Gjykata e Lartë rrëzon vendimin e Apelit, “Bioprodukt” sh.p.k nuk mund të futet në pyllin e Laknasit pa mbaruar procesi gjyqësor

nyje.al | 09.11.2021 

“Sigurimi i Padisë”, si zgjidhja më e shpejtë ligjore për të shpëtuar pyllin e Laknasit nga shkatërrimi, është ajo çka pengon ndërtimin e fermës dhe thertores në hapësirën e asaj që njihet si zona e “Plepave të Brukës”. Që në fillimin e procesit gjyqësor ky ka qenë fronti i parë i “luftës” së banorëve dhe aktivistëve, e quajtur ndryshe edhe si “Masa e Sigurimit” ky parashtrim juridik pezullon çdo ndërhyrje fizike përderisa beteja ligjore vazhdon.
Kolegji vlerëson se Gjykata Administrative e Apelit duhet analizonte prevalencën e një interesi më madhor publik, atë të mbrojtjes së mjedisit, natyrës dhe biodiverisitetit duke mos analizuar vetëm përfitimet në aspektin ekonomiko-shoqëror të zonës. Në këtë drejtim Kolegji bashkohet me analizën e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë e cila me të drejtë ka vlerësuar se materializimi i lejes zhvillimore do të sillte pasoja të pariparueshme për të ardhmen ose vështirësisht të korrigjueshme. Në këtë drejtim Kolegji çmon se ekzistojnë dyshime të arsyeshme se dëmi i komunitetin eventualisht do jetë i pakthyeshëm dhe i atëçastshëm.” – është një nga arsyetimet e trupës së Kolegjit që çoi në prishjen e vendimit të Apelit.
Vendim i Gjykates

Fuqizimet dhe shfuqizimet e “Sigurimit të Padisë”

Në rastin e pyllit “Plepat e Brukës”, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë e ka pranuar Sigurimin e Padisë dhe ka pezulluar zbatimin e “Leje zhvillimi” nr. 801, datë 02.05.2019 dhënë nga Bashkia Kamëz, subjektit Bioprodukts shpk, si dhe atë të Vlerësimit në Mjedis nr. 08, datë 13.02.2019, deri në fund të gjykimit. Këtë vendim të marrë me 30.10.2019 në shkallën e parë, pala e paditur e ka ankimuar në Apelin Administrativ.
Më datë 11.12.2020, Gjykata Administrative e Apelit e ka ndryshuar vendimin, duke e pezulluar Masën e Sigurisë. Arsyetimet e Apelit ishin se paditësit nuk e kishin legjitimimin për të kërkuar pezullimin e fillimit të punimeve dhe se zona nuk ishte pyll, por e rrethuar me pemë. Trupi gjykyes që mori vendimin e ndryshimit të vendimit për dhënien e masës së sigurimit nuk i quajti banorët si legjitimë duke u shprehur se  “interesi i ligjshëm (i banorëve) mbetet i paprovuar në kushtet që çështja (themeli i saj) është duke u shqyrtuar në shkallë të parë dhe po merret prova me ekspert.” Gjykata e Apelit në të njëjtën kohë nuk mori në konsideratë faktin që edhe statusi i territorit ishte duke u shqyrtuar gjithashtu dhe po merreshin prova me ekspert.

Foto nga tentativa e kompanisë për të rrethuar pyllin, 29 shtator, Ronald Qema
Foto nga tentativa e kompanisë për të rrethuar pyllin, 29 shtator, Ronald Qema

Ky vendim i dhjetorit të 2020, ka shkaktuar përgjatë gjithë këtij viti tensione mes banorëve dhe kompanisë “Bioprodukts” që vazhdimisht ka shkuar dhe ka tentuar të rrethojë zonën. Përplasjet më të forta ishin ato të dy muajve të fundit, ku në një rast kompania private tentoi të futej në pyll në tre të mëngjesit dhe u përplas fizikisht me banorët.

Fundi i kalvarit të përplasjeve

Me vendimin e Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, banorët mund të presin të pashqetësuar ecurinë e procesit gjyqësor që do të përcaktojë fatin e “Plepave të Brukës”.
Aktivistja Aurora Leka mbi këtë vendim u shpreh: “Ka pasur shumë tensione përgjatë muajve të fundit sepse kompania pretendonte që kishte të drejtë të fillonte punimet dhe është shfaqur disa herë në Laknas për të nisur punimet. Normalisht, pas këtij vendimi për shumë kohë zona është e siguruar tashmë, punimet nuk mund të fillojnë dhe banorët mund të ndjekin të qetë zhvillimin e procesit me themel, i cili për momentin ndodhet në Shkallë të Parë të Administratives. Ky proces mendohet të jetë i gjatë  dhe kompanisë do t’i skadojnë të gjitha lejet administrative, që do të thotë do t’i duhet t’ia nisë procedurës nga fillimi.”

Banoret ne mbrojtje te pyllit
Banoret ne mbrojtje te pyllit

Pas këtij vendimi, kompania “Bioprodukts” sh.p.k nuk mund të shkelë në pyllin e Laknasit, dhe këtë ia ndalon qartë “Sigurimi i Padisë” i miratuar nga trupi gjykues i Kolegji Administrativ të Gjykatës së Lartë, i përbërë nga: Sokol SADUSHI (kryesues), Ervin PUPE (anëtar) dhe Ilir PANDA (anëtar).

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje