Autoriteteve shqiptare u kërkohet të arrestojnë kryerabinin Yoel Kaplani për krime lufte. Policia ndalon marshimin kundër gjenocidit në Gaza
Media Middle East Eye ka raportuar mbasditen e sotme lajmin ekskluziv që autoriteteve shqiptare po u kërkohet të arrestojnë kryerabinin e komunitetit izraelit në Shqipëri. Yoel Kaplan akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, si pasojë e përfshirjes së tij si ushtar i Izraelit në sulmet gjenocidiale në Gaza. Sipas raportimeve, Organizata Ndërkombëtare për Drejtësi për Palestinën, e përbërë nga avokatë, akademikë dhe politikanë, ka dërguar kërkesën për arrest autoriteteve shqiptare duke theksuar detyrimet ligjore që ka Shqipëria. Në letrën formale dërguar autoriteteve shqiptare specifikohet që i dyshuari për krime lufte gjendet në Shqipëri, dhe kërkon: “Koalicioni kërkon që policia shqiptare të arrestojë dhe të mbajë në burg individin, në përputhje me ligjin shqiptar dhe në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë sipas Statutit të Romës, si dhe në përputhje me nenin 7(a) të Kodit Penal të Shqipërisë. Shqipëria gjithashtu i është bashkuar Konventës kundër Gjenocidit në vitin 1955 dhe duhet të ndjekë aktivisht dhe të ndëshkojë aktet e gjenocidit në përputhje me këto detyrime ndërkombëtare të së drejtës.”

