400 vjeçare e kështu me radhë. Mora kurajën dhe i shkrova mikut tim, ku e këshilloja se do të ishte mirë të verifikonte të dhënat para se të botoheshin. Përgjigjja ishte pak a shumë: media është si një markatë ku njerëzit vijnë e marrin atë që duan. 

Po në rastin e medias a ka përgjegjësi dhe, ende më shumë, a ka mundësi që media të ketë aq staf sa të verifikojë çdo lajm të dhënë?  A ka përgjegjësi ligjore, dhe ku fillon e ku mbaron kjo përgjegjësi? 

Ky rast m’u rishfaq sapo lexova një peticion të bërë nga një grup mjaft i madh studiuesish drejtuar AMA-s, ku kërkohet që media të japë emisione apo programe të bazuara shkencërisht. 

Të vjen mirë teksa dëgjon se ka një grup jo të vogël studiuesish, që bëhen bashkë për të kërkuar që mendimi shkencor të jetë më i pranishëm në media, ose media të jetë më e vëmendshme me mendimin shkencor. Për besë, të vjen mirë edhe kur kërkohet të mos ketë teza të pabazuara shkencore. Por çështja është se si kërkohet e kujt i drejtohet kjo kërkesë dhe, mbi të gjitha, gjuha dhe argumentet e përdorura në këtë peticion.  Për të qenë i sinqertë, po të isha unë i sulmuari me këtë shkresë, do të isha shkrehur në të qeshura, për faktin e thjeshtë se mënyra e parashtrimit të problemit nga ana etike është me shumë probleme. 

Pa humbur shumë kohë nëpër tekst të peticionit  del se i gjithë shqetësimi për të vërtetën shkencore apo “shkencën e vërtetë”, kufizohet te tezat mbi gjuhën, duke nënvizuar më shumë etimologjinë e, shkurt e shqip, tezave për lashtësinë e gjuhës shqipe. 

Kush e ndjek debatin dihet, deri diku, se për kë bëhet fjalë. Por, meqë shkruesit e peticionit nuk kanë dashur të nxjerrin emra, as unë nuk po e shkel këtë prag. Veçse, për fat te keq, peticioni reduktohet në një instrument kundër pak personave që ne duhet t’i nënkuptojmë se kush janë. Ndërsa AMA duhet të qëndrojë vigjilente që këto të mos shfaqen më! Nëse AMA duhet t’i zbulojë, si? Duke shndërruar AMA-n në Ministrinë e së Vërtetës?! Nëse jo AMA, kush do të shfaqet si Ministria e së Vërtetës? Këto janë disa pyetje, tej humorit ourellian. 

Le të mos lëmë paqartësi. Pas rënies së regjimit komunist, dalë prej një bote të gënjeshtërt, që bazohej në “shkencën e vërtetë”, Shqipëria [edhe bota post-socialiste në tërësi] u mbulua nga botime amatore e konspiracioniste. Rrugët, libraritë dhe mediat po ashtu u mbushën me “shaman” të të vërtetave. Prej atëherë e deri më tash, në publiken shqiptare shfaqen autorë të të vërtetave të ndryshme. Këto teza “të vërteta” shoqërohen me shpallje tradhtarësh dhe të paaftësh në fusha të ndryshme. Fushat e albanologjisë janë një target i preferuar dhe, kur vjen puna te fyerjet publike, ato janë të papranueshme. 

Me zhvillimin e medias sociale dhe vetë kushtit pandemik janë krijuar mundësi të shpërhapjes së të vërtetave alternative. Ekzistojnë edhe politika e gjeopolitika të fake news dhe fake history. Tash flitet për botën që e ka harruar të vërtetën si shqetësim publik dhe këto teza jo-shkencore janë përhapur në shoqëri. 

Atëherë, meqenëse shqetësimi, qoftë dhe aq sa është reduktuar, paska një bazë, pse nuk duhet t’i drejtohemi institucioneve shtetërore? Ka dy arsye themelore: më së pari mendoj se asnjë institucion shtetëror nuk duhet të mvishet me petkun e një institucioni që di se cila është e vërteta shkencore dhe të ketë mundësinë të vendosë nëse mund ta përdorësh apo jo hapësirën mediatike.  E dyta, nuk besoj se AMA e ka kompetencë e as mundësi një gjë të tillë. Nëse peticioni është bërë sa për të krijuar një lajm, më vjen keq por ky peticion krijon lajm dhe shkon në favor të atyre që janë sulmuar në këtë peticion. 

Në peticion është përdorur  shprehje si “shkencë e vërtetë” përkundrejt “pseudoshkencës” etj. Shqtetësues është konteksti i përdorimit të togfjalëshit “shkencë e vërtetë” sidomos kur kjo shoqërohet me kërkesën që të vërtetën shkencore ta mbrojë një institucion  si AMA.

Shqipëria socialiste ia la shtetit të përcaktonte cila ishte “shkenca e vërtetë”. Në fakt, fraza më joshkencore, e përdorur rëndom nga aparati shtetëror, ishte se shkenca e vërtetë ishte ajo e bazuar në marksizëm- leninizëm. Përtej kritikës që kam për marksizëm-leninizmin, nuk do të ishte aspak shqetësuese nëse një grup studiuesish të një institucioni kërkimor ta kishte zgjedhur vetë këtë paradigmë si bazë për teorinë e vet sociale. Problem ishte se shteti e kishte vendosur që shkenca e vërtetë është ajo që bazohet në marksizëm-leninizëm. Aty-këtu pati studiues që ruajtën njëfarë lirie, herë duke u arratisur në kohë të hershme historike, herë në tema periferike, herë në heshtje.  Por, ajo që dimë mirë është se, kur shteti merr përsipër të vërtetën shkencore, mjerë ata njerëz që u duhet të jetojnë në atë vend. 

Nuk kemi mësuar nga eksperienca negative kur e vërteta ishte monopol shtetëror, apo jemi duke rigëlltitur parime diktatoriale për kontrollin e dijes?

Si mund ta zgjidhim çështjen e tezave që mund të bëhen shqetësuese, apo si janë quajtur në peticion psikoza kolektive? Gjëja më e sigurtë është se këtë detyrë s’mund ta marrë asnjë institucion shtetëror, si vëzhgues apo matës i së vërtetës. Po si atëherë? Kjo mund të ndalohet më lehtë nëse do të kishim institucione publike, të cilat kanë autoritetin për të folur për shqetësime, përfshi dhe të “vërtetën shkencore”. Pra, për mua do të ishte më e udhës të kishim ndaluar e folur gjatë për prestigjin e institucioneve të kërkimit shkencor dhe universitar, për punët me integritet shkencor dhe jo plagjiaturiste dhe, më pas, se si këto dije të ishin të hapura dhe të aksesueshme për njerëzinë.

E, për ta mbyllur, është e qartë se nuk është zgjidhje as media si markatë as peticioni për ‘ministri’ të shkencës së vërtetë. Media duhet të shqetësohet ku po e çon veten dhe shoqërinë, teksa po kalëron kohën e kotësimit në truallin e post-truthit. Ndërsa komuniteti shkencor duhet të kujdeset që të rrisë autoritetin e vet shkencor dhe publik, të rrisë lirinë akademike e thellësinë e tezave shkencore. 

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje