“Psallme murgu” - Asdreni
Antonela Pepkolaj | 22.08.2024 | nyje.al
Nga rrugëtimi i Asdrenit si autor, vërejmë një linjë e cila ndryshon dhe pëson luhatje në raport të drejtë me çështjen kombëtare. Kështu, me dy botimet e tij të para, përkatësisht më 1904 dhe në 1912, poezia e tij është me motive atdhetare dhe kushtruese, ende nën ndikimin e modelit romantik të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Më 1930, publikohet vëllimi Psallme Murgu, në të cilin na paraqitet një Asdren ndryshe nga dy vëllimet e para, me nota të pesimizmit dhe të ironisë, si pasojë e qëndrimit të tij ndaj regjimit të Zogut. Por ky qëndrim mund të vijë edhe nga mërgimi i tij në Rumani, duke qenë larg Shqipërisë, vuan dhe idealizon me nota idilike peizazhin si dhe historinë e lavdishme të Shqipërisë. Por ndoshta edhe, siç shprehet J. Bulo, kur e pa (Asdreni) se vegjëlia përkundrejt klasës së privilegjuar të feudalëve “… mbeti përsëri e mjeruar, e shpërfillur dhe e përbuzur, mund të pësonte vetëm një zhgënjim të thellë… Kjo shpjegon atë atmosferë dëshpërimi, fataliteti e misticizmi që e mbështolli poezinë e fazës së fundit të krijimtarisë së Asdrenit”1, duke e identifikuar kësisoj edhe një herë poezinë me shqetësimet e Asdrenit si veprimtar.
Megjithëse, në rastin e Asdrenit mund të gjykojmë se vepra përfton vlera plus prej domethënies së autorit në qarqet intelektuale të kohës, sërish, duke marrë parasysh se në Shqipëri asokohe, rrymat letrare u lëvruan kryesisht nga një autor dhe jo nga grupe autorësh, me këtë fazë të dytë të krijimtarisë së vet, prej ekskluzivitetit të risisë letrare, ai qëndron në kapërcyell të kalimit nga romantizmi në morinë e poetikave moderniste që shenjuan letërsinë shqiptare të gjysmës së parë të shek. XX. Më tipikisht, te kalimi te realizmi prej paraqitjes së luftës klasore, demaskimit të politikave pseudoliberale dhe trajtimit të tematikës shoqërore.2
N.Jorgaqi, në esenë e tij, Skicë për historinë e mendimit historik shqiptar (1504-1944), bie dakord me E. Çabej dhe klasifikimin e tij të Asdrenit si autor të diasporës që lëvron më tej romantizmin shqiptar. Nga ana tjetër, e vendos në një linjë me Poradecin, për “kalimin e saj (poezisë) nga idea kombëtare, te idea njerëzore”3. Pra e vendos në linjën romantike dhe simboliste.
A.Xhiku, në studimin e vet, Letërsia shqipe si polifoni, në gjysmën e parë të shek. XX dallon dy prirje kryesore: prirjet romantike dhe prirjet realiste, për të cilat shprehet se “e para vlerësonte antikitetin, klasicizmin, neoklasicizmin e poezinë popullore; e dyta iluminizmin dhe letërsinë realiste.”4 Në këtë ndarje, ai vendos Asdrenin në grupin e romantikëve, si lëvrues i një tradite tashmë të afirmuar nga De Rada dhe Naimi, por që e çon më tej me notat kushtruese të poezisë së tij, si një poezi romantike me finalitet të qartë dhe të hapur. Thekson gjithashtu notat e thella të pesimizmit që shfaq poeti për gjendjen shoqërore të shqiptarëve, e cila shprehet sërish përmes teknikave klasiciste të romantizmit shqiptar.
R.Qosja, te Shkrimtarë dhe periudha, e pozicionon Asdrenin (së bashku me autorë të tjerë të gjysmës së parë të shek. XX), mes romantizmit, realizmit dhe simbolizmit. Romantizmin ai e ndan në dy tipash: i pari romantizëm folklorik, dhe i dyti romantizëm që sintetizon elementet iluministe dhe publicistike. Më shumë sesa romantik, R. Qosja e vendos në linjën e realistëve dhe të simbolizmit, duke veçuar si kusht për këtë ndarje kritikën sociale që na shfaqet në poezinë e Asdrenit, së bashku me estetizmin dhe kultivimin e vargut. Ndaj e afron më shumë me Mjedjen dhe me neoklasicizmin, sesa me Poradecin. Këtë prirje të një “arti për art”, e sheh si një formë të tejskajshme të romantizmit, por që duke qenë se tejkalon utilitarizmin tipik të romantizmit shqiptar, merr forma të modernizmit.
Për veprën Psallme Murgu, L. Ndoja në parathënien e botimit, e vendos poezinë e Asdrenit gjithashtu mes romantizmit dhe modernizmit, duke e çuar këtë të fundit në ekstrem, në hermetizëm si dhe, duke e vendosur në një linjë me Mjedjen dhe neoklasicizmin për kultivimin e vargut, dhe Poradecin për simbolizmin.
Pra, gjejmë ndërthurje të romantizmit, klasicizmit, neoklasicizmit, realizmit dhe simbolizmit në poezinë e Asdrenit, diçka e cila do të shqyrtohet se si aktualizohet në veprën Psallme Murgu.
Kemi të bëjmë me zhvillime letrare që ndodhen në zgrip të njëra-tjetrës, për pasojë, lexuesi e ka luksin e identifikimit të aksh tipari letrar me aksh poetikë letrare, pa e kufizuar stilin apo dëmtuar procesin e receptimit, pasi në çdo rast, ndodhemi brenda kufijve të romantizmit, realizmit dhe rrymave dekadente.
Vërejmë që, duke folur për romantizmin, shpesh kritika zgjerohet më tej duke e quajtur veprën e Asdrenit, ndër të tjera edhe klasiciste dhe neoklasiciste. Por ky nuk mund të jetë rasti, sepse kundërvënia ndaj klasicizmit është premisa kryesore e lindjes së romantizmit dhe, paçka se ngjajnë në idenë e përbashkët të kultit të natyrës, klasicizmi ka edhe kultin e arsyes si dhe racionalitetin që i vendos në dy pole të kundërta këto dy rryma. Ndaj nuk mund të sillet si argument klasicizmi, për romantizmin duke qenë në kundërshti me njëra-tjetrën. Njëjtë mund të themi edhe për neoklasicizmin, ku mungon lirizmi dhe idealizmi, të cilat i kemi prezentë në poezinë e Asdrenit.
Gjithashtu kemi dhe vendosjen në dy kahe të kundërta të sentimentalizmit në njërën anë, me romantizmin në anën tjetër, gjë e cila gjithashtu nuk mund të jetë rasti, sepse sentimentalizmi është një pararomantizëm, ndaj edhe vendosja e autorit në njërin kamp, nënkupton logjikisht edhe vendosjen e këtij të fundit në kampin tjetër.
Për më tepër, vërejmë edhe identifikimin e tipareve qartësisht realiste me ato romantike, nën premisën e angazhimit kombëtar, utilitarizmit dhe didaktikës, kur në fakt këto tipare mund të merren si romantike vetëm në rastin kur sillen nëpërmjet elementit të folklorit dhe procesit të mitizimit të së shkuarës (motit të madh shqiptar); përndryshe, janë elemente shenjuese të realizmit.
Si pasojë, është logjike që Asdreni të vendoset mes romantizmit, realizmit dhe parnasizmit si parasimbolizëm; duke qenë se janë dhe poetika që pasuan njëra-tjetrën në mënyrë dialektike, në Shqipëri dhe në Europë.
Te Psallme Murgu gjejmë poezi idilike të peizazhit, poezi me motive kombëtare, poezi me tematikë filozofike, poezi lirike erotike shumë të ngjashme me poezinë e Naimit për dashurinë, poezi me motive biblike, si dhe poezi me motive popullore.
Strukturat e rregullta metrike dhe kulti i së bukurës, afrohen me parnasizmin së bashku me tematikën që nuk prek subjektiven dhe personalen, por të mirën dhe të keqen, Zotin, si dhe mitet e ndryshme që portretizohen poetikisht në narrativën e tyre origjinale, pa u (ri)funksionalizuar.
Ta shijojmë bukurinë
Jasht të dalim mu si turmë
Se gje tjater ne s’kuptojmë 5
Vëllimi hapet me poezi romantike, të Rilindjes Kombëtare, vijon me idilin natyror dhe zhvillohet në poezi sa didaktike dhe optimiste duke lartësuar virtytet, aq edhe pesimiste, deri edhe të errëta, përmendim këtu dy poezitë “Hija e keqe” dhe “Fytyrë”.
Në këtë kuptim, gjejmë ndërthurjen e më së shumti romantizmit dhe parnasizmit në këtë vëllim. Prirjet kah metafizika, mitikja, pesimizmi, bukuria etj., e bëjnë poezinë e Asdrenit moderniste. Ndërkaq tematika kombëtare, kthimet pas te ilirët, pellazgët, Aleksandri i madh, si dhe referencat për ngjarje reale historike, e bëjnë poezi romantike.
Gj. Zheji në analizën e tij metrike ndaj veprës së Asdrenit, dallon ndikimet nga Naimi dhe Çajupi, në metrikën e vargut, duke shpërfaqur edhe dëshirën e autorit që të shkëputet nga tradita, për të kultivuar vargun dhe për t’iu larguar sidomos klasicizmit. Për këtë ai citon një letër të Asdrenit. Mandej, shënon se Asdreni është i pari në letërsinë shqipe që përdor vargun e lirë, në poezitë “Juda i ri”, “Pamje”, “Rruzullimi” dhe “Dëshirë pagane”, me dominante vargjet teke, nëntë dhe njëmbëdhjetërrokëshe.6
Gjejmë në këtë këndvështrim të autorit gjegjësen e premisës arti për art, dhe kulti i formës që u bë baza e parnasizmit. Këto orvatje mund t’i dallojmë së pari në eksperimentin që bën autori me strofën. Thyen vargun në adaptimin “Shi po bie”, përdor retiçencën në vend të vargjeve në poezinë “Shqipëria më 1914” si dhe, ndërtimi i poezisë në vargje katërrokëshe, poezia “Stinat”. Gjithsesi, në raport me romantizmin, kritika dallon te parnasizmi sidomos dhe elementin e sendërtimit, pra tematika e poezisë është çka më realiste dhe jo aq idealiste, idilike apo metafizike sa ç’mund të ketë qenë gjatë romantizmit. Poezisë i bëhet një rishikim objektiv, që korrespondon edhe me procesin e industrializimit.7 Këtyre të fundit, u shton edhe sidomos prirjen për nihilizëm dhe pesimizëm në rrafshin tematik, si dhe parashtrimin e shqetësimeve thellësisht personale8 diçka të cilën kritika e ka evidentuar njëzëri në vëllimin Psallme Murgu.
Disa nga poezitë më të njohura nga parnasizmi, kanë një strukturë të organizuar në katrena, me rimë ABAB, me thyerje vargu, e cila bëhet përmes katërrokëshit si dhe, me vargje të shkruara me retiçencë, elemente të cilat i kemi dominante në poezinë e Asdrenit. Poezia ndoshta më pikëtakuese me estetikën parnasiste (e cila nuk përbën një shkollë më vete letrare, por një intermexio për te simbolizmi), është poezia “Hija e keqe”. Tematikisht i qëndron linjës së parnasizmit, pse sendërton idenë e ankthit dhe gradualisht të së keqes, si dhe hyn te poezitë me përmbajtje pesimiste (si shembull mund të sjellim faktin që tema më e përhapur ndër poezitë parnasiste ishte tema e vdekjes).
“Hija e keqe” është një poezi me 384 vargje, e organizuar me rimë ABAB. Hapet me frikën e unit lirik kur vëren një hije, zhvillohet me ankthin dhe simptomat e tij fizike të frikës karshi hijes dhe, mbyllet me idenë se hija është origjina e gjithë së keqes dhe se, e ka ndjekur që në fillim të jetës. Përshkrimi i hijes është tipik biblik:
Një zjar si nxjer nga sytë!
Dy sy të zinj, si vrima pellgut të thellë
Levisnin plot me tmerr,
Dhe prej njëj gojës hapur si një shpellë
Një gjuhë flage nxjerr.
Dhe flokt’ e kresë i kishte përpjetë ngritur,
Dy brirë si gjërprinj,
Turinjt’ e kokën shtrige së mërzitur
Me dhembet si kërminj.
…
Njihen si përshkrime të stilit të librave apokaliptikë biblikë, mund të sjellim si shembull librin e Zbulesës, në të cilin po ashtu bëhen krahasime të një natyre hiperbolike me kafshët apo me situata të jashtëzakonshme.
Vërejmë gjithashtu ndërthurje të strukturave tipike popullore, jo në funksionin e tyre origjinal por të rifunksionalizuara, si p.sh.:
Kush je ti, kush! Që më rri me gojën heshtur
Çdo çap që ma vë’ re,
Kush je pra ti, që pas më ndjek pa reshtur
Që prehjen vjen ma ngreh?
Kush je ti thuaj! Mos gje per te marë
Ke meje kur s’të njoh,
…
Përveç kësaj, “Hija e keqe” mund të krahasohet edhe me figurën popullore mitologjike të Orës, e cila është e lidhur me një subjekt duke i diktuar fatin dhe që manifeston tiparet e subjektit. Kështu, në besimin popullor, ora e një njeriu që mëkaton është e zezë. Edhe hija është e zezë dhe e keqe (mëkatare). Gjithashtu, në poezi, hija është ajo që e ndjek unin lirik kudo dhe është fati, diçka që mund ta themi edhe për figurën e orës.
Nga një element psikologjik dhe personal i unit lirik në pjesën hyrëse të poezisë, hija bëhet një diktues universal i fatit njerëzor, duke e mbyllur poezinë me idenë e fatalitetit, e cila gjithashtu është motiv i rrahur dendur në poezinë parnasiste. Ideja e fatalitetit mund të lidhet edhe me idenë biblike se botën e komandon djalli deri në ardhjen e dytë të Krishtit.
Këto shtresëzime tematike apo metrike përbëjnë vlerën letrare, e cila manifestohet këndshëm në këtë vëllim të veçantë në korpusin e krijimtarisë së Asdrenit, dhe që e ruan relevancën e vet pavarësisht etiketimeve letrare.
1. Jorgo Bulo: Asdreni – poet i shqetësimeve të vegjëlisë, Drita, 26 mars 1972, f. 10.
2. Ali Xhiku: Poezia e Asdrenit në procesin e lindjes së realizmit në letërsinë shqipe, Drita, 9 prill 1972, f. 14.
3. Nasho Jorgaqi: Profile dhe probleme letrare (studime, gjurmime, ese), Botimet DUDAJ, Tiranë, 2008, f. 337.
4. Ali Xhiku: Letërsia shqipe si polifoni, Ditura, Tiranë, 2004, f. 31.
5. Asdren: Psallme Murgu, PAKTI, Tiranë, 2009, f. 73.
6. Gjergj Zheji: Vëzhgime metrike, Naim Frashëri, Tiranë, 1980, f. 118-129.
7. Robert T. Denommé: The French Parnassian Poets, Southern Illinois University Press, 1972, f. 15-16.
8. Po aty, f. 39-40
Imazhi i ballinës: Fotografi e pikturës “Y”, Zdzislaw Beksinski