Zëra nga lumi në Sheshin Skënderbej

Zërat që vijnë nga lumi Flim flasin për rezistencën e banorëve të Zall Gjoçaj prej pesë vitesh tashmë, por ato mbartin edhe gjuhën e rezistencës së vetë lumit, flasin për pyjet, për bletën, për troftën, për shpendët dhe për të gjitha ato gjallesa që nuk frymojnë më në atë zonë për shkak të shkatërrimit që vjen nga bashkëpunimi ‘firma private – shtet’. Filmi dokumentar “Zëra nga Lumi” me regji të Lorin Terezit (mbështetur nga LëvizAlbania) u projektua para disa ditësh në sheshin Skënderbej në kuadër të fushatës “Shqipëria është Biodiversitet”, nismë e përbashkët e organizatës mjedisore PPNEA dhe fondacionit të gjelbër HBS Tiranë, në koordinim dhe suport me një sërë organizatash, vullnetarësh dhe institucionesh të tjera. Kjo ndërhyrje në mes të kryeqytetit, vjen ndër të tjera, edhe si kundërpërgjigje ndaj një hapësire urbane të betonizuar, dhe kritikë e nënteshme ndaj politikave shtetërore neo-liberale të privatizimit, si shkaku kryesor i shkatërrimit të pasurive kombëtare natyrore. Sheshi, me këndet e veta informuese, me projeksione, me mozaikun e artistit Kleidi Eski, si dhe zëra nga disa  komunitete të angazhuara, prej disa javësh është më afër përpjekjeve të lëvizjeve mjedisore në Shqipëri.

Banorët e Zall Gjoçaj patën mundësinë të shpërfaqin nëpërmjet dokumentarit të tyre përpjekjen pesë vjeçare për mbrojtjen e lumit Flim dhe Parkut Kombëtar Zall Gjoçaj. Në përfundim të projeksionit ata vazhduan bisedën me publikun e pranishëm. Ndër të tjerë, Sali Koleci mori fjalën për të ndarë me të tjerët atë çka për të nënkupton ky film dhe rëndësinë për ta theksuar se beteja e mbrojtjes së Zall Gjoçaj është betejë kundër shtetit. Ai shprehet siç vijon:

Ju falenderojmë shumë për pasqyrimin e realitetit tonë. Kjo hapësirë e ofruar dhe kjo platformë është një kontribut për fshatin tonë dhe për të gjithë zonën. Këtu nuk është vetëm zëri i këtyre banorëve që dëgjohet. Është zëri edhe i atyre shpendëve që kanë mbetur pa ujë, është zëri i të gjitha kafshëve që s’u kanë lanë pikë uji në shtratin e lumit. Është zëri i troftës që u zhduk nga ai lum. Ky film ka brenda tij shumë zëra. Pavarësisht se ne, njerëzit kemi mundësi t’i shfaqim, dhe gjallesat e tjera jo. Ne që kemi jetuar dhe që jemi plakur aty, ne e ndjejmë shumë mungesën e atyre. Sidomos të troftës që unë e kam pasë 20 metra larg shtëpisë sime. Por e ndjen mungesën e atij lumi edhe ajo tokë, që është kthyer në shkretëtirë. Jo veç ajo tokë është kthyer në shkretëtirë, por është kthyer i tillë i gjithë fshati dhe e gjithë zona. Megjithatë, përpjekjet tona për ta fitu këtë betejë do të vazhdojmë deri sa të kemi jetë.

Sali Koleci thekson se kjo betejë ka qenë shumë e vështirë pasi kanë pasë shtetin kundër:

Nuk është betejë e lehtë, siç e patë edhe në këtë dokumentar, nuk është betejë e lehtë. Sepse ne nuk e kemi betejën me një njeri, a me një person. Ne jemi në betejë me shtetin, sepse shteti i ka dhënë këto leje. Nuk është se ka ardhë një njeri aty dhe ka ba siç ka dashtë. Edhe në kohën e Mbretit Zog nuk e kemi lanë as atë që të vejë sharrë aty. Për t’u shpallë Park Kombëtar, e ka mbrojt ai popull! Nuk e ka mbrojt qeveria, jo. Se qeveria e zhduku Parkun Kombëtar të Lurës dhe sa parqe të tjera kombëtare janë zhdukë nën hundën e qeverisë. Por, që të bëhej Park Kombëtar Zall Gjoçaj, e kanë mbrojtë vetë banorët. Edhe tashi, e shpallën Park Kombëtar në krah të banorëve, të cilët sot po i sulmojnë. Ne na vjen habi se në vend që t’i stimulosh fshatarët, ti i sulmon dhe po u merr një pasuri që ua ka dhënë natyra. Ajo është pasuri që na e ka dhënë natyra, nuk na e ka dhënë shteti. Shteti nuk ka asnjë kontribut në të. Ajo është një pasuri që kemi mbrojt vetë dhe mbi bazën e atij lumi, është ndërtuar jeta brez pas brezi e atyre fshatarëve.

Dhimitër Koleci, një ndër aktivistët më të zëshëm të Zall Gjoçaj tregon për betejat ligjore që janë nisur dhe po vazhdojnë ende në mbrojtje të këtij parku. Ai përmend dhe ndryshimet e  fundit të kufijve në hartat e zonave të mbrojtura, ndryshim që ka prekur edhe zonën e Zall Gjoçajt, duke i hequr hapësirën ku është ndërtuar hec-i nga sipërfaqja e zonës së mbrojtur.

Ndryshimi i hartës është bërë për të shpëtuar betonin, mafien dhe oligarkët që shkatërrojnë pasuritë kombëtare, me një VKM e cila është në proces gjyqësor. Nuk do të ndalemi derisa drejtësia të vejë në vend. Deri sa uji t’u shërbejë njerëzve dhe natyrës. Beteja do të vazhdojë, po qe nevoja edhe në gjykatat europiane. Banorët e Zall Gjoçajt janë heronj. Siç e patë edhe në dokumentar, ata janë shumë të organizuar edhe pa përkrahjen e gjerë të mediave kombëtare dhe shtetit. Ka qenë e lodhshme, ka qenë e vështirë të përplasesh me firma të tilla dhe investime të tilla, sidomos për banorët e zonave të varfra e të thella. Por, jemi krenarë për këtë që kemi bërë dhe po qe nevoja me e përsërit këtë betejë, do ta kishim përsërit.

Abdi Toçi, që gjatë këtyre viteve nuk ka lënë asnjë takim, seancë, tubim pa qenë i pranishëm, dhe gjithmonë me diçka të shkruar për ta ndarë me të tjerët, thekson se në këtë betejë kundër korrupsionit dhe kriminelëve të ujit, kanë pasur përkrahjen e nënave, të motrave, të vellezërve, të emigrantëve, të aktivistëve, të gazetarëve dhe të banorëve të zonës. Por krahas kësaj pranie mbështetëse, ai kujton humbjen e shumë njerëzve të dashur, të cilëve mund të mos u kenë qëndruar afër për shkak të angazhimeve në lëvizjen për mbrojtjen e Parkut, por u  drejton premtimin që ata të prehen të qetë se “vendlindjen dhe pronën do ta mbrojmë deri në vdekje”.

nyje.al | 18.10.2023 

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje