“Ndal vrasjeve përmes urisë”, sot u zhvillua protesta e radhës në solidaritet me Palestinën
Qindra qytetarë u mblodhën sot në protëstën për Palestinën në sheshin kryesor të kryeqytetit kundër pushtimit, aparteidit, urisë dhe gjenocidit në Gaza. Me thirrjet “Që nga lumi der’ në det, Palestina e lirë do jetë! Liri, Liri, Liri për Palestinën”, fëmijë e të rritur bënë thirrje që të ndalohen në mënyrë urgjente aktet gjenocidale në Palestinë. Aktivistja Fioralba Duma u shpreh se duhet të shohim se çfarë po ndodh kudo, duke thirrur për ndjeshmëri dhe solidaritet të plotë me popullin e Palestinës që po e vuan urinë, kequshqyerjen dhe ku vendet e marrjes së ndihmave humanitare janë kthyer në kurthe vrasjesh nga Izraeli. “Ne të gjithë jemi pjesë e këtij njerëzimi, nuk duhet të injorojmë asnjë shenjë padrejtësie, kudo ku shfaqet ajo!” Dorela Binjaku, pjesë e grupeve të aktivistëve për Palestinën në Shqipëri risolli në fjalën e saj gjendjen ekstreme në të cilën po i lënë njerëzit e Gazës “fëmijë që vdesin nga uria, nëna që ziejnë barishte për t’i dhënë pak shije ujit, njerëz që po jetojnë pa drita, pa elektricitet! Kjo nuk është thjeshtë një krizë humanitare, por krim!” Sipas saj, ky krim vjen prej një sistemi bashkëpunëtor global me një shtet zionist si Izraeli që shfaros tjetrin. Ajo përfundoi fjalën e saj duke thënë “Ne jemi këtu për të thënë jo! Jo më bllokadë! Jo më justifikim! Jo më mbështetje për vrasje në emër të paqes! Ne nuk duam bomba mbi fëmijë, duam bukë në duart e tyre!”...