Huqja “green” si pararojë e “anti-green”

Analizë| 03.09.2024 | nyje.al | Ronald Qema

Ky është stacioni i Universitetit Bujqësor që shënjon dhe hyrjen faktike në territorin e bashkisë Kamëz. Mund ta konsiderojmë si hapësirën publike ndoshta më të gjelbëruar në urbanen e Kamzës, kjo prej harlisjes së bimësisë që vjen nga banesa ngjitur. E sjell këtë imazh në nisje të kësaj analize duke marrë shkas nga politikat e gjelbërta të bashkisë në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile që operojnë në qytet e që duket sikur mbyllin sytë dhe imagjinojnë një të ardhme plot “jeshillëk” kur të tashmes i tejkalojnë anës. 

Shqetësimi “green” që është shpalosur së fundmi nga bashkia dhe projektet lokale të shoqërisë civile, tingëllojnë tërësisht jo-lokale, duke ua zbehur plotësisht kështu edhe emergjencën e një shqetësimi global lidhur me çështjet ekologjike e mjedisore. Çdo frazë, konceptim a politikë që ia huq lokalisht, rrezikon në vetvete të jetë e dështuar edhe në përmasën e asaj çka tenton të pohojë universalisht. Kjo analizë merr shkas nga thirrja e këtij viti e bashkisë Kamëz për propozime në kuadër të projektit ReLOaD2, financuar nga Bashkimi Europian, e cila pati fokusin në iniciativat “green”.

Organizata Liburnetik ishte kryesuesja e listës së shoqërisë civile e vlerësuar si me propozimin më të mirë dhe projekti i saj “Green Futures” gjeti mbështetjen e Bashkisë Kamëz. Ky projekt me buxhet rreth 20 mijë euro, sipas organizatës ka për qëllim “të rrisë ndërgjegjësimin mjedisor ndër të rinjtë në Bashkinë Kamëz duke kombinuar metoda novatore të edukimit joformal”. 

Imazhi prezantues i projektit në site-in online të organizatës, burimi: LIBURNETIK

Në “strehën” e keqpërdorimit të hapësirave dhe fondeve publike, në Pallatin e Kulturës, është mbajtur aktiviteti i parë i këtij projekti. Përmes ‘realitetit virtual’, organizata Liburnetik njofton në rrjetet sociale, që të rinjtë e qytetit kanë dëshmuar rëndësinë e gjelbërimit, mjedisit publik dhe ruajtjes së natyrës. Por a duhet t’ia nisim nga virtualizimi kur flasim për përpjekjen për një mjedis të pastër e të gjelbër dhe jetën e shëndetshme urbane? Duke ditur historinë e zhvillimit të qytetit dhe kujdesit për ambientin që e rrethon nga gjithësecili banor i tij, mos ndoshta puna rreth shqetësimit “green” nistor do duhet ta kishte faktin se hapësirat e gjelbërta në qytet sa vijnë e zvogëlohen prej ndërtimit masiv e të përshpejtuar në pesë vitet e fundit?

Tiranizimi i Kamzës, si manual zhvillimi urban i kopjuar prej kryeqytetit vjen si rrezik kryesor ndaj hapësirave të gjelbërta private e gjysëm publike, oborret e shtëpive dhe rrugicat e qytetit të mirëmbajtura nga banorët e tij. Këto hapësira shërbenin shpeshherë si njësi baze ekonomike për të kaluar caqet e mbijetësës, por njëkohësisht ishin edhe mundësi ku banorët artikulonin estetikën e tyre

Eskavatorit mbi këto hapësira ia ka hapur rrugën Bashkia Kamëz si institucioni qeverisës i qytetit. Kjo bashki është promotorja kryesore e betonizimit të Kamzës pasi e sheh si aktivitet fitimprurës që pasuron arkën buxhetore të saj. Buzëgaz dhe plot optimizëm përfaqësuesit e institucionit deklaruan shpenzime marramendëse për vitin buxhetor 2024 pasi prisnin trefishim të të ardhurave nga lejet e ndërtimit që Bashkia Kamëz miraton.

E ndaj mbase inskenimi virtual parashikohet si aktivitet i nevojshëm për të na përgatitur për të ardhmen, mbase edhe jo aq të largët. Duke u rikthyer tek imazhi hyrës i artikullit, ai i stacionit të gjelbëruar, rreziku për të mos e patur më është “pas dere” dhe institucionalisht ky rrezik po legjitimohet. 

Në një proces tashmë të nisur prej kohësh Bashkia Kamëz nën direktivat e Planit të Përgjithshëm Vendor po harton edhe PDV për secilën parcelë kadastrale. Kështu i hapet rrugë ndërhyrjeve në territor kur tashmë këto plane të jenë miratuar. Parcela kadastrale në të cilën ndodhet stacioni dhe banesa ngjitur është në fazë drafti për caktimin e Planit të Detajuar Vendor për të

Bashkia Kamëz parashikon se përpos një godine 8 katëshe që ndodhet në këtë parcelë, të gjitha ato të tjerat mund të jenë subjekt rizhvillimi. Kjo do të thotë që nëse privati ka interes për të ndërhyrë, shembur e ndërtuar ai merr bekimin e institucioneve përmes PDV që pritet të miratohet së shpejti. Afërmendsh duke marrë parasysh vendodhjen buzë rrugës kryesore dhe në një nyje të rëndësishme infrastrukturore banesa ngjitur me stacionin e bashkë me të edhe gjelbërimi mund të zëvëndësohet nga një pallat nëntë katësh. Kjo është lartësia e propozuar nga Bashkia Kamëz kur e klasifikon parcelën si të mundshme për rizhvillim.

Hartë e shkëputur nga propozimi i Bashkisë Kamëz për Planin e Detajuar Vendor

Huqja përsëritëse 

LIBURNETIK javë më parë ka përfunduar një projekt fitues të vitit të kaluar të miratuar nga Bashkia Kamëz. I titulluar “Në duar të sigurta” ky projekt synonte të kishte një impakt lokal, gjithëpërfshirës dhe ndërveprues mes aktorëve të ndryshëm në shoqëri, duke nxjerrë në pah si përfitues të rinjtë e Bashkisë Kamëz, organet e pushtetit vendor dhe përfaqësuesit e tyre dhe Komunitetin.

Si i ri dhe i angazhuar në qytet, kontaktin e vetëm me projektin e pata disa ditë më parë, përmes ekranit LED që ndriçon qendrën e Kamzës me ngjyrat e reklamave që shfaqen periodikisht në të. Një prej imazheve ishte ai i mesazhit “Lëre makinën, pedalo”.

Përmes këtij slogani, organizata bën thirrje për reduktim të përdorimit të makinave, një prej ndotësve kryesorë, por me alternativën që ajo ofron, përsëri ia huq. Të pedalosh në Kamëz është sa e rrezikshme aq edhe e pamundur. Në një qytet që sa vjen dhe fryhet edhe me shansin më të mirë për infrastrukturë moderne dhe gjithëpërfshirëse, metrat e korsive të biçikletave janë zero. Them zero sepse edhe në ato tentativa ku pretendohet të përfshihet si “luks”, korsitë e biçikletave janë krejt jashtë standartit. Edhe standartit të miratuar nga Plani i Përgjithshëm Vendor (fq.46), në rregulloren e të cilit amendohet që korsitë e biçikletave duhet të jenë minimumi 1.5 – 1.8 metra të gjëra në raste të një drejtimi dhe 2.5 në raste të korsisë me dy drejtime. 

Përpara zgjedhjeve të vitit të kaluar pati një investim në një prej rrugëve kryesore në qytet, në krye të rrugës “Berisha”, ku pas rikonstruktimit të saj u vendos që sensi i kalimit të ishte vetëm një drejtim dhe vend iu la edhe korsisë së biçikletave me një gjatësi prej rreth 300 metrash. E para në qytet, ajo nuk zgjati shumë pasi qytetarët ishin të pakënaqur nga rruga me një drejtim dhe Bashkia Kamëz pak ditë para zgjedhjeve vendosi ta zhbëjë atë dhe t’i hapë rrugën makinave.

Kësisoj në këtë qytet nuk mund ta lësh makinën, edhe sepse nuk mund të pedalosh. Të paktën jo i sigurtë. 

Në përfundim, më vjen natyrshëm të advokoj për përputhje të mesazheve të financuara nga jashtë me vendimet politike të ndërmarra nga brenda. Edhe të parashtroj lutje për “këmbë-në-tokë-zim” të iniciativave që hutazi shmangin kontekstin lokal dhe përfundojnë te huqja.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje