Nuk dua të mbes pa e parë “Nuk dua të vdes e virgjër”

Ronald Qema | 01.10.2023 | nyje.al

Në një lexim të ditëve të fundit u ndesha me një mbledhi fjalësh që synonte të përshkruante kohën që po jetojmë sot: kohë e individualizmit utilitarist, i cili është gjakftohtë dhe vetëshkatërrues. Antonime të njeriut të këtyre kohëve i gjeta mbrëmë në Pallatin e Kulturës Kamëz. Kur arrita aty për të ndjekur shfaqjen “Nuk dua të vdes e virgjër”, u ndesha me Suelën dhe Dovletin. Suela është drejtuese e fondacionit “Së bashku”, idea e së cilës ishte edhe realizimi i kësaj shfaqjeje. Ndërsa Dovleti është një djalë i ri me të cilin kam shoqëri të përbashkët. Të dy, me aftësi të kufizuara, ishin të vetmit që nuk e ndoqën dot shfaqjen. Dovleti iu bashkua Suelës pasi dërgoi qenin e tij në shtëpi dhe u kthye që ajo mos të ndihej e vetmuar teksa shfaqja luhej në katin e sipërm. Mungesa e një ashensori apo një rampe në këtë institucion e bëri të pamundur praninë e tyre si publik.

Suela Lala në hollin e Pallatit të Kulturës, ku mbeti përgjatë gjithë shfaqjes, shkak mungesa e infrastrukturës

Për mesazhet e rëndësishme dhe lojën teatrale që mbajti peng vëmendjen e publikut, me shumicë të theksuar adoleshentësh, do doja ta nisja këtë artikull. Por është loja magjepsëse, e përditshme dhe maska që nuk diti të bjerë kurrë nga fytyrat e politik-bërjes në Shqipëri ajo që zuri vendin e parë, edhe në këtë shkrim. 

“Faleminderit Suelës dhe ndjesë që nuk mund të jetë e pranishme për shkak se kështu është, e kemi gjetur terrenin e Pallatit të Kulturës…por shumë shpejt do ta ndreqim. Herë tjetër jeni të mirëpritur së bashku me Suelën dhe të gjithë miqtë e Suelës që janë me aftësi të kufizuar, fizike. Në emër të kryetarit të Bashkisë, ju uroj ta shijoni shfaqjen.”

Këto janë fjalët e Drejtueses së Pallatit të Kulturës, Rigelca Gupe, në nisje të shfaqjes, të cilat ma pamundësuan shijimin e shfaqjes. Kjo drejtuese ka prej më së paku dy vitesh që ka nën menaxhim këtë institucion dhe moskokëçarjen e saj për personat me aftësi të kufizuar tërë këtë periudhë vendosi ta mbulonte me të shkuarën, që e tashmja nuk është kujtuar kurrë ta ndrrojë. A thua se nuk është e njëjta parti që e ka emëruar këtë drejtuese që qeveris qytetin prej 2019-s? Kryetari – që ajo kujdeset mos ta harrojë në fund të fjalës së saj dhe që e ka emëruar Gupen – ka më shumë se katër vite që drejton Bashkinë e Kamzës dhe kujdesi ndaj komuniteteve të pafavorizuara edhe në rang bashkiak mungon thelbësisht. 

Përmes shfaqjes dhe pamundësisë së saj për ta ndjekur, Suela thërret për gjithëpërfshirje dhe zhdukjen e pengesave, jo vetëm infrastrukturore, në mënyrë që personat me aftësi të kufizuar të shijojnë artin, kulturën, politikën, demokracinë dhe çdo aspekt tjetër të shoqërisë. 

“Unë uroj që Bashkia Kamëz, nëpërmjet kësaj shfaqjeje, të ndërgjegjësohet që ka nevojë për më shumë akses për personat me aftësi të kufizuara, jo vetëm në objektet kulturore, por kudo, në rrugë, në trotuar, në transport, kudo ku ka nevojë për askes, që personat me aftësi të kufizuara të jenë më të dukshëm dhe të marrin më shumë pjesë në shoqëri.”

Pallati i Kulturës, Pallati i Turpit

Pas shfaqjes, Dovleti largohet dhe e shoh që mezi zbret në rampën e ndërtuar krejtësisht jashtë standarteve. Edhe në tentativën e dytë për të rregulluar pjerrtësinë e saj, kontraktori nuk e ka kryer detyrën e tij. Për Dovletin është e pamundur ngjitja dhe zbritja e saj pa u sforcuar. 

Ai është ankuar disa herë në Bashki për këtë rampë jashtë standarteve dhe kërkesa sipas tij ka rënë në vesh të shurdhër. 

Pas publikimit të shkrimit të gazetares Erisa Kryeziu në gazetën tonë në janar të vitit të kaluar që problematizonte aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuar në qytet, pati tentativa për të përmbushur këtë kërkesë si tek Pallati i Kulturës ashtu edhe në vende të tjera. Këto tentativa arrijnë në limitet e absurdit. Fotografia e mëposhtëme me rampën anash pasqyron absurditetin e investimeve të bashkisë së Kamzës për personat me aftësi të kufizuar. 

“Përse Pallati i Kulturës nuk e ka një ashensor?”- mendova mbrëmë, duke ditur që së fundmi edhe janë hedhur lekë në këtë institucion për rikonstruksion. Bashkia e Kamzës ka kontraktuar në muajin maj kompaninë 2N sh.p.k me vlerën rreth 7.7 milionë lekë të reja për rikonstruktimin e bibliotekës së këtij Pallati Kulture. Por edhe biblioteka, edhe pas rikonstruktimit, ashtu si salla e teatrit mbetet e paarritshme për personat me aftësi të kufizuara. 

Mbi shfaqjen

Pas leximit të veprës së Barbara Garlaschelli, (“Non volevo morire vergine” në italisht), Suela donte ta shihte këtë vepër autobiografike të Barbara-s në skenë. Si drejtuese e Fondacionit “Së bashku” ajo mundi të gjejë mbështetje dhe të nisë punën për dramatizimin dhe vënien në skenë të shfaqjes. Premiera dhe shfaqjet e para në Tiranë e patën hyrjen me pagesë dhe të ardhurat shkuan për përmirësimin e aksesueshmërisë të një institucioni publik. E vetëdijshme për nevojat që secili pjesëtar i shoqërisë që ka kufizime në lëvizje, Znj. Lala vendosi dhe punoi që “Nuk dua të vdes e virgjër” të shkonte në sa më shumë qytete në vend. 

Sallën dje e kishin mbushur të rinj e të reja, të ftuar nga organizata World Vision e ndonëse premisa e gjithkujt do të ishte që ky grumbull të rinjsh të ulur në karrige që kërcisnin si dyert në filmat horror do të bënin hatanë me zhurmë, në fund zonjat e rrjeshtit të parë pranuan që ata nuk ishin më të paqtët që kanë ecur mbi tokë, por shfaqja i ngërtheu shumicën prej tyre. 

Ina Gjonçi luante rolin kryesor, atë të 15 vjeçarës që humbi aftësinë për të ecur nga hedhja në detin e cekët dhe jeta e saj në kulm të adoleshencës njohu pikiatën e zhvillimeve të zakonshme për secilën prej shoqeve të saj, por të paarritshme për të.  Aktorët mbështetës që shfaqeshin në skenë herë si hije e herë si njerëz, e vendosnin 15 vjeçaren në kushtin e pamundësisë dhe shpjegonin marrëdhënien mes personazheve.

 “Nuk dua të vdes e virgjër” tingëllon si një shfaqje që të fton në një diskutim mbi eksperiencat seksuale. E tillë mbetet, ndër shumësinë e rrjeshtave të monologut të Bernardës. Ajo nis të tregojë sesi kufizimet e saj nuk duan ta privojnë, ta lënë të virgjër, nga deti, ajri, lojërat, shoqëria, ecjet, vrapimet, etj, por edhe nga seksi, nga dashuria, nga ndjenjat dhe nevojat e një gruaje. Thirrja për ta shembur përfytyrimin se vajzat dhe gratë me aftësi të kufizuara janë engjëj, të paprekshme dhe distante nga erotika kumbon qartësisht në tërë shfaqjen. Duke treguar historinë e njohjes me Darion, lidhjes disa vjeçare me të, puthjen që erdhi vonë, shumë vonë dhe seksin që nuk erdhi kurrë, Bernarda mëton të shpërfaqë se është e gatshme të bëjë çdo gjë që një burrë, pos të jatit të saj, ta dojë. 

Historia e Bernardës ngërtheu shikuesit dhe fitoi duartrokitje dhe ovacione nga të rinjtë dhe të rejat e Kamzës dhe unë dola më shpresën që ata, kur të hedhin hapin jashtë asaj salle të duan të kthehen përsëri dhe gjithashtu të ndjejnë nevojën për të respektuar dhe për t’u solidarizuar me secilën vajzë a djalë me aftësi të kufizuar që kanë në rrethin e tyre. 

Kultura që na mungon dhe shejtët emancipatorë në Kamëz 

Duartrokitjet e të rinjve dhe ovacionet e të rinjve për shfaqjen e tij shpresoj ta kenë “shkundur” disi edhe regjisorin Gjergj Mena. Regjisori – sikur mos të mjaftonte fjalimi pështjellues i Drejtoreshës së Pallatit të Kulturës – vendosi të flasë. Ai mori  mikrofonin dhe iu lut për qetësi këtij publiku pa kulturë teatrore, siç edhe nuk ngurroi të na cilësonte ne si publik dhe qytetarë të Kamzës. Ajo çka ai po projektonte te ne, para se të fillonte shfaqja, si shumë të tjerë që paragjykojnë Kamzën dhe banorët, na flet më shumë për pozicionin e tij, sesa për situatën tonë. Për ta ruajtur, më e pakta do të mund të thoshim për të që nuk ka asnjë dijeni mbi dhjetra shfaqje teatrale të vëna në skena jashtë-institucionale në Kamëz. Shfaqje të vëna, përpara se të vinte ai si empancipatori ynë. 

Regjisori Mena, sikur dhe vetëm në shenjë respekti të punës së tij do duhej të njihej me traditën e teatrit në qytetin tonë përpara se të projektonte gjykimet e tij mbi publikun e Kamzës. Është e vërtetë që Pallati i Kulturës i ofron shumë pak aktivitete kulturore të qënësishme këtij qyteti – shkak edhe sa e ftohtë dhe distante na vjen një skenë teatri – por nga ana tjetër, Kamzës ia kanë dhënë teatrin politik e social prej thuajse tashmë 10 vitesh aktivistët e qytetit, të rinjtë dhe banorët e vet, nëpërmjet punës konseguente me këtë praktikë të Grupit Ata. 

Së dyti, “mirë na e bëjnë sa kohë gjejnë shesh dhe bëjnë përshesh”. Nuk është hera e parë që vizitorët e atij institucioni, na vijnë në votër si ‘të shenjtë’ dhe na e ofrojnë kulturën e tyre si bukë pa pare për ta, por të pangrënshme për ne. Në Panarin e Parë të Librit në qytet, e ftuara me kujdesin e veçantë të Kryetarit Rakip Suli, Aida Baro erdhi në atë që ajo e pandehte qytezë dhe djerrë dhe bashkë me Partinë Socialiste na solli librat e parë, po sipas saj, që diku të niste kultura e leximit mes nesh. Regjisori Mena, ishte përkthim i qëndrimeve të Baros në zhanrin e teatrit. E këta drejtorët tanë, të Kulturës, e të Rinisë, rrinë e duartrokasin, pasi detyra e vetme e tyre është që mos të harrojnë të thonë “me kujdesin e veçantë të Kryetarit Rakip Suli”. 

Lavdi ju thur edhe në poster të shfaqjes institucionit të Bashkisë si bashkëpuntorë, por kur pyes Suelën se ku qëndronte kontributi i tyre në realizmin e kësaj shfaqjeje ajo mu përgjigj: “Shfaqja është financuar nga UNFPA, bashkëpunimi me Bashkinë është që kanë dhënë sallën dhe stafin.” Pra, “kujdesi i veçantë i Kryetarit” mbetet tek godina dhe të ashtu quajturit specialistë të artit të punësuar në Pallat, të cilët, në një cep në gjysëm-errësirë në fund të sallës, shohin shfaqjen me këmbët mbi karrige. 

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje