Për sigurinë e grave në rrugë, në internet dhe kudo në shoqëri

nyje.al | 09.03.2024

“Nata është e jona! Poshtë Patriarkati!” ishte thirrja që kumbonte në “Qytetin Studenti” mbrëmjen e kaluar, një prej zonave të Tiranës ku vajza e gra, studente e punëtore, qarkullojnë përditë nën dritën e diellit por edhe nën errësirën e natës. Të përballura me rreziqet që nga sulmet prej qenve endacakë tek ndjesia e përndjekjes a përndjekja e qenësishme që më së paku prafullon zemrat e vajzave dhe grave. Ashtu si në “Qytetin Studenti” janë me dhjetra rrugë të Tiranës që janë të pasigurta për banueset e saj. 

Për të denoncuar këtë gjendje sulmi të çdonatshëm të grave dhe vajzave Kolektivi Feminist në Shqipëri këtë vit organizoi një marshim me lajtmotivin “Nata është e jona.”

Kërkojmë hapësira publike më të sigurta për gratë dhe vajzat, duke nënvizuar nevojën urgjente për të promovuar rrugë dhe komunitete më të sigurta, si gjatë ditës ashtu edhe gjatë natës. Dhe kur flasim për siguri, nuk flasim për nevojën për kontroll e policizim, por për lirinë për të frymuar me dinjitet më vete dhe në kolektivitet.

Të shoqëruara nga vargjet e krijimit “Nata është e jona” dhe thirrjet, pjesëmarrëset/it marshuan drejt Kryeministrisë. Më të mbërritur aty aksioni simbolik i djegies së gjimbajtësve parashtroi betejen e grave për zhbërjen e kontrollit mbi trupin e grave. Kontroll që sipas aktivistes Rea Nepravishta mbahet gjallë përmes turpit.

“Në shoqërinë tonë, trupi i gruas është pronë e burrit, është objekt i syrit të tij, është objekt i marketingut në treg, sot në kohën kapitaliste trupi i gruas është objektifikuar nga mediat dhe shoqëria e konsumit për të rritur përfitimet në treg. 

I gjithë ky mur kontrolli, mbahet në rradhë të parë dhe thelbësisht mbi një territor kryesor: trupin e gruas. Trupi i gruas mbahet nën kontroll nëpërmjet turpit.  

Turp nëse jemi me sutjena, turp nëse jemi pa sutjena; Turp nëse jemi të mbuluara me shami, turp nese jemi të veshura me minifund.”

Duke listuar plot kësi pranëvendosje paragjykimesh të përkundërta, ajo bëri thirrje për çlirimin e trupit, të vetes nga ndjenja e fajit dhe zotërimit të trupit e gjithashtu kërkoi mbështetje për secilën vajzë a grua që është në përpjekje për ta kryer këtë akt, edhe politik. 

Përballë Kryeministrisë aktivistja Anita Lushi shtroi kërkesat për mbrojtjen e grave nga sulmet në rrjet dhe ndalimin e parandalimin e çdo akti dhunues virtual që shkakton viktima. Në vendin tonë, vetëm në dy muajt e parë të vitit, dy gra janë shtyrë drejt vetëvrasjes për shkak edhe të presionit dhe sulmit psikologjik shkaktuar nga publikime që cënonin mirëqënien, dinjitetin dhe jetën e tyre. 

Dhuna kibernetike nuk është vetëm një fenomen virtual, i shkëputur nga jeta offline, përkundrazi, sot ndoshta më shumë se asnjëherë pasojat e saj formësojnë thelbësisht jetën “reale”. Në një shoqëri, në një mjedis ku dhuna e shantazhi janë normalizuar, ku gishti drejtohet gjithnjë drejt viktimës, ku gratë vazhdojnë të vriten si në kohën e kanunit, ku internet ka shumëfishuar magnitudën e format e dhunës me bazë gjinore, të flitet për të është gjëja më minimale dhe e domosdoshme që mund të bëhet. 

Kjo dhunë është kërcënim jo vetëm për arritjen e barazisë gjinore, por është kërcënim ndaj demokracisë. E ne nuk mund t’i mbyllim sytë para kësaj dhune! Andaj sot kërkojmë:

  • Institucionet shtetërore të marrin përgjegjësi para se të jetë shumë vonë!
  • Të hartohet një kuadër ligjor që njeh dhe parasheh dënime për ata që ushtrojnë dhunë kibernetike!
  • Të alokohet një buxhet i dedikuar për të luftuar dhunën në internet!
  • Të shtohen strukturat përgjegjëse për adresimin e kësaj dhune!
  • Të hartohet një kuadër ligjor që njeh dhe parasheh dënime për ata që ushtrojnë dhunë kibernetike!
  • Të trajnohen strukturat përgjegjëse për adresimin efektiv të dhunës në internet ndaj grave dhe vajzave!

Marshimi u përmbyll në Sheshin “Skënderbej” në qendër të Tiranës, e cila, edhe pse ‘qendër’ vazhdon të mbetet e pasigurtë për gratë dhe vajzat sipas aktivisteve. Patris Pustina në një fjalë të mbajtur i kërkoi Bashkisë Tiranë siguri në qendër të qytetit, por edhe në të paktën 68 rrugë të identifikuara të Tiranës si të rrezikshme për kalimtare/ët. 

Pustina u shpreh që u desh që të mblidhen me qindra përballë Bashkisë Tiranë për t’i kërkuar të bëjë punën e saj, dhe që mbase ky institucion të fillojë të marrë seriozisht kërkesat e gjysmës së banoreve të qytetit.

Kritikë u lëshua po ashtu edhe ndaj gjuhës së Kryeministrit Rama e cila i fikson gratë në subjekte pasive të fatit të tyre, me gjuhë kinse shëlbuese, duke theksuar që shteti duhet të ofrojë politika sociale si adresim i problemeve me të cilat përballen gratë. 

Sot Kryeministri jonë, e ka nisur mëngjesin e tij duke i etiketuar gratë si të sakrificës dhe të dhemshurisë. Ai e ka përdorur dhimbjen e grave për të sublimuar vuajtjen, në vend që ta trajtonte si plagë shoqërore që duhet shëruar nëpërmjet politikave të mirëfillta sociale, politika që duhet të ishin ndërmarrë prej tij dhe kabinetit të tij. […]Gruaja e çliruar, e lumtur, dhe e vetëpërmbushur nuk është në axhendën e qeverisë tonë. Ne nuk duam të jemi gra heroina të vuajtjes, ne duam një sistem që të na mbështesë për të qenë më të lira, më të sigurta, më të vetëpërmbushura dhe më të lumtura. – Rea  Nepravishta

Kolektivi Feminist mbylli komunikatën me thirrjen për drejtësi në çdo betejë tjetër shoqërore. Njëzëri ky grupim aktivistësh bënë thirrje për liri në Palestinë dhe ndalimin e gjenocidit të ushtruar nga Izraeli. 

Lufta për drejtësi gjinore është pashmangshmërisht e lidhur me luftërat e tjera për drejtësi shoqërore. 

Liri për të gjitha gratë, liri për Palestinën!

Pankarta dhe thirrje në mbështetje të Palestinës, por edhe Ukrainës, pati përgjatë të gjithë marshimit. 

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje