Me zemrën plot

Aurora Leka | 19.12.2017 | nyje.al
“Hajde njëherë hajde”- më thërret baba nga dera teksa më sheh që po bëhem gati të dal. I buzëqesh. Afrohem. Ngjitur me shtëpinë është baraka. Në verandën e saj janë derdhur pa asnjë lloj kujdesi një turre e madhe drush. Në njërin krah janë vendosur tre fuçitë për përgatitjen e lëndës së parë për raki. Ka tre dhoma. Njëra është kthyer në hambar për barin e lopës, në tjetrën ka lloj lloj mrrokullash mes të cilave edhe biçikleta ime, në tjetrën digjet rakia.

E gjej duke vënë kazanin në zjarr. Halla e ndihmon në izolimin e tij duke i lyer rrethin me brumë buke. Pasi shkëmbejmë pyetjet e zakonshme i them se dua t’i bëj një foto. Ia shpjegoj se për çfarë më duhet, i marr dhe lejen e publikimit. Ai më thotë duke qeshur, me një të qeshur me shpirt, se nuk duhet ta nxjerr me këto rroba. I them që raki po djegim, e rakia nuk digjet me kostum. Atëherë ai merr gotën që e ka aty pranë e dorëzohet si para tekave të një fëmije. Nana vë pak buzën në gaz nga e gjithë kjo e nderkohë palos në një napë ca gjethe molle. Pasi i paketon, këtë masë e vë në kullonjësen e kovës ku mbi të bie direkt currili i nxehtë i rakisë. Baba djeg prej shumë e shumë vitesh raki, tashmë duhet të jetë berë “ekspert”. Dhe rakia e tij ka një ngjyrë që së kam parë askund. Mente…një mente të lehtë.
-“Kështu e kemi bërë përherë ne, edhe atje në fshat, “-thotë baba, “ gjethja i jep aromën e mollës dhe e bën edhe më të bukur, por kështu e bëjmë vetëm për shtëpinë tonë. Po të duam ta shesim e bëjmë si gjithë të tjerët, sepse njerzit kujtojnë se çfarë është. Shpesh mendojnë se është vaj ulliri” – shton baba teksa mbush një qese me gështenja.
-“Merri këto me vete”- e përmbyll ai rrëfimin fjalëpakë. Më ndihmon të nxjerr biçikletën e unë shkoj. Me zemrën plot.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje