Bullizmi u denoncua, shteti heshti

nyje.al | 06.01.2023

Vetëvrasja e 41-vjeçares Bedrie Loka, shkaktuar nga dhuna psikologjike dhe shantazhi i vazhdueshëm në rrjete sociale dhe nga familjarë që vinin në dyshim nderin e saj, ka prekur opinion publik në masë. Ditën e djeshme u njoftua një protestë në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë dhe paraditen e sotme qytetarë dhe aktivistë mbajtën fjalët e tyre para medias. 

Dorina Vukaj ishte adoleshentja që thirri protestën dhe ishte ajo që mbajti fjalën e parë, një fjalim të shkruar me dorë në dy anët e një flete të bardhë. Pa eksperiencë në organizime publike, ajo tregoi se ndjesia për të mos qëndruar e heshtur dhe e vetmuar prevaloi. 

“[…] përballemi me sulme nga më të ndryshmet, jo të gjithë mund t’i përballojmë, pavarësisht të dalurit ballë kësaj gjëje. Kjo gjë (bullizmi) na ka ndodhur të gjithëve, qoftë edhe njëherë të vetme, e vazhdon të ndodhë e përsërim madje edhe me ritme më të shpejta. […] Unë dua të them që mos hezitoni apo të keni turp të kërkoni ndihmë. Kjo nuk të bën aspak të dobët.” 

Në fund të faqes ajo gjithashtu shkruante: “Ti nuk je vetëm! Ti je e fortë!”. 

Bedrie Loka kishte denoncuar në Policinë e Durrësit, dhjetorin e vitit 2022, hapjen e një llogarie në rrjete sociale me emrin e saj por pas referimit të materialeve në Prokurori, çështja nuk ka ecur përpara duke i hapur rrugë shantazhit të vazhduar. 

Thirrjet e vazhdueshme për institucionet

Besimi në punën e institucioneve që kanë detyrë mbrojtjen e qytetarëve është i ulët mes aktivistëve që protestuan sot. Luana Myrto, aktiviste e çështjeve gjinore dhe komuniteteve të skajuara, deklaroi se policia e vendit tonë është krejt jo-serioze në trajtimin e denoncimeve të dhunës.

“[…] institucionet shtetërore si Policia e Shtetit, proces-verbalet dhe denoncimet tona i përdor si letra për të shënuar pikët e një loje me letra bixhozi, teksa ne na përkthehen si letra lajmërimi vdekjeje.”

Edhe Dorina Vukaj i bëri thirrje institucioneve të trajtojnë me seriozitet denoncimet e qytetarëve që kanë të bëjnë me kërcënimet apo shantazhet në rrjet dhe të dërgojnë para drejtësisë jo vetëm autorët e ngjarjes së 41 vjeçares në Durrës, por të gjithë të akuzuarit në denoncimet e patrajtuara. 

Në lidhje me humbjen e jetës së Bedrie Loka, forcat e policisë kanë arrestuar sot bashkëshortin e saj, Xhemal Loka, si të akuzuar për ushtrim dhune në familje dhe gjithashtu bëri të ditur se hetimet rreth shantazhit të ushtruar ndaj 41 vjeçares në rrjetin social TikTok vazhdojnë.

Po në vijim të veprimeve të thelluara janë kryer një sërë veprimesh të tjera procedurale me qëllim dokumentimin e plotë të shkakut që detyroi shtetasen B. L., të konsumonte lëndë helmuese.

Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet e thelluara me qëllim zbardhjen e plotë të shkakut që detyroi 41-vjeçaren të konsumonte lëndë helmuese, nga e cila për pasojë humbi jetën.   

Gjithashtu, nga strukturat e specializuara për  Hetimin e Krimeve Kibernetike po kryehen veprime hetimore intensive për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore autorin/en e keqpërdorimit të të dhënave të shtetases B. L., në rrjetin social “Tik Tok”.”

Ndërkohë ditën e djeshme Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, shpërndau një video-mesazh në të cilin pranonte rolin e rrjetit social TikTok në shpërndarjen masive të gjuhës së dhunës dhe ushtrimit të saj, por kërkonte bashkëpunim përtej institucioneve për të gjetur zgjidhje dhe për të garantuar siguri në komunitet. 

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje