Disa nga rrugët kryesore të qendrës së kryeqytetit, ushtuan këtë 8 Mars nga thirrjet e grave që protestuan për liri, siguri dhe drejtësi për gratë e vrara. Për aq kohë sa diskriminimi gjinor mbetet i pranishëm në shoqëri, Dita e Gruas si festë që njihet gjerësisht, për aktivistet është edhe protestë. Me vargje të thirrura që kundërshtonin patriarkatin dhe kërkonin lirinë e gruas, dhjetra gra, vajza dhe djem nisën marshimin nga sheshi “Nënë Tereza” drejt zonës së “Ish-Bllokut”, të shoqëruar me pankarta dhe dy banderola që kryesonin marshimin. Përveç barazisë gjinore, ato kërkuan edhe drejtësi për gratë e vrara si dhe siguri në rrugë, në ambientet e punës, në shtëpi dhe kudo. Në solidaritet me vrasjet e shumta të grave që justifikohen me motive xhelozie, njëzëri u thirr fort se vrasja e tyre nuk mund të quhet kurrsesi krim pasioni, por femicid...
Në tarracën e një ndërtese dykatëshe në Rrugën “Demokracia”, në Bathore, diellin nuk e pengon asnjë përmasë betoni. Është i ftohtë janari. Regjistruesi xhiron. “Unë kam pas një vetëgjykim”, thotë Klodi. “Kam ba 9-vjeçaren, jo fort larg prej këtu. Ishte e mbushur me tiransa dhe jugorë. Deri vonë nuk e pranoja që isha nga Bathorja, sidomos kur takoja persona që s’janë t’zonës. Bathorja shihej edhe ma poshtë se Kamza.” Klodi, Diana, Roni, Fidi, të tjerë që vijnë e na gjejnë në bisedë, rrinë, varin kokën e dëgjojnë, i përkasin gjeneratës Zeta, me një stil jetese larg kafeneve, qendrave tregtare dhe tërheqjeve të tjera sociale. Mes tyre dhe familjeve të tyre nuk ka ndonjë dallim të madh në të ardhurat financiare, në llojin e shtëpisë që kanë ndërtuar, në mjetet e transportit (autobus, biçikleta) që përdorin, në vullnetin për arsimim dhe në arritjet që kanë fituar. Pa harruar punën më vete apo në grup me vetëgjykimin, për të cilin flet Klodi, më shumë i provuar nga prindërit, apo fëmijët më të mëdhenj të familjes, mijëvjeçarët, në kohën kur Kamza dhe Bathorja si pararojë e saj, nuk kishte asfalt, ujë, kanalizime e drita...
Tre vite më parë, si pjesëmarrës i Laboratorit të Antropologjisë Urbane, të organizuar nga Grupi Ata dhe IAKSA prezantova nje kohëzim vizual përmes fotografive të lagjes Bathore në Kamëz. Referencë ishin imazhet e shkrepura nga një fotograf gjerman, ëam Kat, përgjatë vitit 1999. Në një prej imazheve shihet një kontenier i verdhë që shërbente si qëndër ambulatore për lagjen. Në bisedë me time më, ajo më tregoi asokohe që ai kontenier kishte qënë me të vërtetë qendra e vetme shëndetësore për Bathoren për disa vite dhe se unë isha vaksinuar aty përgjatë fëmijërisë së hershme.

















