Mbledhja e fundit e Këshillit Bashkiak për këtë vit, shyqyr

Ronald Qema | 25.12.2023 | nyje.al 

Fejton 

Mbledhja e parë e konstituimit të Këshillit Bashkiak Kamëz ishte një farë feste nëse e mbani mend. Mbyllja e punimeve të Këshillit për vitin 2023 nuk mund të mos ishte gjithashtu e tillë. Dyert u hapën që në nisje të saj, jo në mes të saj, siç ndodhi në korrik. Tre paketime transparente ishin mbushur me karamele me mbështjellëse gold dhe shishet e ujit ishin të vendosura në secilën prej ulëseve të anëtarëve. Në numër jo aq të lartë sa në korrik, punonjësit e Bashkisë zunë vendet në ulëset e fundit të sallës. Në njërin cep edhe unë. Ngjitja lart ishte e furishme, s’mu desh as të prezantohesha se kush isha e çfarë doja. Ves i rutinës edhe pse vajzat e informacionit më njohin shumë mirë. 

Zhuzhurima u shua sa vuri këmbën Rakipi në sallë. Ndaj ishin hapur dyert: koha për performancë. E kishin menduar si kohën e duhur për të tentuar propagandën e lodhur të ‘Kipes’, që sado të përpiqet – me eufemizëm të sforcuar – se zotëron ende aftësinë e komunikimit. Katërdhjetë minuta aq të lodhshme, sa mendova “Paskam qenë më mirë jashtë derës së bashkisë”. Fundja, propagandën për kë tentoi ta bëjë? Për drejtorët e tij? Që servilosen kur stafet televizive shkojnë për xhirime dhe qeshin kur kryetari ballafaqohet me faktin që i thërret katunarë po vetë ata dhe mundohet ta deformojë të vërtetën? Për këshillarët e partisë së tij që e kalojnë mbledhjen në telefon dhe ngrenë kartonat sa herë i thërret partia?. Për këshilltarët e opozitës? Dëshiroj të besoj që nuk janë aq të çpueshëm nga performanca e Kipës që ngre zërin kur përmend Kryeministrin. “Mish i huaj” në atë sallë mbetesha vetëm unë dhe një përfaqësues i organizatës “Bashki të Forta”, ky i fundit, mbase jo dhe aq i huaj.

Shkollat e ndërtuara nga BE-ja, rikonstruksionet e shkollave dhe pallateve si detyrimi më primar i një qeverie pas tërmetit, fotot e bukura në gjysmë errësirë të liqenit të Paskuqanit dhe Pedonales së Bathores kishin mbushur slide-t e prezantimit. Gjatë mbledhjes, po edhe ne një montim video të publikuar në faqen e Këshillit Bashkiak, vihet theksi se Bashkia paskërka bërë konsultim publik. 

Më 16 nëntor isha prezent në atë që u quajt një nga konsultimet publike për buxhetin e vitit 2024. Punonjëset e bashkisë ishin pothuaj të gjithë prezent dhe njëra prej tyre me një letër në dorë pyeste pjesëmarrësit nëse ishin apo jo dhe ata punonjës bashkie, nesë jo duhet të shkruanin emrin. Rakipi e nisi dhe e bitisi. Administratori prezantoi listën e investimeve në infrastrukturë, pra vendimet për ndërhyrje ishin marrë që më herët dhe banorët prisnin të dëgjonin emrin e rrugës së tyre, në kishin pasur fat këtë vit apo tjetrin. Komplimentat e militantëve për kryetarin në fund ishin më të shumta se kërkesat e banorëve dhe kështu bëhet konsultimi publik. 

Lëre që banorët nuk i pyet kush, por edhe këshilltarët nuk e patën të lehtë të diskutonin mbi buxhetin e vitit të ardhshëm në mbledhjen e fundit. Teksa këshilltari i djathtë Alfred Halilaj shtroi një pyetje dhe kërkoi kohë për një qëndrim, debatet që vazhduan përfunduan në tensionim mes tij dhe dy kryetarëve. Kryetari Koldashi paralajmëroi Halilajn që do ta nxirrte nga salla nëse fliste më shumë seç e lejonte ai, ndërsa Rakipi kërcënoi që do ta hidhte nga dritarja, jo ta nxirrte nga dera. Debatet vazhduan, buxheti u miratua edhe pse kartonat nuk u numëruan dhe këshilltarët zunë të dilnin me nxitim. 

Kufizimi prej 3 minutash në fjalët e këshilltarëve dhe paralajmërimet për shkelje të mbarëvajtjes së punimeve të Këshillit ishin tekë personale e Kryetarit Koldashi, pasiqë ky këshill nuk e ka një rregullore ende. Po punohet për ngritjen e një komisioni hartues. Anëtarët e majtë ishin gjetur, kërkoheshin anëtarë nga ana tjetër. Propozimet e emrave të djathtë erdhën nga socialistët dhe po ata i votuan si anëtarë, pa qenë të pranishëm vetë këshilltarët e grupimeve opozitare. Në të njëjtën situatë kaotike u miratuan edhe projekt-vendimet shoqëruese të rendit të ditës. Pa prezantim, pa relatim, pa pyetje, pa diskutim, 14 projekt-vendimet, me gjasë të fundit për këtë vit, u votuan njëherazi, në grup dhe me nxitim të gjithë zunë dhe lanë sallën. Ky nxitim nuk do të ishte i kuptueshëm as sikur mbledhja të zhvillohej më 31 dhjetor në orën 23:00, por mesa duket shpirti i festës e kishte shndërruar Këshillin dhe këshilltarët në efikas dhe mos-kokëçarës. 

Në dalje, përshëndetem me rojen e godinës. “E sheh sa të mirë jemi” – lëshoi një shaka. “Jo, aty brenda të gjithë ishin shumë të mirë, ti je më i keqi ndër ta.”- ia ktheva unë teksa po shihja këshilltarët që dilnin. Në mbledhjen e fundit, që si zakonisht kur nuk ka festë nuk më lejohet të hy, pata mundësinë të zhvilloj një bisedë me të dhe përpos faktit që ishim të një ane, gjeografikisht, u morëm vesh shumë mirë që ndonëse kur mbyllet zakonisht dera dhe unë mbetem jashtë dhe ai brenda, unë dhe ai jemi më kamzalinjtë. 

Imazhi në ballinë nga Këshilli Bashkiak Kamëz

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje