Mes pasigurisë institucionale dhe rrezikut nga privati banorët e Laknasit mbrojnë “Plepat e Brukës”.

nyje.al | 30.08.2021 

Nga protesta e banorëve të Laknasit, 30.08.2021
Nga protesta e banorëve të Laknasit, 30.08.2021

Firma private “Bioproducts” shpk sot tentoi të rrethonte zonën pyjore “Plepat e Brukës”, përpjekje e cila u ndërpre nga banorët e fshatit Laknas të Kamzës. Në mëngjesin e ditës së hënë, disa punëtorë krahu, avokati i firmës dhe Policia e Shtetit kanë mbërritur në zonë. Avokati i firmës ka tentuar t’u shpjegojë banorëve që ka leje të vlefshme ndërtimi me qëllim qetësimin e tyre dhe ndërhyrjen në zonë. Siç e kishin paralajmëruar edhe më parë, banorët kanë ndaluar rrethimin e pyllit dhe fillimin e punimeve për ndërtimin e biznesit privat duke akuzuar firmën private për ndërhyrje të paligjshme në zonë që sjell pasoja të pakthyeshme për cilësinë e jetesës së tyre.

Pas disa orësh rezistencë kanë mbërritur në zonë edhe përfaqësuesit e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit. Edhe pse ky institucion ka dalë në shkurt të këtij viti me shkresen zyrtare në të cilën saktëson se firma private nuk duhet të ndërhyjë me punime në zonë, sot ka kërkuar sërisht një shkresë tjetër nga banorët me qëllim që të marrë një vendim përfundimtar. Kjo ka çuar që banorët të vazhdojnë të jenë të mobilizuar me qëllim që ta ruajnë zonën pyjore, pasi momentalisht ajo nuk gëzon asnjë lloj mbrojtjeje nga asnjë institucion.

Në sajë të kërkesës së IKMT-së, av. Dorina Ndreka ka përgatitur shkresën në emër të banorëve të zonës duke parashtruar të gjitha argumentet ligjore dhe arsyet se përse duhet ndaluar firma private. Ajo parashtron si fillim që leja e ndërtimit të firmës ka skaduar, pasi sipas nenit 40 të ligjit 107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” : “1. Afati për fillimin e punimeve nuk mund të jetë më i gjatë se 1 vit nga data e miratimit të lejes së ndërtimit.”Leja e ndërtimit është dhënë në dt.27.06.2019 dhe ka përfunduar si afat në dt. 27.06.2020.

Gjithashtu, sipas një shkrese elektronike nga Bashkia Kamëz avokatja është lajmëruar ditën e së hënës se kompania nuk ka aplikuar ende për leje të re. Kontradiktore kanë qenë deklaratat e përfaqësuesit ligjor të firmës private i cili ka parashtruar se kishte një leje të re ndërtimi, dokument të cilin nuk pranoi t’ua jepte aktivistëve ligjorë në terren. Kërkesa drejtuar IKMT-së përmban edhe të dhëna të tjera të cilat parashtrojnë se edhe Vendimit për Ndikimin në Mjedis i ka kaluar afati, por edhe projekti i thertores është krejtësisht joligjor. Si rrjedhojë kanë kërkuar pezullimin e fillimit të punimeve.

“Bioproducts” shpk qysh prej vitit 2018 nëpërmjet një kontrate qeraje me bashkinë Kamëz ka planifikuar të ndërtojë një thertore në zonën e ashtuquajtur “zallishte”. Në fakt, kjo zonë, edhe pse e regjistruar në zërin kadastral të bashkisë si “zallishte”, i plotëson të gjitha kushtet për t’u shpallur zonë pyjore, pasi sipërfaqja e zonës është mbi 0.5 ha, ka drurë të lartë mbi 5 m dhe shkalla e mbulimit është mbi 10%. Banorët e kanë kultivuar pyllin dhe e kanë ruajtur në dekada me shumëllojshmëri bimësh jo vetëm për arsye rekreacionale, por edhe për t’u mbrojtur nga erozioni dhe ajri i ndotur. Në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë vazhdon ende procesi gjyqësor dhe pritet që të zhvillohet seanca e radhës në shtatorin e këtij viti. Ndërkohë banorët janë në gjendje gatishmërie në terren për të ndërhyrë ndaj çdo lloj përpjekje të befasishme nga privati për ta rrethuar zonën.

  • Post comments:1 Comment

This Post Has One Comment

Lini një përgjigje