Personat me aftësi të kufizuar të përjashtuar nga shërbimet turistike

Erisa Kryeziu | 16.04.2024 | nyje.al

Sipas të dhënave zyrtare, Shqipëria përjetoi vitin që lamë pas një rritje të madhe të numrit të turistëve, duke kapur shifrën prej 10 milionësh. Megjithatë, përpos shifrave dhe ligjërimit pozitiv për turizmin nga institucionet vendase në nivel qendror dhe lokal, industria e turizmit nuk ofron qasje dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Personat me aftësi të kufizuar mbeten të përjashtuar nga shërbimet në qytetin e Tiranës dhe në të gjithë vendin. Ky përjashtim nis që në momentin që zbret në aeroportin “Nënë Tereza”, ku për shkak të mungesës së një transporti të dedikuar me taksi apo transport publik, të bërit turizëm në vendin tonë mbetet një sfidë. Edhe pse flota e kompanive të taksive në Tiranë është shtuar ndjeshëm vitet e fundit, asnjë prej tyre nuk ofron taksi të akesueshme për personat me aftësi të kufizuar. 

“Ne na kontaktojnë edhe nëpërmjet faqes së internetit dhe na kanë pyetur për taksi të aksesueshme për të mbërritur nga aeroporti apo për të vajtur diku. Transporti mbetet një problem shumë shumë i madh, veçanërisht nga aeroporti deri në Tiranë që është edhe lëvizja e detyrueshme që duhet bërë. E para “aeroport shadows” nuk janë të aksesueshme, taksitë nuk janë të aksesueshme dhe kuptohet nuk ka trena dhe metro, pra nuk ka asnjë zgjidhje tjetër”,- shprehet Suela Lala nga Fondacioni “Së bashku”.

Sipas të dhënave nga institucionet shtetërore, Tirana si kryeqyteti i vendit mikpriti rreth 4.5 milionë turistë, mirëpo ende nuk i plotëson kushtet e një kryeqyteti gjithë pranues për secilin turist, me karakteristika të veçanta. Ekspertët vënë në dukje mungesën e infrastrukturës që të ndihmojë në aksesin në lëvizje, akomodim e argëtim.

“Sepse gjithë infrastruktura që duhet në çdo mjedis turistik, infrastrukturë, sistem akomodimi, sistem argëtimi, vizita nëpër site kulturore ka jashtëzakonisht pak akses për personat me aftësi të kufizuar. E vetmja gjë që mund të gjesh është kalimi për personat me aftësi të kufizuar nëpër hotele, pra rampat kur hyn në hotel. Madje edhe në këto hotele nuk është se ka ashensorë që t’i përcjellë deri në katet lart. Thjesht hyrja në hotel dhe kaq”, -shprehet Flora Xhemani Baba, eksperte e turizmit.

Kryeqyteti sivjet ka mbyllur një sërë institucionesh kulturore për shkak të rikonstruksionit të tyre, sikurse Muzeu Kombëtar, Galeria Kombëtare, Teatri i Kukullave etj. Institucione po ashtu me mungesë aksesi për personat që nuk dëgjojnë apo shikojnë. Sokol Murataj nga Shoqata Kombëtare e Para-Tetraplegjikëve shprehet se pavarësisht njohjes së rëndësisë së barazisë në akses për njerëzit me aftësi të kufizuar në sektorë të ndryshëm, situata aktuale në vend tregon se përpjekjet për të adresuar këto çështje janë ende në faza fillestare. 

Ky konstatim vihet re veçanërisht në aspektin e infrastrukturës dhe shërbimeve të ofruara për turistët me aftësi të kufizuar, ku mungesa e aksesit është e përhapur dhe ndonjëherë, përpjekjet për përmirësim janë të kufizuara vetëm në veprime minimale si prodhimi i fletushkave në Braille. Këto veprime, megjithëse kanë një vlerë në ndërgjegjësimin e çështjes, janë larg nga të mjaftueshme për të adresuar sfidat komplekse me të cilat përballet ky segment i popullsisë”, – shprehet Sokol Murataj. 

Po ashtu, shumë sajte kulturore mbeten të paaksesueshme në qytetin e Tiranës, sikurse kalaja brenda qytetit, por edhe në zonat përreth. 

“Problem tjetër pastaj qëndron me sitet e trashëgimisë, me muze të cilët nuk janë të aksesueshme. Bota ka zgjidhje edhe për natyrën, për parqet. Ka rrugë të cilat, me materiale ekologjike, me materiale që nuk dëmtojnë natyrën shtrojnë një rrugicë e cila mund të jetë e përshkueshme edhe për personat me aftësi të kufizuar në mënyrë që të përjetojnë natyrën”, rrëfen Suela Lala. 

Sipas ekspertit të turizmit Zak Topuzi, turizmi i aksesueshëm është një e drejtë themelore për të cilën shumë pak është bërë.

“Tirana ka pasur nisma për të financuar infrastrukturën e nevojshme, por deri tani ka mbetur thjesht në përmirësimet e kalimeve në trotuare dhe sinjalistikë kryesisht në qendër të qytetit duke mos ju dhënë mundësinë e duhur kësaj shtrese qe po vjen duke u rritur”,- tha Zak Topuzi.

Mungesa e infrastrukturës detyron agjencitë të shmangin turistët me aftësi të kufizuar

Për të përgatitur një ofertë turistike, operatorët verifikojnë strukturën dhe vendoddhjen nëse është apo jo e përshtatshme. Në këta rast, sipas Flora Xhemani Baba mungesa e infrastrukturës së akesueshme nga të gjithë, i detyron operatorët të përjashtojnë kërkesat për turistë me aftësi të kufizuar. 

“Mendoj se ata e kanë parë se duke qenë se nuk ka infrastrukturë për këta persona, ose mundohen ta shmangin, ose në qoftë se në grupin e turistëve, mund të jetë një apo dy persona me aftësi të kufizuar, ata ndoshta për të mos e humbur grupin mund t’i japin një asistencë shtesë, ose mund të mos konsiderojnë kostot për personin që i shoqëron. Pra janë gjithmonë zgjidhje alternative në mungesë të infrastrukturës ekzistuese në terren”,- argumenton Flora. 

Sipas Suela Lalës, në Tiranë, hoteleria është disi më e mirë pasi ka hotele që i plotësojnë standardet. 

“Por sitet e trashëgimisë një, natyra dy që ti nuk e përjeton dot nëse je person me aftësi të kufizuar dhe e treta transporti mbeten shumë problematike dhe duhen adresuar”. 

Për Sokol Muratajn, të gjitha destinacionet vuajnë mungesën e infrastrukturës së aksesueshme nga të gjithë. 

“Thuajse të gjithë destinacionet, përfshirë objektet turistike, hoteleritë, dhe transportin publik, nuk janë ende të pajisura me infrastrukturën dhe pajisjet e nevojshme për të lehtësuar aksesin për njerëzit me aftësi të kufizuar. Kjo përfshin mungesën e rampave, ashensorëve të përshtatshme, banjove të aksesueshme, dhe sinjalistikës së qartë”. 

Sipas Zak Topuzit duhet të ketë aplikacione online të veçanta me qëllim që turistët të kenë mundësi të identifikojnë infrastrukturën. Ndërsa mundësitë e Tiranës për të siguruar akses për personat me aftësi të kufizuar janë të konsiderueshme.

“Duhet marrë seriozisht aksesi për këtë shtresë të shoqërisë. Tirana tashmë i ka mundësitë financiare ta ndërmarrë e vetme financimin e implementimit. Taksa e fjetjes që paguajnë turistët (1 euro/turist/nate) do të mjaftonte për ta përfunduar këtë investim, të paktën brenda unazës”. 

Ligji për turizmin i ndryshuar në vitin 2015, përfshin klasifikimin e njësive akomoduese dhe kategorizimin e tyre me yje, pas plotësimit të standardeve. Sipas Zak Topuzit, një nga standardet është edhe aksesi për personat me aftësi të kufizuar.

“Sot jemi akoma në fazën e procesit të klasifikimit të njësive akomoduese. Sot këtë akses e kanë vetëm hotelet si investime  strategjike kategorizuar  me 4-5 yje dhe që i përkasin një marke te huaj të certifikuar (Brand Name).  Do te duhet kohë për të kaluar në fazën finale të kategorizimit me yje të gjithë sektorit të akomodimit për ta pasur detyrim ligjor”, – argumenton Topuzi. 

Për Sokol Muratajn, punë duhet kryer jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në trajnimin e stafit.

“Një sfidë tjetër është mungesa e trajnimit të personelit të sektorit të turizmit në lidhje me nevojat e turistëve me aftësi të kufizuar dhe mënyrën e duhur të përgjigjes dhe ndihmës ndaj tyre. Stafi i paqartë ose i papërgatitur mund të shtojë vështirësitë dhe të pengojë përvojën e turistëve”. 

Deri më tani, nuk ka asnjë politikë konkrete të zhvilluar në drejtim të turizmit të aksesueshëm, me qëllim favorizimin apo gjithëpërfshirjen e personave me aftësi të kufizuar. 

“Edhe nëse do të ndodhin zhvillime të reja në terren do të ndodhin të përgjithshme. Për shembull në pjesën infrastrukturore janë përpjekur të shtojnë bulevardin me shenja për personat që nuk shikojnë. Në këto kalimet e biçikletave mund të kalojnë edhe personat me aftësi të kufizuar ose me mjete lëvizëse ndihmëse, por kaq. Nuk shoh të ketë një politikë apo paketë të mirëmenduar apo të detajuar që t’i japë akses këtyre personave dhe nuk shoh qasje të afërt për të bërë këtë”,- shprehet Flora Xhemani Baba. 

Për Suela Lalën, informacioni për aksesueshmërinë e objekteve apo hapësirave duhet të jepet edhe në faqet online të institucioneve, muzeve, parqeve apo të bashkisë. Ndërsa ajo çka vihet re është mungesa e praktikave të mira apo modeleve udhërrëfyese të ndjekura nga institucionet vendase se si duhet të jetë qasja e shërbimeve për personat me aftësi të kufizuara. 

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje