Baltë e Populit

Me një SMS të vetme mundem ta organizoj Tiranën tjetërsoj, rreth qendrash të fshehta provizore, të pazbërthyeshme dot si koordinata nga shërbimet e inteligjencës, qoftë dhe artificiale. Fjala vjen, send: “Neser te gjithe n’ora 5 te ish monumenti i tur bolit :)”. Fjalë si këto të fundit mund t’ua ndezin llampat deri nesër vetëm diç më tepër se një dyzine hartash në Tiranë, aq sa kanë mbetur në atë vend të mbajnë mend shtangien e Tur Bolit (disa emra janë maskuar për nevojat e këtij raporti), me cigaren që i digjej rrafsh me gishtat, përditë po aty, qiri, orë me rradhë - “Waiting for the Man”, si thotë kënga. Mjaftoi që dikush ta quante atë vëngjill, atë pritje të përditshme “monument”, dhe ja befas midis gazit tek rithemelohej qyteti brenda një shakaje përjashtuese, me në qendër pajtorin e ri: Bolin.

0 Comments

Libri i Numrave

Fatmirësisht pati mjaftueshëm dëshmitarë në ekspozenë private, gati njëzet vjet më parë në Shkup, të një kërkuesi thesaresh, të famshmit aga Abdullah. Në strofkën e tij mes gjethesh në mal, natën, mu nën megakryqin elektrik të qytetit. Në luftë me volumin shurdhues të refreneve të Genta Ismajlit, përmes të cilit ndoshta neutralizonte përgjimin ambjental, shpaloste defterët e vet – gjysëm harta rudimentare sekrete, gjysëm storyboard-e të ashpra të përfytyrimeve, peripecive të veta nëpër luginat maqedonase – për të rrëfyer mënyrën si orientonte shenjat në terren. Që të orientohej pastaj prej tyre në kërkime thesaresh, fshehur herë nga “jevrejtë”, herë nga “ermenijtë”. Kështu, dy kocka gjetur në gërmime bri një pete guri të rrumbullakët bënin gjithsej shifrën shtatë në hartën e agës Abdullah: shtatë hapa më pranë “mallit”, si e quante ai thesarin përherë në ikje; shtatë hapa, meqë dy kockat paralele janë II në numërimin romak, plus rrethin O prej guri që është 5, - tha -“në qoftë se i dini harfet”...

0 Comments