QV 1598/01 si të gjitha, të gjitha si QV 1598/01

Ronald Qema | 16.05.2023 | nyje.al

Ka shumë ngjarje me të cilat mund të nisej përshkrimi i ditës zgjedhore në QV 1598/01 në shkollë “Ahmet Zogu”, Bathore, e secila do e ngërthente lexuesin për të shkuar më tej. Që nga xhirimet e benzit të zi me këngën “Vetëm Përpara” në sfond, pas gërthitjeve “Fitore! Fitore! Fitore” të Drejtorit të Ujësjellës Kanalizimeve Kamëz Gentian Murataj, tek mbledhitë e dy kampeve përpara qendrës së votimit që vizualisht shëmbëllehen si pozicionimi i dy grupimeve të 14 vjeçarëve pas sherrit në oborrin e shkollës apo deri tek fatura dhjetramijë lekëshe tek kafja ngjitur që paguhet njëherazi pas mbylljes së procesit të votimit. 

Në klasën e përshtatur në sallë votimi gjeje burra në këmbë e ulur, një ose dy gra në komision dhe një vajzë, operatore, që përpiqej të ndihmonte të moshuarit pa ulur sytë për të parë kë kishin votuar. Në hyrje e dalje të shoqëronin sytë e dhjetëra burrave e djemve të partive respektive garuese.

Në njërin krah, ish-punonjës vendorë, ish-drejtorë, simpatizantë dhe militantë të thekur. Në krahun tjetër drejtorë, anëtarë këshilli të katër viteve të fundit, punonjës të bashkisë, zjarrfikës, e kushedi ca pozicionesh të tjera publike, shtuar militantë të partisë së ashtuquajtur të majtë në Shqipëri. 

Drejtorin e UKK-së, anëtaren e këshillit dhe një nga punonjëset e Bashkisë e shihje shpesh te vërdallisej sa brenda sa jashtë qendrës së votimit. Pika dy e urdhërit nr.62 të lëshuar nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve më 3 maj për qëndrimin më së paku 150 metër larg nga qendrat e votimit të përsonave të paracaktuar nga KQZ, ashtu siç është konstatuar rëndom në Bashkinë tonë e më gjerë, u shkel me të dyja këmbët nga zyrtarët, që ishin njëkohësisht edhe ekipi elektoral i  Partisë Socialiste. Ishin vetë këta që ndonjëherë edhe ndërhynin në ritmin e qetë të procesit. 

Votuesit deri në orët e para të pas mesditës kishin kryer punë. Të marrë e të përcjellë me makina private, të shtyrë për të mbajtur në punë veten a të afërmin, a në nxitim për ta rikthyer të djathtën në qeverisje, me besim për një rezultat të favorshëm për ta, deri në orën 14:00, 278 nga 380 votuesit që morën pjesë e kishin plotësuar tashmë një nga qëllimet e zgjimit të së dielës.

Pritja deri në përmbylljen e procesit ishte e gjatë por u shpërblye nga rezultati i menjëhershëm i marrë pas mbylljes së votimeve. Rakip Suli kishte marrë 262 vota, pothuaj trefishin e kandidatit të Koaliconit Bashkë Fitojmë, Arjan Hoxha. Si të gjitha ndodhitë e mësipërme, edhe ky rezultat i shkon për shtat titullit të këtij shkrimi. Edhe në rang bashkie, diferenca mes kandidatëve mbeti pothuaj kaq e gjerë.

Rezultati i votimit për kryebashkiakun e Kamzës më 14 maj 2023

 

Në horizont flakëronte qielli nga fishekzjarret që lajmëronin fitoren historike. Rakipi u shndërrua në sensacion me kërcimin e tij në dritaren e selisë në qendër të qytetit. Pas paraqitjes së papërmbajtur në rrjetet sociale u shfaq krah drejtuesit politik socialist të qarkut Tiranë, për të vazhduar kërcimin dhe për të shprehur gatishmërinë në vazhdimin e të qënit një shërbëtor i mirë i qytetarëve. Kushdo që gjendej rastësisht në rrugët e Kamzës në ato momente duhej të ruhej nga parakalime arrogante makinash, shoferet e shoferët e të cilave, me dorën në bori dhe pa shikuar anash, prisnin rrugën dhe i jepnin prioritet vetes për të depërtuar furishëm. Ato manovra të shpejta e kërcënuese si shprehi e euforisë së gëzimit si poshtërim ndaj tjetrit, ishin paralajmërimi më i qartë i fatit politik që i kërcënohet qytetit. 

Por sa e votuan qytetarët Rakipin?

Që prej Censusit të vitit 2011 nuk kemi një informacion zyrtar të numrit të banorëve të qytetit. Indikator, përpos gjendjes civile, mbetet edhe numri i votuesëve në secilën palë zgjedhje. Në zgjedhjet e zhvilluara ditën e dielë, të drejtën e votës e kishin 108799 persona në moshë madhore.  Nga viti 2019, ku në lista gjendeshin 99638 persona, gjejmë rritje me 9 mijë votues. 

Në zgjedhjet e para katër viteve, për konfirmimin e Rakip Sulit si kryetar bashkie ishin dakord vetëm 10102 qytetarë, rreth 11% e personave me të drejtë vote në Bashkinë Kamëz. Në votimet e 14 majit, për rikonfirmimin e Sulit në karriken e tij, votuan 27926 banorë, rreth 25% e votuesve. 

Më shumë se 56% e banorëve nuk morën pjesë në zgjedhje. Kjo shifër vjen në rritje, krahasuar me pjesëmarrjen prej 49.73%, në zgjedhjet parlamentare të para dy viteve. 

Në listën e arsyeve të kësaj rritje të mohimit të së drejtës për të votuar, mund të gjesh shumëçka. Ndër banorë të qytetit hidhen e priten arsyetime të humbjes që nga blerja e votës, kërcënimet me vendet e punës, premtime për punësime, leje për vazhdimin e ndërtimit të kateve të shtëpive, legalizime të premtuara, kundër-fushata e Xhelal Mziut, zhgënjimi i madh i demokratëve, frakturat e brendshme, deri te mungesa e strukturave të forta në komunitet të PD-së së Arjan Hoxhës. Qartazi, kushdo që e ndjen që demokracia dhe mendimi për qytetin është më shumë se kurrë e kërcënuar nga prania shtypëse e PS-së, dhe afria sa vjen e më e madhe dhe më e rrezikshme e klasës politike e Tiranës në Kamëz, i duhet të hetojë me kujdes arsyet, të stërmundohet në analizë politike, të veprojë dhe të parandalojë format e qytetit socialist oligarkik. 

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje