“Ta zȗna zyrën i pari”, sjellja e re e kryebashkiakëve të rinj në qytetet e Shqipërisë

09.07.2019 | nyje.al

Dorëzimi i postit të vjetër për cilindo punonjës natyrisht që është një moment emocional në jetën e tij, aq më tepër posti i një kryebashkiaku që prej 12 vitesh. Duke përfshirë dhe elementin e zgjedhjeve pa kandidat situata bëhet dhe më delikate e si rrjedhojë në kushte të tilla bashkia Kamëz po zhvillon një sjellje të re administrative, e cila duket që kishte sukses në fillim. Kandidati Suli është zgjuar ditën e djeshme, ditën e parë të javës, që në orën 7 të mëngjesit dhe ka zënë karrigen në zyrën e Xhelalit duke ditur më parë orarin zyrtar të këtij të fundit që është ai i orës 8. Me të mbërritur Xhelali ka gjetur Rakipin në zyrë, të ulur mbi karrige, këmbë mbi këmbë, moment ky që ka tronditur Xhelalin.

Gazetari ynë Milan Kundra na tregon që në momentin e hyrjes, Rakip Suli ka qenë duke pritur një qytetar nga komuniteti, me të cilin po diskutonin një çështje sensitive. Në momentin që Xhelali është futur brenda  Rakipi ia ka bërë me shenjë me gisht që të dalë jashta. Po ashtu ka pohuar: “Jam i zanëm or Xhelal, a se shejf?! S’ka ven për dy kryetara ktu. Hajt merri pushimet se je lodh qe 12 vjet te punu përdit. Edhe duhet me u çu ma herët or voc jo kur t’dale gjumi tôj”. Kryetari Mziu i zënë ngushtë, duke u vetëpërmbajtur dhe në respekt të etikës ka mbyllur derën duke dalë i qetë nga zyra. Siç duket ai kishte një plan të mirëorganizuar në kokë të cilin e nxori shumë shpejt në sipërfaqe: sot ai ka dalë që në orën 6 të mëngjesit në bashki për të zënë karrigen i pari duke harruar që Rakip Suli ishte zgjuar që në orën 5 të mëngjesit enkas për këtë punë. Duket që kryetarët po flasin tashmë me një kod implicit komunikimi: “E merr zyrën kush çohet ma herët”.

Polemikat mes tyre kanë shkuar dhe në kontraktime të lehta fizike duke u shtyrë me njëri-tjetrin se kush do të ulet në karrige i pari. Madje mësohet se Xhelali duke parë këmbënguljen e Sulit për të mos lëshuar karrigen, ka marrë një karrige tjetër shtesë të cilën e ka afruar rreth tryezës, ngjitur me Rakipin, por qytetarët e ardhur duket që tashmë kanë përkrahur dhe zgjedhur bashkiakun e ri duke u drejtuar tek ai për bisedime. Duke qenë se të dy kandidatët e Kamzës vijnë nga e njëjta krahinë, mes tyre ka pasur me tepri shkëmbime batutash dhe ironi therëse të tipit: “unë jam çu ma herët se ti”, “t’a zȗna zyrën i pari”, “si s’tvjen zor që e quan veten fitimtar me këto zgjedhje”, “ku je te shku me sôjt e palam n’zyrë”.

Pas situatave të tilla, për të parandaluar sjellje të ngjashme kryebashkiakësh të rinj është mbledhur Garda e Republikës së Shqipërisë duke marrë vendimin që detyron çdo kryetar bashkie në Shqipëri të mos lejohet të futet në zyrë para orës 3 të mëngjesit deri në një moment deciziv të njohjes së postit të ri. Vendimi i marrë është nxitur dhe nga sjellet e ngjashme të bashkiakëve të tjerë. Mësohet se një skenë e ngjashme është prodhuar dhe në bashkinë e Kukësit, ku Safet Gjici asht çu m’a herët (me sôjt e lame) duke i zënë vendin Bashkim Shehut.

*ky është një shkrim satirik. Ngjarjet e treguara nuk janë të vërteta.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje