Nebi Bardhoshi | 06.09.2026 | nyje.al

Po sikur ta marrim seriozisht atë që thotë kryeministri?
Dy ditë më parë, në media u shfaqën disa kronika. Flitej për një përplasje mes dy biznesmenëve në Vlorë për një truall ndërtimi, që ende qenka ullishte. Konflikti ka dy palë dhe konflikti në themel duket pronësor. Mediat aluduan për lloj-lloj shkaqesh që sollën konfliktin dhe, lidhjet mes biznesit, botës së krimit dhe politikës. Por deri këtu, nuk ka gjë të re. Risitë dolën nga një dalje publike e kryeministrit.
Kryeministri doli e tha, se tashmë kjo punë do të mbyllet kështu. ‘Zona e konfliktit’, pra kupto pronën, do të shpronësohet. Nga private, do të kthehet në pronë publike. Ndoshta do të lihet ashtu, ullishte. Pra, do të përdoret para publike dhe procedura e shpronësimit. Duke e ditur që procedura e shpronësimit, implikon ‘interesin publik’ dhe shpronësimi është institut i parashikuar në kushtetutë, Rama përpiqet të krijojë një atmosferë të ‘interesit publik’. Ai shpreson se ky imazh do t’i shërbejë si parakusht për nisje të procedurës së shpronësimit. Argumenti bazë i lëshuar në deklaratë është misioni për ta bërë Shqipërinë Turistike. Sapo thuhet kjo fjali, njeriu fillon e mendon. Shqipëria Turistike mund të shndërrohet vërtetë në mision? Nëse po, pse duhet të jetë mision? Pastaj vjen një pyetje tjetër. Shqipëria Turistike është më e rëndësishme se “Shqipëria Europiane” apo shteti i së drejtës?!
Nëse kryeministri ka pushtet të shpronësojë një pronë për faktin se ajo është ‘zonë konflikti’ dhe këtë e bën për imazhin e një Shqipërie Turistike, atëherë ku janë caqet dhe si vendosim kuptimet? Pyetjet pasojnë njëra-tjetrën, si përpjekje për ta marrë seriozisht kryeministrin.
Për të shkuar më tej, ndoshta na ndihmojnë pyetje të tjera. Një prej tyre, është a ekziston një klauzolë ligjore sado inferiore për nga hierarkia, se Shqipëria Turistike shpreh vizionin kolektiv, mbi të cilin mund të bazohet hyrja në territorin thuajse tabu të shpronësimit? Sidoqoftë s’ka nevojë të bëhen shumë kërkime. Kushdo e di që Shqipëria Turistike, as ka qenë dhe as është një vizion social, por sigurisht “Shqipëria Turistike”, përmbledh një set politikash ekonomike. E në çdo rast, e në çdo shoqëri që ka bazuar ekonominë tek imazh i turizmit, rezultatet dihen. Por unë po përmend një. Në përgjithësi, kur shteti ngul këmbë në shndërrimin e shoqërisë në turistike, jo rrallë tenton ta shndërroj shoqërinë në një dëshirë të turistit. Në fakt, më shumë një dëshirë të imagjinuar të turistit apo turistëve. Ndaj vijmë tek pyetja tjetër, a mund të kemi një vizion të përbashkët politik siç aludon kryeministri, që ta kthejmë shoqërinë në një dëshirë turistike?! Përgjigjia dihet.
Rimarrim pyetjen e mëhershme.
Po sikur kryeministri të kërkojë që çdo ‘zonë konflikti pronësor’ të kthehet në objekt shpronësimi? Ose të bëhet fakt i kryer sikurse thotë vetë Rama – tashmë kemi vendosur ta shpronësojmë. Nëse i referohemi situatës faktike, ‘zonat e konfliktit të pronësisë’ kanë një gjeografi të gjerë, shumë të gjerë. Aq sa, po të zbatohet parimi që ‘zonat e konfliktit shpronësohen’, ka mundësi që më shumë se gjysma e Shqipërisë mund të shpronësohet. Ka zona konflikti që krijohen lehtësisht ose janë aktive thuajse në të gjitha hartat e tokës bujqësore. Po ashtu për titujt dhe hartat e tokave shtetërore dhe publike. Mbi të gjitha, ka mbivendosje të hartave. Pa përmendur zonat e tjera të konfliktit të krijuara nga përplasjet që kanë sjellë prania e ligjeve të cilat njohin apo krijojnë paralelisht subjekte të ndryshme pronësore. Apo ligje të të njëjtit legjislativ që ndërtohen mbi parime të përkundërta. Shkaqet deri diku i dimë se përse ka kaq konflikte pronësore – pra dhe pse ka kaq shumë ‘zona konflikti’. Si hartat, ashtu edhe ligjet nuk janë produkte as të rastësisë, as të naivitetit, por duket se qëllim parësor paskan pasur, kryehere, krijimin e ‘zonave të konfliktit’.
Rama e shpall shpronësimin si një masë për të ruajtur imazhin dhe vizionin e Shqipërisë Turistike dhe për këtë thotë se tashmë kjo është ‘vija e kuqe’. Si të thuash, s’ka më lojëra! Metafora e lodhur e ‘vijës së kuqe’, i mbivendoset vijave të përcaktuara nga kushtetuta e vendit. Pra, tej mbivendosjeve që thamë, kemi edhe një tjetër mbivendosje hartash. Por tani mbivendosje hartash dhe zona konflikti mes vullnetit apo zemëratës së kryeministrit dhe mbivendosjeve ekzistuese që duheshin qartësuar nga rruga e ligjit. Në njërën anë na shfaqet “vija e kuqe” si vullnet i kryeministrit të zemëruar që kërkon të zgjidhë një konflikt privat, por që serviret si kryeinteresi publik – Shqipëria Turistike. Në anën tjetër, vërtetë diku larg në anën tjetër, qëndron një ligj e kushtetutë e cila kërkon që konfliktet pronësore të zgjidhen nga gjykata e jo kryeministri, që interesi publik ndjek shtegun kushtetues, dhe se shteti i së drejtës do të duhej të ishte vizioni.
Askush nuk di motivet se përse kryeministri bëhet ndërhyrës zemërthyer në këtë rast. Ka ndërhyrë mes dy miqsh? Apo mes dy mbështetësish apo klientësh të partisë? Thjesht nuk duron dhunën dhe sidoemos në Vlorë apo gjatë këtij sezoni turistik? Nuk duron një konflikt kaq afër Sazanit dhe Zvernecit? Apo kohët e fundit, nuk duron dot as zënka të vogla. Çka dimë është se ka shpallur interes kombëtar Shqipërinë Turistike dhe do të shpronësojë dikë me paratë tona, për të përftuar atë që është. Por pyetjet nuk mbarojnë. E më kryesorja, ndoshta është se cilin kryeministër ta marrim seriozisht? Atë që në qershor na thoshte se nuk ndërhyn kur ka konflikte pronësie, se ai njeh gjyqësorin dhe specifikisht ndarjen e pushteteve. Apo kjo ishte një përgjigjie që vlente vetëm për rastin e Zvernecit? Apo pse vallë kryeministri nuk ndërhyn kur konflikti është mes një biznesmeni dhe komuniteti si në rastin e Rrjollit?
Për mbyllje. A mos vallë, kryeministri me këtë idenë e misionit për një Shqipëri Turistike, po na thotë se s’ka asnjë rëndësi as çfarë thotë ligji, e as çfarë thonë gjykatat, por të gjitha këto mund të jenë thjesht lodra, pasi është vetëm ai që vendos vija. E këto vija kanë ngjyrë. Ato janë vija të kuqe. E kuqja e shpërdoruar.

