Zall-Gjoçaj në Gjykatë të Lartë, banorët: “Dëmi i pakthyeshëm i shkaktohet mjedisit, jo firmës konçensionare”

nyje.al | 21.01.2022
Kundër vendimit të 10 nëntorit për heqjen e liçensës për prodhim energjie nga HEC-i “Zais”, kompania Seka Hydropower ka dorëzuar një rekurs në Gjykatën e Lartë, pasuar nga argumentat kundër, të avokates që përfaqëson banorët e Zall – Gjoçaj. Avokatja Dorina Ndreka gjithashtu dorëzoi parashtrimet kundër kërkesës që ka bërë kompania për pezullim të ekzekutimit të vendimit të Apelit. Përfaqësuesit e kompanisë kërkojnë që të pezullohet ekzekutimi i vendimit të heqjes së liçencës më disa pretendime kryesuar nga argumenti se ekzekutimi i këtij vendimi do të sillte dëme të pakthyeshme  për kompaninë.

Ndreka, pas dorëzimit të parashtrimeve, kundërshton: Në fakt nëse ekzekutimi i vendimit pezullohet, dëmi i pariparueshëm nuk i vjen shoqërisë “Seka Hydropower” nga mosprodhimi i 2.3 mgv energji elektrike por i vjen të gjithë zonës së mbrojtur, i vjen në fakt të gjithë Republikës së Shqipërisë, të gjithë ne si qytetarë të saj për shkak se shkaktohen dëme të parekuperueshme çdo ditë që aty vijon të punoj ai HEC në zonë të mbrojtur.
Në parashtrimet e dorëzuara ,në përfaqësim të banorëve të Zall-Gjoçaj, gjithashtu kundërshtohet argumenti se HECi tashmë nuk është në zonë të mbrojtur.
“Seka Hydropower” në kërkesë shkruan se “me Vendimin Nr. 10 datë 28.10.2020 të Këshillit Kombëtar të Territorit “Për përcaktimin e Kufijve të Zonave të Mbrojtura” në pikën 1.6 është përcaktuar kufiri i zonës së mbrojtur Lurë – Mali i Dejës Park Kombëtar, duke e nxjerrë përfundimisht jashtë zonës së mbrojtur zonën që përfshin Melth dhe Zall – Gjoçaj”, por ky pretendim vjen në kundërshtim me nenin 36 të ligjit 81/2017, “Për zonat e mbrojtura”, që thotë shprehimisht: “1. Miratimi i ndryshimit të sipërfaqes së zonës së mbrojtur mjedisore, zgjerimi ose pakësimi i saj bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas propozimit të ministrit ku argumentohet nevoja e ndryshimit konkret që do të përmirësojë rrjetin dhe mbrojtjen e zonës pas vendimit të KKT-së për ndryshimin e sipërfaqes së zonës së mbrojtur mjedisore.”

Dhe për ndryshimin e sipërfaqës së Zonës së Mbrojtur në Parkun Kombëtar Lurë – Mali i Dejës, nuk ka asnjë vendim të Këshillit të Ministrave pos atij të 2018 që ka bashkuar dy zonat në një Park Kombëtar.

Sali Koleci – Banor i Zall – Gjoçaj

“E kemi mbrojt ne atë zonë, që qeveria e shpalli Park Kombëtar se me qenë kish shpall Park Kombëtar vene tjera. Ne kemi mbrojt pyjet, kemi mbrojt territorin, kemi mbrojt tokat, po përse? Se ishte ai lumë. Kurse sot i vihet shkelmi, edhe thotë: Jo, duhet ta ndrrojë Gjykata e Lartë sepse unë dëmtohem. Në këtë mes dëmtohemi ne.”
Një tjetër pretendim i konçensionarit është se prodhimi energjitik i HEC-it Zais shpëton Shqipërinë nga “kriza” energjitike që e ka kapluar. Kur ky HEC prodhon më pak se 0.46% se HECi më i vogël në kaskadën e Drinit.
Avokatja dhe banorët u shprehen se kanë besim në një vendim të drejtë të Kolegjit Administrativ  të Gjykatës së Lartë, mospranimin e kërkesës për pezullim të ekzekutimit të Vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit.

  • Post comments:1 Comment

This Post Has One Comment

Lini një përgjigje