Grupi Ata padit Bashkinë Kamëz dhe Komisionerin e të Drejtës së Informimit- neglizhencë në informimin e qytetarëve

08.04.2021 | nyje.al 

Kamez, 2019, fotografi nga Valentina Bonizzi
Kamëz, 2018, fotografi nga Valentina Bonizzi

Aktivistët e Grupit Ata kanë ngritur padi kundër Bashkisë Kamëz dhe Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale në Gjykatën Administrative të shkallës së Parë, Tiranë. Nëpërmjet saj, aktivistët e qytetit kanë kërkuar plotësimin e programit të transparencës sipas parashikimeve ligjore, kushtetuese dhe rekomandimeve institucionale me qëllim specifik të bërjes publike të proceseve vendimarrëse dhe transparencës së Bashkisë.

Ligji për të drejtën e informimit ka hyrë në fuqi në vitin 2014. Sipas tij, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi, çdo institucion duhet të plotësojë programin e transparencës, përmbajtja e të cilit është shpjeguar edhe në shkrime të tjera në platformën tonë. Jo 6 muaj, por mbi 6 vjet kanë kaluar që nga ai moment dhe bashkia Kamëz ende nuk e ka plotësuar këtë detyrim në shkelje të plotë me ligjin dhe kushtetuten.

Një ndër problemet më të mëdha që ka shkaktuar kjo mungesë transparence lidhet me mospërfshirjen e qytetarëve në proceset vendimarrëse të qytetit. Vështirësia për të gjetur vendimet e këshillit bashkiak, mungesa e njoftimeve të rregullta dhe periodike mbi mbledhjet e këshillit, si dhe neglizhenca në kërkesat paraprake për t’u përfshirë si dëgjues në to ka penguar edhe procese të tjera lokale që lidhen me iniciativat qytetare në Kamëz.

Gjatë qeverisjes së ish-kryebashkiakut Mziu, bashkia Kamëz është gjobitur nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale, pas ankimimit të Grupit Ata. Kjo gjobë u dha për shkak se administrata e bashkisë (me urdhër të Mziut) bënte një përzgjedhje selektive të kërkesave të qytetarëve, duke mos i protokolluar kërkesat që “ia prishnin humorin” kryetarit. Gjoba në atë kohë iu faturua njërës prej vartësëve të tij, kjo për shkak të dobësisë së institucionit të Zyrës së Komisionerit, që jo rrallë, fshihet pas ‘mungesës së kompetencave’ për të shmangur përballjen me titullarët e institucioneve.

Me ardhjen e kryetarit të ri Rakip Suli, situata e transparences vazhdoi njësoj. Nuk u arrit të zbatohej  detyrimi ligjor për transparencë institucionale. Bashkia Kamëz vazhdonte të pengonte përfshirjen e rregullt të qytetarëve në mbledhjet e këshillit, të mos jepte informacione të detajuara mbi transparencën financiare, të mos publikonte prokurimet publike, auditimet, konsultimet publike etj. Në tetor të vitit 2020, Komisioneri për të Drejtën e Informimit, pas marrjes së kërkesës për të vënë në vend të drejtën e qytetarëve të Kamzës për t’u informuar, del me një rekomandim zyrtar në bazë të cilit i jepte Bashkisë Kamëz 90 ditë kohë për të plotësuar programin sipas parashikimeve ligjore. Në mungesë të plotësimit të programit, Komisioneri parashikonte marrjen e masave administrative (gjobvënie për titullarin deri në 150 000 lekë).

Në këtë rekomandim, Komisioneri parashtronte se shumë informacione nuk gjenden në programin e transparencës së bashkisë, ndërkohë që shumë të tjera nuk janë të ndërlidhura. Ndër të tjera, pikat që nuk gjenin pasqyrim ishin:
– Mekanizmat monitorues dhe të kontrollit (kodi i etikës, karta e auditimit të brendshëm, raportet e auditimit të brendshëm të ushtruar në bashki, raporte përfundimtare të KLSH-së, planet e veprimit për zbatimin e rekomandimeve etj)

– Kërkesat, ankesat, sinjalizimet apo vërejtje lidhur me organet e bashkisë, regullore e brendshme për procedurën e shqyrtimit, hetimit adm, etj)
– Kontratat publike, raportet e kontrollit mbi auditimin dhe zbatimin e kontratës
– Njoftimet për mbledhjen e Këshillit, rendin e ditës, projekt-vendimet në proces shqyrtimi nga Këshili Bashkiak, procesverbalet e mbledhjeve, bashkë me vendimet, urdhëresat dhe urdhrat me karakter normativ janë të publikuara pjesërisht.

Edhe pas kalimit të afatit 90 ditor, Bashkia Kamëz nuk e plotëson programin, me arsyetimin se do të vazhdojnë ta plotësojnë me kalimin e kohës. Zyra e Komisionerit nuk merr masa të tjera. Për shkak të ezuarimit të të gjitha mjeteve ligjore në dispozicion lidhur me ankimimin, grupi Ata ka ngritur padi kundër bashkisë dhe Zyrës së Komisionerit në Gjykatën Administrative, në fundmars me qëllim që kjo zvarritje disa vjeçare të marrë fund. Seanca e parë parashikohet të zhvillohet më datë 9 prill 2021 ku në anën e të paditurve do të jenë dy organe publike: Bashkia dhe Komisioneri.

*Ky shkrim mbështetet nga Lëviz Albania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje