Aurora Leka | 22.09.2018 | nyje.al
Në rrugën që ndan mespërmes Bathoren, pasi kalon pemët e mëdha në hyrje që rrinë gjithë vitin të gjelbëruara, në krahun e djathtë, mu në derën e një shtëpie trekatëshe, në një skelet druri varen 10-15 çifteli, lahuta e sharki.
Goditja e një çekiçi dëgjohet në ato çaste kur nuk kalojnë makina. Pastaj tinguj të sforcuar muzike. Nën hijen e hardhisë së rrushit, në një skutë të oborrit, Zef Rustemi gdhend çiftelinë e rradhës. Ulur në një stol druri, i rrethuar plot e përplot me ashkla, ai po laton formën e saj. Që në vitet ’60 kur ishte 15 a 16 vjeç ai merret me zdrukthtari. Punon jo vetëm vegla muzikore por edhe mjeshtëri te të tjera si dyer, dritare, tavane prej druri, tavolina etj..
Dikur në Lekbibaj të Tropojës punonin familjarisht ai, e shoqja, prindërit dhe tetë fëmijët. Edhe pse në profesion ka shërbyer si elektriçist i fshatit, ai shumicën e kohës punonte në shtëpi në mënyrë private. I njohur atje në fshat ai gdhend çifteli edhe per këngëtarë në zë.
“Kur ishna ka punoj në Grykë të Dragobisë, ardhke Fatime Sokoli e thanke bama nji çifteli. E ja pata ba dhurat. Edhe Enver Hoxha i dha nji radio. Nji radio tet mijë lekshe me bateri. Aq ishte ather nji radio…8 mije lek s’mun i marrke me kan i zoti, jo ma n’koperativë me 30 lek diten e puns”, kujton Zefi.
Djerrun në ’98-ën në Bathore, çdo gjë të shtëpisë ai e ka bërë vetë. Edhe atëherë kishte një zdrukthtari të vogël në oborr. Tani për kollaj merret vetëm me veglat muzikore. Të carat në duar flasin vetë. Pret që në shtator të këtij viti të operojë dorën e majtë të dëmtuar prej gdhendjes me dalta e leva. Sepse për të bërë një çifteli, druri duhet të gdhendet nga jashtë, pastaj të grryhet hollë nga brenda, të çahet me kujdes, t’i vihet bishti, t’i vihen telat dhe perdet.
“Mos me kan qito perde nuk mun i bje… kto nxjerrin tingujt. Me celular ja noj… ather ja nojsha me vesh, edhe ma mire se celulari. A zor me e nue n’dyzen se duhet me pas vesh.”
Modelet i krijon vetë. Diku me ngjyra e diku me të djegur. Mbizotërojnë shqiponjat. Druri duhet me qenë i zgjedhur e i mirë. Ia sjellin nga larg disa të njohur. Kryesisht dru qershie, mani, vidhi… e më rrallë plepi, se plepi nuk është dhe aq i lezetçëm.
Zefi ka kryer shkollën e mesme elektrike. “E kam pa vazhdue n‘koh t’partis punës. Ma e egër e ma e zorshme s’ka pas si me kan… me than realitetin ma spari. Atje ku e kam pas shpin un, s’ka pas shkollë. Në rrasa guri kam msue vetë… fët fët fët… Kur kam pa vot ushtar e kam pas marr sikur nji fillore. Lexojsha libra e botime n’ushtri. I marrsha n’librari. Gjasht libra me lexue, marrshe nji shenj qtu në xhaketë, mik i librit u qujke. Ama un lexojsha për qef, jo me mor titullin… kurse çifteliat vetëm i kam ba, s’jam kan fort marakli me i ra, nuk me lejke as puna, e ngeja me u marr… masanaj gishtat… i kom dy a tre të dëmtuem prej zdrukthatarie… e me nji gisht nuk i bihet.”
Gjashtë vajzat janë martuar, po ashtu edhe djemtë. Disa jetojnë jashtë Shqipërisë e të tjërët janë shpërndarë secili në jetën e tyre. Gjallninë Zefi e ndjen në gdhendjen e këtyre veglave.
“Si më muer, si s’më muer malli, kot asht ajo punë… gruen e kam qit në kodër… boll dam më ka ba, por pa dek nuk kem ilaç”, thotë ai duke gdhendur me të njëjtin durim vetminë e tij e kënaqet fort kur dikush i blen ndonjë.