Ndonjëherë, ende e imagjinoj veten në teatrin Oda me ata
24.07.2023 | nyje.al
Sara udhëton nga Londra në Prishtinë, me një fluturim të humbur ndërmjet. Gjithë ngarendja e saj vjen për hir të përjetimit të një sprove të re e cila do ta ndihmonte të shtynte më tej kufijtë e një gjuhe konvencionale. Ajo kërkon një tjetër mënyrë të shprehuri, ndryshe nga anglishtja e përditshme, me të cilën flet, por që i duket sikur nuk përçon asgjë personale, emocionale, të sajën. Me origjinë shqiptare, por lindur në Itali dhe jetuar në Angli, te gjuha shqipe ka projektuar dhe provuar një ndjesi lirie. Punëtoria e poezisë në festivalin ndërkombëtar të letërsisë Polip duket sikur i premton një lidhje të re mes vetes dhe shkrimit.
Mëse dy muaj prej ceremonisë hapëse të Polipit, po i kthehemi asaj çka ka mbetur si ndjesi dhe kujtesë afektive te disa prej autoreve pjesëmarrëse në punishten e shkrimit krijues me poetin dhe fituesin e çmimit Pulitzer Gregory Pardlo.
“Njihni temat dhe subjektet drejt të cilave gravitoni kur shkruani; njihini mirë, që të mos keni nevojë të prisni që t’ju vijë frymëzimi”, – kjo është ajo që Sara Boçi perifrazon nga leksionet e Gregory Pardlo. Sipas saj, poezisë i lipset një nivel i lartë empatie për t’u ndjerë dhe për t’u kuptuar. Poezia që ka bashkëndarë me të tjerët në Polip, ka ardhur pas një kohe të gjatë bllokimi në krijimtarinë e saj. Si pasojë e kësaj, është hedhur te fotografia surrealiste, e cila gjithsesi nuk qe një medium përmbushës për të. Kërkonte medoemos t’i kthehej tekstit.“Punishtja më kujtoi që poezia është të duash dikë aq shumë deri në drobitje, teksa kërkon një gjuhë ftuese për tjetrin duke i lënë hapësirë atij, me gjithë tëhuajësimin e vet,”- shprehet ajo. Procesi kreativ i të mësuarit në grup, sakaq i ka mundësuar miqësim me të tjerët: “Një ndër dhuratat më kuptimplota që mund të kem marrë ndonjëherë është përkthimi i poezisë sime nga anglishtja në shqip prej Saranda Mehmetit, pjesëmarrëse e së njëjtës punishte. […] I bëra të gjithë miq të mirë, dhe në gusht parashikoj të rikthehem e t’i takoj. Ndonjëherë ende e imagjinoj veten në teatrin Oda me ata…”
Daniela Gjopalaj është poete dhe prej vitesh angazhohet në punishte të shkrimit krijues e kryesisht poezisë. Me një përvojë të tillë në sfond, ajo pohoi se “punëtoritë në vetvete janë një metodë shumë e mirë për të mësuar diçka në mënyrë praktike, e për ta kuptu më në esencë.”
Për të ngjashëm ka ndodhur edhe me punëtorinë e poezisë me poetin amerikan Gregory Pardlo.
“Veçse, metoda ishte më e pazakontë, pasi nuk u fokusuam në zbërthimin “mekanik” të poezisë, por tentuam të hapim shtresat e të shkojmë në esencë, në atë që donim të shfaqnim (apo të fshihnim), por as vetë poeti nuk ishte i vetëdijshëm. Kështu, seancat e punishtes ngjanin shumë me analiza psikologjike të procesit poetik, dhe na bënë të reflektojmë dhe të kuptojmë arsyet pse shkruajmë poezi. Gregory na tha, “nëse kuptoni arsyen reale se për çfarë doni të shkruani, atëherë mund të shkruani jo një, por disa poezi (të mira).” Metoda e Gregory-t bëri që eksperienca të kalonte përtej një punëtorie të thjeshtë, të kishim një reflektim me veten tonë, dhe ne pjesëmarrësit të krijonim një lidhje shumë të ngushtë me njëri-tjetrin, a thua njiheshim prej kohësh. Prej punëtorisë dolëm me një qasje të re për poezinë, që personalisht po e eksploroj ende.”
Anxhelas poeticitetin fillimisht ia kemi njohur në pikturë, por ajo kërkon ta sprovojë veten edhe në poezi. Sakaq, ajo çka Anxhela Pipero bashkëndan me ne shkon përtej procesit vetmitar të shkrimit e krijimit, dhe thekson karakterin relacional që, mesa duket, për të është po aq i rëndësishëm në krijimtari:
“Mbi punëtorinë e shkrimit kreativ kam shumë për të thënë… dhe jo vetëm unë, por besoj të gjithë ata që morën pjesë. Fjalia e fundit që ndava me gjithë grupin dhe Gregory-n ishte se unë nuk mundem të piketoj momentin kur ne ndaluam së qenuri ‘të huaj’ për njëri-tjetrin. Për mua, e gjithë ajo punëtori ish në vetvete kultivim i empatisë për tjetrin dhe veten.”
Nga punëtoria e shkrimit krijues, Maj 2024, Prishtinë, fotografi nga Anxhela Pipero
Siç është pohuar vazhdimisht me zhvillimin historik të Polipit, festivali ndër vite ia ka dalë që të tejkalojë kufijtë e rajonit, duke sjellë autorë dhe artistë nga skena të tjera artistike ndërkombëtare. Në këtë edicion i pranishëm ishte poeti dhe studiuesi Gregory Pardlo, autor i një serie vëllimesh poetike, ndër të tjera “Spectral Evidence” dhe “Digest”. Ai drejtoi punishten e shkrimit kreativ në të cilën morën pjesë autorë të rinj nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut përgjatë datave 14-19 maj. Pavarësisht se zanati i letërsisë mund të thuhet se klasifikohet ndër ato aktivitete që mjeshtërohen në vetmi dhe të shkruarit mund të presupozohet të jetë, kryesisht, akt vetmitar, programi i punëtorisë më shumë sesa në teknika të shkrimit, u përqendrua tek interpretimi i poezive të njëri-tjetrit. Gregory Pardlo-u, për zhvillimin e punëtorisë, theksoi se:
“…pjesë e bisedës sonë ka qenë përpjekja për ta shtyrë poezinë drejt imazheve më konkrete dhe shpërfaqëse. A jeni e mendimit se poezitë tona ishin në fillim më të ndrojtura?! Po. Një pjesë e konsiderueshme e punës që kemi bërë ka qenë gjetja e domethënieve të shtrira nën, si të thuash, sipërfaqen e kuptimeve.”
Por edhe për veçantinë e të zhvilluarit të punëtorisë së shkrimit kreativ në Kosovë, ai shton:
“… Kam udhëtuar bukur shumë në Karaibe, Xhamajka, Barbados dhe Londër. Rreth e përqark Shteteve të Bashkuara po ashtu. Dhe aktualisht jap mësim, më së shumti punëtori shkrimi kreativ, në universitet në UAE (Emiratet e Bashkuar). Kështu që, e ushtroj këtë veprimtari prej një kohe të gjatë tashmë. Por kjo nuk është hera e parë në këto anë të botës… gjëja që kam zbuluar se më intereson këtu është se sa shumë të ngjashme janë përvojat tona. […] Në këtë mënyrë, jo vetëm që po frymëzohem nga konteksti kulturor këtu, por edhe po mësoj prej tij bukur shumë për kontekstin tim kulturor. Një mënyrë kjo për ta parë situatën time nga një perspektivë tjetër. Kështu, njëmend ka qenë një përvojë ku kam njohur veten time më mirë përmes tjetrit.”
“polip që sjell botën në Prishtinë”
Festivali Polip zë fill në vitin 2010 nga dëshira për të ndërtuar hapësira alternative dialogimi kulturor përtej tensionimeve politike mes Kosovës dhe Serbisë, duke punuar fillimisht me artistë të dy vendeve në poezi dhe përkthime letrare. Ndër ngjarjet nistore me rëndësi si efekt i këtij organizimi vlerësohen publikimet e dy antologjive me poezi nga autorë nga Kosova dhe Serbia, respektivisht “Nga Prishtina me Dashuri” dhe “Nga Beogradi me Dashuri”, të cilat krijuan mundësi që autorët e dy vendeve të njiheshin edhe më gjerë në rajon. Polipi ndër vite i ka kushtuar vëmendje temave politike dhe kontekstit specifik të tyre në të cilin merrte jetë edicioni vjetor. Me vetëdijen që letërsia nuk jep zgjidhje praktike të çështjeve të mëdha, Polip-i gjithsesi ka insistuar në hetimin kritik të proceseve politike dhe kulturore, çështjes së Kosovës në raport me politikat europiane, temës së krizës së emigrantëve, konceptit të ekzilit dhe letërsisë “së shpërngulur”, apo konceptit të shtëpisë në situatë luftërash dhe konfliktesh.
Në fillesat e veta të vitit 2010, Polip-i, nën konceptimin e Jeton Nezirajt dhe shkrimtarit serb, Saša Ilić-it, ishte një urë lidhëse mes letërsisë së Kosovës dhe Serbisë, një “pajtim letrar” – siç shprehen themeluesit. Në tekstin e shpalljes së edicionit të vitit 2012 shkruhej se “festivali ndërkombëtar i letërsisë Polip 2012 shkon përtej kornizës së një festivali letrar… është më shumë për zgjerimin e botëkuptimit të proceseve të ndërtimit të paqes dhe besimit, në një rajon veçanërisht të traumatizuar, dhe mes shoqërish që kanë vendosur të jetojnë dhe të kurojnë traumat e tyre të ndarë e të veçuar, pa u përpjekur me e artikulu të shkuarën e tyre traumatike dhe pa empatinë për Tjetrin.”¹ Kjo praktikë është mbajtur gjallë për shumë vite me radhë, paçka historikut të zhvillimit të tij. Po flasim për një periudhë me sfond të tensionuar politiko-historik, në të cilën shfaqja e një ure letrare në formë festivali, shihet më shumë si një akt politik, sesa si një risi kulturore.
Dashamirë të letërsisë si Neziraj, Ilić-i dhe Alida Bremer-i, nën besimin se arti dhe letërsia shkojnë përtej nacionalizmit, konfliktit dhe traumës, sollën këtë format si një ftesë për shkëmbimin rajonal kulturor. Por edhe, siç shprehet Neziraj “… për me i lidhë ato ura që dikur kishin ekzistu në kohën e ish-Jugosllavisë, dhe që ishin ndërpre për një periudhë të gjatë”. Në këtë kuptim, sugjerohen vendosja e marrëdhënieve rajonale por edhe diakronike me “… të shkuarën jugosllave, pranimit të kompleksitetit të saj dhe eksplorimi i trashëgimisë së saj, Polip-i nuk mbush vetëm zbrazëtitë gjuhësore dhe gjeografike, por edhe ato kohore, ato të kujtesës kulturore”². Diçka që, sipas këtij interpretimi, për 2010-n, mund të shihej si një luhatje mes inercisë dhe nostalgjisë. Artikulimi i një qëllimi pajtues mes dy shoqërive të armiqësuara nuk është lënë pa u shoqëruar edhe me kritikë lokale lidhur me nuancat e presupozuara jugo-nostalgjike. Qëllimi përtej letrar për t’i adresuar padrejtësitë dhe pabarazitë politike me mjete të pajtimit kulturor rrezikon ta reduktojë politikën në efekt të mungesës së dialogut kulturor mes dy shoqërive, duke rrezikuar kështu depolitizimin e Çështjes së Kosovës përmes kulturalizimit të marrëdhënieve/mosmarrëdhënieve Kosovë-Serbi³. Megjithatë, në mënyrë të vazhdueshme, festivali ia ka dalë me hapë çështje të rëndësishme të memories kolektive, dhe ndër të tjera rezistencës feministe në lëvizjet underground të viteve ‘80 për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, dhe po aq për t’i bërë jehonë krijimtarisë poetike të ish-burgosurave politike, pjesë e lëvizjes Ilegalja (edicioni i vitit 2016).
Sakaq, ky vit ka shënuar një rikonceptim të formatit të Polip-it, për të cilin Jeton Neziraj, bashkëthemelues i festivalit, drejtor ekzekutiv i Qendrës Multimedia dhe dramaturg, shprehet: “… vjet u ulëm dhe patëm një diskutim të sinqertë me të brendshëm, ne, por edhe me shkrimtarë, mysafirë të jashtëm rreth këtyre dilemave që kishim: A duhet ta ndërpresim këtë festival? A duhet ta reformojmë? Çka duhet të ndryshojmë? A ka kuptim ta organizojmë këtë festival në një format të atillë? – Një ndjesi që na kishte buru prej tri viteve të festivalit të organizum në një rrethanë të jashtëzakonshme. Dhe si rezultat i diskutimeve, pati ide të shumta, ide interesante, se si të zhvendoset festivali jashtë objektit, të kthehemi te rrënjët e fillimit ku festivali është organizu nëpër kafene dhe në ambiente jonkonvencionale, që të përfshijmë më shumë të rinj… Ndërkohë që thamë, okej, çfarë mungon këtu? Në çfarë drejtimi duhet të shkojmë? Edhe vendosëm të krijojmë një lloj Hub-i, si çerdhe artistike, ku e hapim festivalin jo më vetëm për letërsi dhe për shkrimtarë, por thjesht edhe për mediume të tjera, për forma të tjera artistike, për profile të ndryshme të artistëve dhe për njerëz që kanë ide, por nuk kanë një platformë; ose për artistë të rinj që kanë një ide, por nuk janë të sigurt a ka me funksionu, a mund të dështojnë”.
Tema e festivalit të këtij edicioni ishte “Rruga e kujtesës”, për të reflektuar mbi 13 vite të festivalit, por edhe për të eksploruar marrëdhënien e artit me kujtesën: si projektohet në të ardhmen dhe si ka ndikuar të shkuarën. Festivali u çel me konsultimet poetike, në të cilën skena u mbush me aktorë që lexonin poezi në forma dialoguese me njëri-tjetrin, në gjuhë të ndryshme dhe nga autorë të ndryshëm. Konsultimet poetike u organizuan në bashkëpunim me Théâtre de la Ville, Paris dhe Teatro della Pergola, Firence. Një performancë e gjallë që u pasua nga shfaqja muzikore e Linda Rukajt dhe Armend Xhaferit.
Një prej ditëve të festivalit u zhvillua paneli i diskutimit “Pse drama” me pjesëmarrës Željko Ivanović, Eli Krasniqi dhe Saša Ilić, nën moderimin e Alida Bremer, të cilët folën për veprat e tyre përkatëse në gjininë e dramës. Ky diskutim pruri në vëmendje anën teknike të gjinisë së dramës; mekanizmat krijues; marrëdhënien e dramës me skenën dhe filmin; si dhe, drama në kontekste të caktuara historike. Nën premisën se dhimbja ka nevojë të ketë dëshmitarë, Eli Krasniqi paraqet dramën e saj, “Citycide”, e ndërtuar në një formë dialogu mes personave që ndajnë historitë e tyre të humbjes. Ivanović, dramën e tij e vendos në një senatorium të çmendurish, në të cilin mbreti ngatërrohet me një shkrimtar vetëm pse kanë ngjashmëri fizike. Dhe Ilić, na sjell socialistin e fundit të vërtetë të Europës, në kushtet e vdekjes të së majtës apo shpërfytyrimit të saj, i cili lë pas një vepër që mishëron dëshirën e tij për të ndryshuar botën. Pjesë nga këto drama u lexuan dhe interpretuan në skenë.
Rëndësinë dhe domethënien e këtij programi dhe Polip-it për autoret, Eli Krasniqi e vlereson: “… për mu Polip-i ka qenë, edhe mbetet streha e letërsisë. Falë Polipit, falë njerëzve si Jeton Neziraj, më kanë shty me dalë në sipërfaqe si shkrimtare, pavarësisht që kam fillu me shkru shumë herët, por nuk kam botu. Përmes Polip-it, unë kam taku shkrimtarë e shkrimtare të tjera, të cilët më kanë frymëzu shumë përtej programit që Polip-i ofron. Takimet me shkrimtarë e me shkrimtare, bisedat në pauza të kafeve së mbramjeve, kanë qenë tepër të vlefshme për mu, kanë kriju miqësi, kanë kriju ura, kanë kriju do hapësina, horizonte që unë s’i kam pa ma herët, sepse unë jam antropologe dhe kryesisht aty jam e përqendrume. Ndërkaq, përmes Polip-it, m’u kanë hapë ato horizonte me shkrimtarë e me shkrimtare që s’i kam hasë ma herët. Polipi e sjell botën në Prishtinë.”
Tjetër aspekt kontekstual që e thekson edhe më shumë rëndësinë e këtyre prurjeve e flukseve botërore në Kosovë ka qenë mungesa e liberalizimit të vizave deri në janar 2024, dhe i vështirësive në depërtimin e trendeve të reja në sferën kulturore si shkak i lëvizjes së cunguar jashtë vendit. Kështu, Polip-i ka ndihmuar në thyerjen e barrierave dhe komunikimin rajonal pavarësisht kufizimeve gjeo-politike.
Më tutje, Neziraj nxjerr në pah edhe një element tjetër ku Polip ka dhënë një kontribut të vyer: “… ka qenë një platformë që u ka mundësu krijuesve me vu lidhje ndërmjet veti, me botues të ndryshëm. Ka qenë një hapësirë promovuese, sepse plot shkrimtarë prej këtu e kanë nisë, si me thënë, karrierën e tyre, jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit. Hapësirë që e ka promovu edhe letërsinë e Kosovës, sepse janë realizu disa botime që kanë pasë si fokus letërsinë e Kosovës. Për shembull, një revistë greke në dy numra të saj e ka tematizu letërsinë e Kosovës; një revistë sllovene po ashtu, tu nis prej Polip-it. Mandej revista të ndryshme në Gjermani, në Austri kanë botuar autorë që i kanë njoftë në Polip. Pra roli ka qenë, besoj i randsishëm dhe i domosdoshëm për një peridhë – një periudhë ku ai kriteri i vlerave ka qenë akoma tuj u formësu…”
Në lëmin e zhvillimeve të sotme të kritikës letrare, e cila në pjesën më të madhe të saj zhvillohet në formë studimesh (të kufizuara kryesisht tek autorët e traditës) ose si vlerësime që nuk ia mbërrijnë nivelin e kritikës, dhe në një mjedis i cili nuk ofron larmi aktivitetesh dedikuar ekskluzivisht letërsisë, pos panaireve dhe promovimeve të librit, festivalet letrare dhe punëtoritë e shkrimit krijues, përbëjnë një risi. Ato lirojnë hapësira ku mund të zhvillohen marrëdhënie mes autorit e lexuesit, autorëve mes tyre, por edhe të vetë autorit me artin e tij. Polip-i është ndër ato festivale që vendos një shembull për hapësirat shqipfolëse se si duhen nderuar dhe zhvilluar artet dhe letërsia.
1.Përkthimi në shqip nga redaksia
2. Natasha Tripney: Sea of Change; 12 editions in 13 turbulent years: 2010-2022, Qendra Multimedia, Prishtinë, 2023, f. 173. Pjesa e cituar e përkthyer nga redaksia.
3. S. Žižek and A. Hamza, From Myth to Symptom: The Case of Kosovo. Prishtinë: Kolektivi Materializmi Dialektik, 2013