“Me lëshu rrënjë në dhe të ri”, hulumtimi i studentëve amerikanë për oborret e Kamzës

Ronald Qema | 04.01.2024 | nyje.al

Në një bisedë me Sofinë, banore e Bathores, përgjatë zhvillimit të Laboratorit të Antropologjisë Urbane në vitin 2021 teksa e pyesim për shumësinë e luleve në oborrin e saj, ajo na përgjigjet se lulet ‘i kam për sy njeri, se nuk shihet muri i bardhë’. Sofia ishte zhvendosur në vitin 1994 në këtë lagje, në pasiguri të plotë shtetërore e shpirtërore, me gjashtë fëmijë me vete, veç me enë kuzhine e tesha, si një arkë e Noas në lëvizje e pa sigurinë e Zotit. Bashkë me familjen kishte nisur për pesëmbëdhjetë vite transformimin e një godine ish-blegtorale në një shtëpi me dhoma që ndërmjetësoheshin nga një oborr i vogël. Pas dy dekadash, shtëpia tashmë reflekton një strehë të bukur e të përkujdesur njerëzore. Lulet janë ato që pikasin më së shumti rreth e rrotull. Falë luleve në oborrin e saj të vogël, megjithëmend që muri është i fshehur në një sfond  me atmosferë ngjyrash dhe aromërash ftuese në banesën e saj. Është kjo përvojë, e të tjera të ngjashme me të të përftuara nga jeta jonë në qytet dhe nga laboratori i Antropologjisë Urbane, që në bisedë e sipër me studentë dhe profesorë amerikanë u sugjerojmë tematikën që mund të merreshin me të mbërritur në Kamëz për të realizuar projektin e tyre kërkimor.  

Jeremy, Abigail, Kendall dhe Audrey, studentë të Institutit Politeknik në Worcester në shtetin e Massachusetts në Amerikë, zgjodhën të punonin në Kamëz për projektin e tyre studentor. Kur dëgjuan për historinë e Kamzës, ata e gjetën oborrin si hapësirën që tregonte shumë për ndërtimin e qytetit pas rënies së regjimit diktatorial si dhe për përpjekjen për të ndërtuar shtëpinë e “së ardhmes”. Këta studentë u përfshinë në një kërkim etnografik për një periudhë dy mujore në Kamëz, të mentoruar nga profesori i tyre Robert Hersh dhe profesorja Melissa Butler. Gjatë bisedave me banorë dhe aktivistë të qytetit, oborri u kthye për ta sa në vendin e shpalosjes së kujtesës para migratore të familjeve të zhvendosura nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, po aq vendin e përpjekjes, nevojës e dëshirës për të hedhur rrënjë a krijuar përkatësi në një realitet të ri lokal. 

“Kamza është një vend shumë i mirë për të studiuar procesin e të krijuarit të një shtëpie në një vendodhje të re sepse është ndërtuar tërësisht me përpjekjet e të ardhurëve nga zonat rurale nga kudo nëpër Shqipëri, përgjatë tre dekadave të fundit. Oborret e shtëpive janë të zakonshëm nëpër Kamëz dhe shpesh zënë një pjesë të madhe të hapësirës, por akoma shumë prej rëndësisë së madhe emocionale të këtyre kopshteve është ende e pahulumtuar. Kërkimi jonë mëtoi të kuptojë rolin e oborreve dhe të eksplorojë rëndësinë e madhe që kanë patur përgjatë jetës së banorëve të Kamzës.” 

Puna kërkimore

Studentët kanë intervistuar banorë të shtatëmbëdhjetë shtëpive në Kamëz, të ardhur nga 13 zona të ndryshme nga Shqipëria. Përmes historive personale të treguara nga banorët në hulumtim prezantohet përpjekja disa vjeçare  e tyre për të ndërtuar jo vetëm godinën, por edhe ndjesinë e të qënurit në shtëpi. 

“Dëshira e Ylldizes për t’u kthyer në Burrel kur sapo kishin zbritur në Kamëz ishte e ngjashme me ndjesitë e shumë prej personave që intervistuam. Kemi mësuar që ishte e zakonshme që njerëzit të kishin vështirësi emocionale të mëdha kur erdhën fillimisht në Kamëz për shkak të mos njohjes së vendit të ri. Kjo bëri që ndjesia e të qënit në shtëpi të ishte edhe më e rëndësishme për ta. Ndërtimi i një shtëpie, fillon duke krijuar një lidhje emocionale me vendin. Shume nga të intervistuarit filluan ta krijojnë këtë lidhje përmes oborreve.” 

Në hulumtim gjithashtu shkruhet se pothuaj të gjithë banorët thanë që oborri është i rëndësishëm edhe për pamjen dhe ambientin e këndshëm që krijon. Për disa të tjerë, oborri krijonte një pamje që ju kujtonte shtëpitë që kishin lënë në fshat. Pamja, aromat, ndjesitë dhe shijet që oborri mundëson ka formësuar një lidhje me Kamzën, e cila po ia shtron një përfytyrim jetëgjatë të jetës aty banorëve. 

Intervistat e hulumimit, të shtrira në grupmosha të ndryshme dëshmojnë që edhe të rinjtë e të rejat bartin dëshirën për të pasur gjelbërim dhe natyrë përreth tyre. Pas një takimi në një prej shkollave të qytetit, studentët amerikanë theksojnë që shumica e 14-15 vjeçarëve dëshmojnë të kenë mësuar nga prindërit ose gjyshërit si të mirëmbajnë oborrin, prej tyre ka nga ata që ruajnë nga kujtime idilike nga koha e kaluar me familjen në oborre. 

Transmetimi i dijes dhe funksioneve të oborreve

Mirëmbajtja e kopshteve dhe oborreve kërkon përkushtim të konsiderueshëm fizik dhe në kohë. Duke qënë se Shqipëria dilte nga sistemi diktatorial, shumë banorë shprehen se janë mësuar me bujqësinë duke punuar në këto kooperativa dhe ferma ose duke shikuar prindërit e tyre teksa punonin në to. Safie Dara është një prej të intervistuarave që dëshmon se ka ardhur në Kamëz nga Korça në vitin 1985 dhe ka punuar në bujqësi në fermën e asokohshme “Ylli i Kuq”, e aty ka mësuar të kultivojë dhe të kujdeset për bimë dhe pemë të ndryshme. 

“Kreshniku dhe e shoqja kanë mësuar të mbajnë kopsht duke vëzhguar prindërit e tyre që punonin si punëtorë në bujqësi nën regjimin diktatorial kur ata erdhën në Kamëz. Përgjatë kësaj kohe, ata mësuan së cilat bimë e pemë rriteshin në dheun e Kamzës dhe mundën të transferonin këto varacione në oborret e shtëpive të tyre pas rënies së regjimit.”

Përpos nevojës për prodhim bujqësor për t’u vetëmbajtur më së paku për kërkesat familjare, oborret bartnin nga vendet e origjines edhe tradita e zakone. Dasmat janë shembull i ceremonive që banorët e Kamzës trashëgojnë ndër breza, me kërcimet e mbrëmjeve përgjatë javës, të njohura si ‘vallëzimet’ përpara ditës së dasmës. Oborret kështu, fillimisht si hapësira e mbërritjes, ndërtimit të shtëpisë, vendi i punishtes së mjeshtërve të shtëpive, ktheheshin vazhdimisht si hapësira celebruese e gëzimeve familjare. 

E ardhmja e oborreve në hije 

Hulumtimi mbyllet me dëshmitë e banorëve të qytetit që tregojnë së zhvillimet urbane të viteve të fundit në Kamëz rrezikojnë praktikat jetësore të së ashtu-quajturës shtëpi private. Ndonëse vendimet për zhvillim të pronës duken personale dhe në dorën e pronarit të tokës, banorët shprehen se me ç’ndodh përrreth detyrohesh t’i përshtatesh ambientit të ri që krijohet. Kreshniku, banor i qendër Kamzës tregon se në një farë mënyre je i detyruar të japësh tokën për pallate të larta sepse edhe nëse jo, do ti kesh ato në të katër anët dhe ti nuk sheh dot as dritën e diellit më. Sakaq, Drita, një tjetër banore e qytetit ka bashkëndarë shqetësimin se një e ardhme e ngjashme mund të jetë krejt e pritshme edhe në rastin e saj.  

“Nëse hipotetikisht, komshinjtë e mi e shesin shtëpinë e tyre për të ndërtuar një pallat, edhe unë do detyrohem ta shes sepse nuk do të jetoj në hije.” 

Qytetet tona kanë kaluar njëfarë praktike autoritare estetizimi. Projekti i Rilindjes Urbane mbart ato nuanca. Por ne e dimë që estetikës së imponuar nga politikat e kryebashkiakëve, duke përfshirë rrafshimin e hapësirave për ndërtimin e pallateve uniformizuese dhe paketuese të përvojave njerëzore, u ka dalë boja. Asnjë politikë estetizuese institucionale nuk mund të zëvendësojë oborret e vetëkrijuara nga banorët, hapësira të cilat mbrujnë afekte, dije lokale, mjeshtëri dhe kultivojnë imagjinatë dhe ndjeshmëri përmes kultivimit të bimësisë. Ajo lloj përkujdesjeje që transformon hapësirat në ambjente më të ndjera dhe të jetueshme përbën dimensionin estetik që banorët e Kamzës kanë krijuar me hapësirën përreth tyre, si tregues i daljes nga kushti i mbijetesës. 

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje