Fija e flokut

Rea Nepravishta | 07.03.2024 | nyje.al

Koka e një njeriu mund të ketë mesatarisht njëqind mijë flokë, e megjithatë secili njeri që ekziston mbi tokë ka një numër të ndryshëm flokësh nga të tjerët. Të njohësh numrin ekzakt të flokëve të dikujt do të thotë, fillimisht, t’a dallosh atë deri në imtësi si të ndryshëm nga tjetri, të përveçëm, të pazëvendësueshëm. Asnjë i njejtë me tjetrin. Sa kohë i duhet dikujt që të njohë numrin ekzakt të flokëve të dikujt tjetër? Sa përkujdesje? Një kohë e matshme në orë, minuta, a ditë? Po kur ngatërrohen fijet? Si matet vëmendja që dikush jep për të numëruar flokët e dikujt tjetër? Sa këmbëngulje kërkon? Sa vullnet? Sa përqëndrim tek tjetri? Apo ndoshta është thjeshtë një akt rutine, në tulatje e sipër, në një kohë që rrjedh pa rrjedhur? Por në fund të fundit, çfarë shërben të dish numrin e flokëve të dikujt? Nuk është funksionale ndaj asgjëje, as shërben për ndonjë qëllim në shoqëri.  

“Një nënë e njeh ekzaktësisht numrin e fijeve të flokut të bijës a birit të saj,” – thotë psikanalisti italian Massimo Recalcati në një podcast të tij, shprehje e cila është fija narrative që udhëheq këtë rrahje mendimesh. Ai vazhdon duke thënë se nuk është rastësore që këtë imazh e krijon natyrshëm arketipi matern (e duhet theksuar se ai gjendet brenda të gjithë njerëzve pavarësisht gjinive apo të qenit apo jo nënë). Ndaj për t’i hequr peshën e madhe stereotipizuese që mbajnë shpeshherë nënat mbi shpatullat e tyre, në imagjinatën time kam zëvendësuar nënën me një njeri, kushdo qoftë ajo, ai apo ata.  

“Të njohësh numrin ekzakt të fijeve të flokut të tjetrit” është shfaqje e thellësisë së kohës së dedikuar, hollësisë së marrëdhënies, imtësisë, përmasës pa peshë. Brumosja e një hapësire si shprehi e intimes është shtëpia e brendshme që krijojnë fijet e flokut. Na ndodh që dimë të përdorim gjuhën, por na mungon alfabeti emocional. Shpesh jemi analfabetë emocional. Nuk dimë t’i japim formë botës së brendshme përballë një Tjetri të vërtetë prej mishi e gjaku. Vijmë nga një brez prindërish të mbrujtur me ashpërsinë dhe heroizmin arketipik mashkullor të Nënës Parti, që kishte gjithçka prej më të keqes së burrit patriarkal, e asgjë prej arketipit matern së cilit i kishte vjedhur emrin. Vazhdojmë të trashëgojmë një mpirje të aftësisë për t’i dhënë zë shpirtit në formë intime. Disa herë, madje, na del më kollaj të flasim publikisht për ndjenjat në forma megalomano-patetike, se sa të shprehemi drejtpërdrejtë përballë një njeriu që qëndron përballë nesh jashtë reflektorëve publikë. Intimiteti, ndryshe nga Publikja të cilën e zotërojmë mirë, është një sferë që askush nuk na e ka mësuar ta lundrojmë.

Aftësinë për të eksploruar alfabetin emocional e mësojmë fillimisht në shtëpitë ku jemi rritur, dhe kryesisht nga marrëdhëniet me ata që janë kujdesur për ne në vijë të parë që në vegjëlinë e hershme. Më vonë, aftësinë për intimitet të vërtetë e farkëtojmë gjatë gjithë jetës tonë, në një luftë të përhershme me vetveten nëse mundemi t’i zgjerojmë kufijtë tanë për t’a përfshirë tjetrin, apo t’i mbajmë ata mbyllur për t’u mbrojtur prej tij. Arketipi matern (i cili ështe krijuar për shkak se nëna është përkujdesur ndër mijëvjeçarë për fëmijën), e që në fakt ndodhet nga pak brenda të gjithëve ne, është ajo hapësirë ku të numërosh fije për fije flokët e dikujt nënkupton të kushtosh kohë intime me një qenie tjetër, kohë ushqyese për shpirtin. 

“Te njohësh numrin ekzakt të fijeve të flokut të tjetrit” do të thotë që ta njohësh tjetrin deri në hollësinë më të vogël, dhe të ekzaltosh pikërisht veçantinë e tij, të qenit të pazëvendësueshëm nga askush tjetër në bashkësinë kozmike të të gjallëve. Feministja italiane Adriana Cavarero thotë se vetëm nëna e njeh në mënyrë të thellë aktin e lindjes duke filluar nga trupi – si përvoja ku kryhet singularizimi i jetës, dallimi nga një e pafundme e paemërt drejt përvojës së ardhjes në ekzistencë. Shumë pak është folur për këtë përvojë të mishit, të trupit, sepse filozofia ndër shekuj është krijuar dhe ka mbetur në botën e ideve, në një botë abstrakte të krijuar nga burrat dhe për burrat. 

Nuk ekziston dashuria për të përgjithshmen, për masën e madhe gri, adhurimi për të madhërishmen, idenë, e të tjera konstrukte boshe si këto. Nuk ekziston njerëzimi, thotë Sartre, ekziston njeriu i përveçëm. Jacque Lacan e zhvendos më në skaj, kur ai thotë “Nuk ekziston Gruaja” për të shpjeguar se ndërsa burrat rreshtohen kollaj në një masë të madhe gri, gruaja është ajo që del nga rreshti, asnjëherë njëra nuk është e ngjashme me tjetrën, por të gjitha janë të përveçme. Jo më kot heretiket më të qënësishme në histori, shtrigat, kanë qenë gra. 

“Të numërosh një nga një fijet e flokut të tjetrit” ngjet shenjë delikatese dhe privatësie, ekskluziviteti dhe sekreti, një veprim i dalë nga një botë e avashtë, e ngeshme, e mistershme, që nuk i përket më botës së tashme. Një gjest që kërkon shtrirje të kohës, ndërsa bota përreth vazhdon të jetë frenetike. E kundërt me gjithçka që koha e sotme promovon: imazhet vanitoze të rrjeteve sociale, goja e shqyer, zorrët që varen në publik, fshirja e fshehtësisë dhe të panjohurës, venitja e kufijve, zhdukja e marrëdhënies në dy, zëvendësimi me marrëdhënien me një shumësi anonime që ndërsa pasqyron mbrapsht fytyrën e gjithkujt, nuk pasqyron mbrapsht fytyrën e askujt. Ndërsa në të shkuarën intimiteti ishte i ngurtësuar për shkak të turpit, sot është i zvetënuar për shkak të shpërbërjes. 

Pavarësisht rrethanave ku kemi lindur, e pavarësisht jetëve më shumë apo më pak fatlume që na ka qëlluar të kemi, për sa kohë jemi shkëputur nga terri i paemërt dhe jemi singularizuar në këtë ekzistencë, do të thotë se kemi brenda nesh një copëz arketipi matern që na trashëgohet nga thellësia e kohës. Shëmbëlltyra e kësaj përmase “të vogël” të dashurisë është ajo e cila, nëse e shohim, e shohim dhe e shohim vazhdueshëm në sy, mundet të na (ri)bëjë njerëz.    

Imazhi i ballinës: “Pritja”, pikturë nga Elsa Paja

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje