Sendi shtetëror dhe njerëzit si hapësira kulture
Në tarracën e një ndërtese dykatëshe në Rrugën “Demokracia”, në Bathore, diellin nuk e pengon asnjë përmasë betoni. Është i ftohtë janari. Regjistruesi xhiron. “Unë kam pas një vetëgjykim”, thotë Klodi. “Kam ba 9-vjeçaren, jo fort larg prej këtu. Ishte e mbushur me tiransa dhe jugorë. Deri vonë nuk e pranoja që isha nga Bathorja, sidomos kur takoja persona që s’janë t’zonës. Bathorja shihej edhe ma poshtë se Kamza.” Klodi, Diana, Roni, Fidi, të tjerë që vijnë e na gjejnë në bisedë, rrinë, varin kokën e dëgjojnë, i përkasin gjeneratës Zeta, me një stil jetese larg kafeneve, qendrave tregtare dhe tërheqjeve të tjera sociale. Mes tyre dhe familjeve të tyre nuk ka ndonjë dallim të madh në të ardhurat financiare, në llojin e shtëpisë që kanë ndërtuar, në mjetet e transportit (autobus, biçikleta) që përdorin, në vullnetin për arsimim dhe në arritjet që kanë fituar. Pa harruar punën më vete apo në grup me vetëgjykimin, për të cilin flet Klodi, më shumë i provuar nga prindërit, apo fëmijët më të mëdhenj të familjes, mijëvjeçarët, në kohën kur Kamza dhe Bathorja si pararojë e saj, nuk kishte asfalt, ujë, kanalizime e drita...