Ditët e bjeshkimit në Gjoçaj

Stani i Ademit shtrihet në një lëndinë malore me lisa të rinj dhe tokë e lagësht. Burimi i ftohtë i ujit brenda stanit e mban atë të fresket edhe në mesditë gushti. Ne na bie të ecim gjatë me të duke na pri shtigjeve. E pyesim herë pas here, me frymë të mekur nga ngjitjet nëse është lodhë. ‘Jo ore, hiç fare’ – na përgjigjet prerazi. E pyesim se çfarë e mban kaq në formë dhe ai na e kthen, po aq prerë: “Në formë më mban vendi këtu, natyra, klima, ajri shumë i pastër, ujë i kristaltë. Asht ujë kurues, këto na mbajnë në formë, ky vend.”. Prin i pari grupin prej dhjetë vetash, të gjithë më të rinj se ai. Kur i vonohemi rrugës, pak nga lodhja, pak nga joshja për të fotografuar çdo copë toke që shkelim, pak nga hutimi nëpër mjedra e boronica, na thërret ‘Hajdeni, rinia’- ndërkohë ‘rinia’ tërheq këmbët pas tij. 

Imazh i natyres ne Zall Gjocaj

Janë dy shtëpiza prej druri, rrethuar me një shtresë të hollë plastike për ta mbrotjur nga era dhe shiu, që mund të strehojnë 10 mysafirë. “Pa u ngushtue”- ia pret Ademi. Ndërtimi i stanit është shumë ekonomik sipas tij, dhe nuk u merr shumë punë çdo verë për ta ngritur në këmbë. Çatia e llamarinës mbron shtrojet nga shiu. Brenda dhomës në stan ka shtratniet e ngrohta për netët vjeshtarake në mes të verës. Ademi ka bërë vend edhe për sendet më të thjeshta por të domosdoshme. Ka një tavolinë, një raft, një pasqyrë. Ka menduar edhe për çengelët se ku varen rrobat. Nën tubin e ujit mban një kovë të madhe në të cilën fut për t’u ftohur kosin dhe pijet për miqtë. Anash tij mban një tavolinë druri të gjatë në të cilën lahen dhe mbahen enët e ushqimit. Kjo zonë nuk ka as energji elektrike, dhe as valë komunikimi. Ademi, ka sajuar me disa dërrasa cepin e tij të lidhjes me botën. Një stol, një tavolinë e ngushtë për t’i bërë vend në cep telefonit të tij. Me shikim të parë, askush nuk arriti t’ia qëllojë me të parën se çfarë ishtë ai vend. “Herë kap, herë s’kapë, por vendin ia kam ba” –  shprehet ai për tavolinën e telefonit. 

Vathët janë përpjetë stanit. Stani i tij sot numëron 19 lopë e viça. Dyzet delet e tij kullotin bashkë me ato të një mikut të tij dikund tjetër. Aktualisht, Ademi u shërben gjithashtu edhe 118 bletëve. Djali i tij, Miri është mjeshtri i kësaj pune, na bën me dije Ademi. Është ai që u rri më shumë gati dhe kujdeset vazhdimisht për to. “Atë nuk e ngacmojnë kurrë” – pohon ai. 

Kur ai mbante kope delesh, dilte me to rrëzë Malit të Dejës e livadheve që ky mal u bën hije para mbrëmjes plot yje. Me një shkop, që nuk ia ka fort nevojën, por më shumë si forcë zakoni, ai ecte dhe kthehej në stan në perëndim. Por prej pak vitesh ai nuk mban më aq shumë dele. Më parë kishte pasur rreth 100 kokë, për të cilat kujdesej një çoban që Ademi e kishte punësuar por prej disa vitesh ai e ka pasur të vështirë të gjejë njerëz që janë të gatshëm të qëndrojnë me të bashkë në mal. Sipas tij, çobanë nuk ka më andejpari. “Është e vështirë me gjetë çoban, s’ka… kanë ik krejt, janë largue jashtë shtetit.”- pohon Ademi. 

Ademi na tregon për gëzimin që ndjenin dikur kur dilnin në stane. Banorët e Zallit të Gjoçajt dhe të tjerë përreth kishin të drejtë të merrnin edhe të tjerë jashtë fshatit në vendet e tyre, nëse donin që verimi të ishte më i bukur dhe më i begatë. 

“Vende ka sa të dush këtu, këtu ka vende jo vetëm për fshatin po edhe për të tjerë… për shembull të parët tanë kishin të drejtë të merrnin edhe njerëz tjerë jashtë fshatit, miq ose dashamirë që kishin bagëti në zonat poshtë”.

Fshatrat e Shqipërisë prej vitesh po e vuajnë shpopullimin, dhe kjo ndihet kudo. Edhe dalja në bjeshkë e vuan tashmë këtë pasojë. Dikur, data 20 Maj e vitit ishte si ditë feste na tregon ai. Ishin të shumta familjet që bëheshin bashkë dhe veronin verën në malet e tyre. Sot, familjet numërohen me gishtat e njërës dorë dhe Ademi e ndjen sa vjen e më shumë mungesën e atmosferës dhe gjallnisë së dikurshme. Megjithatë, ai ndihet me fat që ka ende përqark tre-katër familje të tjera. Familjet ndihmojnë njëra-tjetrën me bagëtinë, kujdesen për qentë nëse dikujt i duhet të largohet për pak kohë, darkojnë e drekojnë bashkë. Pushojnë në hijet e njëri-tjetrit. Bashkëndajnë të mirat që përgatisin mes tyre. 

Stani i Ismet Kolecit është më i afërti me të. Ismeti, bashkë me Suzanën verojnë 3 muajt e verës aty. Teksa i pyesim për punët e ditës ata na tregojnë sesi nuk u bie vakt për të pushuar, nga mëngjesi i hershëm deri në darkën e vonë. Mbajnë një tufë bagëtish të cilat kërkojnë shumë kujdes. Edhe pse kanë shumë nënprodukte qumështi, na shprehin shqetësimin e mungesës së baxhos. Suzana përgatiste djath të freskët, me dhe pa kripë me shije të jashtëzakonshme. Edhe ky stan kishte të menduar çdo nevojë të jetës. Brenda tij kishin vendosur një sobë druri me të cilën gatuanin dhe ngroheshin natën. Më i paktë ishte burimi i ujit te Ismeti, gjë që ia vështirësonte shërbimin ndaj bagëtisë. 

Pak më larg Ismetit dhe Ademit ishte stani i bukur i Haxhi Pashës. Me dërrasa, i vogël dhe shumë i mbarë për të qëndruar, stani i Haxhisë shtrihej në mesin e një lëndine që i bënte hije vetëm mali. Qentë e stanit e nuhatën menjëherë praninë e huaj tonën, ndaj nuk u qetësuan deri sa u dha sinjal i zoti. Në atë zonë, të rrihte era e freskët e muzgut. Haxhia u gëzua për vizitën që i bëmë, teksa na tregoi sesi fëmijët e tij nuk e gjejnë më veten në Shqipëri dhe i kanë emigruar. 

Kështu, Ademi, herë te stani i Ismetit, herë te i Haxhisë gëzohet që ka mundësi të ndajë biseda të shtruara me miqtë e tij. Në pamje të parë duket sikur nuk ka shumë për çka të flitet, pasi jeta rrjedh në një rutinë të sajën, thuajse të rregullt, por po të dëgjosh bisedat e tyre kupton se jeta në stan zhvillohet brenda dinamikave më të gjalla të natyrës e të duhet një mik që t’i bashkëndash. Ato që ngjallin diskutim më të ndezur janë kontakti me kafshët e egra. Ariu është vizitori më i shpeshtë i tyre, që sjell edhe dëme ndonjëherë. 

“Ne jemi mësu me këtë vend, me këtë mal këtu e nuk frikësohemi asnjëherë. Jemi mësu se ka mbi 25 vjet që rrimë këtu. Por ka edhe rreziqe. Rreziku është se këtu vjen ariu. Për shembull para nja dy vjetësh erdh ariu këtu dhe m’i dëmtoi nja dy bletë. Kishte ardhë edhe i kishte dëmtu, i kishte rrëzu dhe e kishte hap se e ndjen erën e mjaltit. Po, me ba me u fut ariu këtu i dëmto bletët krejt. Por na kena mënyrat tona sesi të mbrohemi prej tij. Ariun e frigon shumë drita, apo zjarri. Unë nuk preferoj zjarret, edhe pse mund të kontrollohen kollaj, por përdor një neon të vogël që merr energjinë nga dielli dhe natën ndizet me të ra muzgu. Edhe qentë e stanit na ruajnë shumë.”

Koshere bletesh Zall Gjocaj

Këtë vit Ademi i çoi në stan vetëm bletët më 20 maj, me bagëtitë e tjera kishte marrë rrugën për aty me 20 qershor, pasi kishte mbyllur të gjitha punët në fshat. Jetesa në fshat sa vjen dhe bëhet më rraskapitëse për banorët e Gjoçajt, zona e banimit të Ademit. Përpos të gjitha halleve që ka fshati shqiptar sot, këtij fshati- si shumë të tjerëve – i është marrë burimi i ujit që rridhte në të dy kanionet që rrethonin Gjoçaj, në Kanionin e Urakës dhe të Flimit. Mbajtja e bagëtive është bërë pothuaj e pamundur pasi nevoja për ujë nuk plotësohet me aq pak sa rrjedh as për banorët, të cilët mbushin ujë në burime të tjera të largëta.

Edhe në stane, dukshëm vërehet ndërhyrja e dorës ekocidiale e njeriut dhe (mos)ndërhyrjes institucionale në zonë. Duke përjashtuar hapësirën përreth stanit të Ademit që ka mbijetuar shkak i lagështirës, i gjithë pylli i atij mali është djegur dhe prerë përgjatë viteve 2000. Banorët e staneve na pohojnë se flitet që zyrtarët e pyjeve për të mbuluar mashtrimet me tenderat e rimbjelljes së pemëvë i vinin herë pas herë zjarrin. Ademi rikujton rrugëtimet e tij të hershme për në Lurë, para se të shkatërrohej. 

“Ka qenë një mrekulli e papame përpara se të bëhej kjo masakër…para se të pritej pylli. Ka qënë një vend mrekulli, që s’ka qenë as në vende të tjera të Europës. Po edhe tani, mirë është por sikur duket grupet mafioze dun’ të futen që ta zhdukin këtë vend, ta kthejnë në shkretëtirë. Ta marrin ujin krejt, të marrin dhe drurin, e të gjitha me gjithçka e ta kthejnë në një shkretëtirë të vërtetë.”

“Këtu është Zonë e Mbrojtur, Park Kombëtar nuk lejohet që të bahet asnji punë, asnji gja. Kurse këta s’pysin se a është e mbrojtur a s’është e mbrojtur. Këta vijnë edhe e morin, gjithçka, morin ujin, morin drurin, morin të gjitha. Si të merret uji, këtu kthehet në shkretëtirë të vërtetë…s’ka. Se nuk ka zhvillim kështu… Ne gjithmonë, prej shekujsh, edhe përpara se të bëhej kolektivizimi, gjyshrit, baballarët, këtu me këtë mal kanë jetu, në këtë vend, se s’kanë tjetër pasuri fshati. Sa, kanë shumë pak tokë atje poshtë, dhe gjithë jetën e kanë pas ndërtu mbi bazën e blegtorisë dhe bletarisë, se tjetër s’ka këtu.”

Ademi është i shqetësuar për mungesën e ujit që do ta vuajnë edhe më shumë në të ardhmen në bjeshkë, për shkak se një ndër burimet që rrjedh nga Deja, i quajtur Burimi i Livadhit të Gjonit po merret dhe po futet në tuba për ndërtimin e një ujësjellësi. Bashkë me Ademin dhe aktivistë të tjerë e vizituam zonën në fjalë dhe me sy të lirë shihej që prurjet e tij ishin shumë të pakta. Siç pohonin dhe banorët me ne, ajo rrjedhë do të mbulonte disi vetëm nevojat e staneve, por jo për 20 fshatra të tjerë siç kanë dëgjuar të premtohet nga bashkia e Matit. 

Falë dashamirësisë dhe dashnisë së Ademit për miqtë që i kishin bujt në stan, mundëm të njiheshim më shumë me historinë e malit, që lidhet aq ngusht edhe me qëndresën e banorëve të Zall-Gjoçajt dhe ka histori të tjera rezistence për ta mbrujtur atë kundrejt ndërhyrjeve të shtetit. Ai na tregon sesi në kohën e Zogut, dikush tentoi t’i fuste sharrën Majës së Rojës. Cënimi vazhdoi duke kullotë edhe bagatinë pa leje. Ademi na tregon historinë sesi në atë kohë është ngrit i gjithë fshati dhe i kanë çue një zë Mbretit Zog. 

…U mbledh gjithë fshati, çuen kryeplakun e fshatit direkt te Mbreti Zog dhe i thanë: Na ka dërgu fshati sepse ti na ke fut bagëtitë në malin tonë. Na kanë marrë çobanët e tu edhe bagëtitë, edhe pyllin doni me na e pre se keni vu nj sharrë atje. Na ka çu fshati me ju çue një za, se ne me atë mal jetojmë, s’kemi tjetër pasuri. Tani ndash na gjej vend tjetër që edhe na të jetojmë qetë, se edhe na njerëz jemi si ti… Ty  t’u dha mundësia me u ba mbret, ne jo…e tash ndash na gjej vend që të jetojmë, ndash na u hiq prej malit. Edhe Zogu dha urdhën që urgjentisht të mos shkeli ma bagëti e huaj në Mal të Gjoçaj, edhe sharrën e lanë… nja dy-tre roje të fshatit qëndruen nja 6 muaj pastaj hikën. Edhe që me atë kohë, më kanë thënë njerëz që është edhe në regjistra të shtetit, është i vetmi mal që është mal kolektiv i fshatit Gjoçaj, i cilësum.” 

Në malin e Gjoçajt kishte vend për të gjithë se mali ishte i të gjithëve, kojri e përbashkët- na thotë Ademi. Kojri të ndara kishin vetëm në fshatrat ku jetonin, për periudhën e dimrit. Të zgjedhura me kujdes, me një sistem që shmangte e shmang çdo konflikt të mundshëm që mund te behte ndër ta. 

Ky mal quhet kojri e gjithë fshatit, kurse atje poshtë në fshat kemi kojri që e kanë të ndame sipas fisit. Filan fis e ka kojrinë në filan vend, tjetri në filan vend. Janë lanë kojritë në atë mënyrë që mos të ngatërrohen njerëzit me njëri-tjetrin. Për shembull kojria e fisit tjetër asht lanë afër venit tonë, kurse e jona asht lanë afër fisit atje. Që nesër a masnesër thotë ai atje: “Mos i bjer bagtitë ose mos bje këtu në këtë vend.” I them unë: Si s’më le ti mu atje, a ngjove ti, he ku e ke dhe ti këtu, edhe ti s’ke për të ardh për të shkel këtu. Dhe asht lanë kjo punë që të mos ketë ngatërresa fare. Ka funksionu rregullisht, s’ka pas asnji ngatërresë sepse ato të vjetrit, të  parët tonë i kanë pas nda gjanat ashtu siç duhet, me drejtësi, të barabartë të gjithë, si për veten e tyre.”

Kur e pyetëm për kojrinë dhe ai na tregoi për ndamjen e saj, asesi nuk mund të mos e pyesnim nëse ishin ndesh me rastin e hises së një gruaje në Kujri. Ademi, me shumë kujdes na tha që nuk kanë pasë kështu rastesh, me aq sa mundet me kujtu ai. Por, shtroi se fshati ka tregu solidaritet me gratë në rastet e lidhur me fatkeqësitë.

Kur ka pasë nevojë, mblidhej i gjithë fshati dhe e përkrahnim për me e ndihmu me jetu si gjithë të tjerët”. 

Për t’u rikthyer te dita e Ademit në stan, porsa dielli zë e bie, bagëtitë kthehen vetë, sistemohen në vathë. Në heshtje kryhen punët e darkës. Nata është e pushimit të trupit. Ne mahnitemi teksa shohim qiellin. Kjo pamje na i rrallon edhe më shumë fjalët. Kurrë më parë sytë tanë nuk kanë rrokë aq shumë yje. Afrohet ora e gjumit. Ne zëmë shtratniet. Në të çarat e dyerve prej druri hyn erë e ftohtë dhe tinguj kumonash. Kurrë më e paqtë nuk ka qenë një natë vere me çati të lehtë mbi kokë. 

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje