Edhe njëherë thirrje për Statusin e Minatorit

23.02.2024 | nyje.al

Zeqir Zalli ka punuar në minierën e Kamit në Tropojë për dekada. Ditën e djeshme, në të zbardhur të mëngjesit ai është nisur nga Bajram Curri për tek Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ku u organizua protesta e radhës me thirrjen për miratimin e Statusit të Minatorit. Minatorët dhe ish-minatorët u mblodhën në dyert e Ministrisë dhe kërkuan takim me zyrtarët e saj që të merrnin një përgjigje mbi kërkesat e tyre.

“Ne e kemi kërkuar herë pas here statusin e minatorit, vetëm unë nga Tropoja kam shkrujt dhjetra e dhjetra letra e të gjitha përgjigjet kanë qënë “ jo kemi, jo s’kemi, jo mund t’ua plotësojmë, jo s’mund t’ua plotësojmë”. Të gjitha partitë kanë ardhur e i kanë kërku votat e kanë thënë do t’ua japim (statusin e minatorit), por realiteti qëndron ndryshe. Këta për veten e tyre kanë pare boll, i miratojnë rrogat të shumëfishueme, privilegjet, kurse ne sot s’kemi asnjë të drejtë as me trokit nëpër dyer.” – Zeqir Zalli – Ish-minator

Zyrat janë të mbushura plot por asnjë nuk është i përgjegjshëm sipas Zeqirit, e ndaj asnjë prej pushtetarëve nuk i ka kthyer sytë nga minatorët.

Katër vite, Statusi në sirtar 

Një peticion me 11,000 firma është dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë nga Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës dhe Lëvizja Bashkë në vitin 2020, me objekt miratimin e Statusit të Minatorit. Që prej dorëzimit, minatorët e ish-minatorët dhe aktivistët nuk kanë dëgjuar për shqyrtim a diskutim për këtë kërkesë të parashtruar nga mijëra firmëtarë.

Emiliando Kita, aktivist i Lëvizjes Bashkë, në fjalën e tij në protestë u shpreh se këtij parlamenti e kësaj qeverie dje iu dëshën më pak se pesë minuta për të shkatërruar mbrojtjen ligjore të Zonave të Mbrojtura në interes të oligarkëve, por për minatorët dhe ish-minatorët në 33 vite asnjë pushtetar nuk ka shpenzuar asnjë minutë për tu ulur, hartuar dhe miratuar Statusin e Minatorit. 

“Ajo çfarë kërkojnë sot minatorët, është një e drejtë minimale. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është përgjegjëse për të ngritur grupin e punës, për t’ia drejtuar Ministrisë së Ekonomisë, në mënyrë që të bëhet sa më parë Statusi i Minatorit. […] Mirëpo ata nuk kanë shpenzuar asnjë minutë të tyrin për të folur për minatorin. Nuk kanë shpenzuar as edhe një minutë nga koha dhe jeta e tyre për të dërguar në Parlament një ligj i cili është i domosdoshëm e i nevojshëm për minatorët.”

Një jetë të tërë këmi shpenzuar për ndërtimin e këtij vendi, u shpreh Zeqiri, dhe ministrja Belinda Balluku duhet ta ketë për nder të na takojë dhe të na dëgjojë. 

“Vllezër dhe motra, i kërkojmë ministres Balluku të na presë urgjentisht një grup prej pesë vetash, të ulemi dhe ta bisedojmë. Ta marri si nder ajo që të ulet me ne. Kemi dhanë kontributin tonë e kemi ba çdo gjë që ka qenë për t’u ba. Shqipëria me krahët tonë është ndërtu. Nuk është ndërtu me qita që dalin e vjedhin në tana anët.”

Lekët dhe fjalët që (s’)mungojnë

Takimi i kërkuar nga minatorët nuk u realizua. Dyert e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë nuk u hapën për ta. Ndër vite, kjo Ministri dhe qeveritarët janë shprehur se fondet janë të pamjaftueshme për miratimin e një statusi të veçantë për minatorin. Por ata nuk e ndajnë këtë mendim. 

“Kqyri ministritë, kanë pare boll, këta për vete po i gjajnë paret, për ne pse spo i gjajnë. Mos ta baje venin beton Ballukja po të na japi paret që na takojnë.” Zeqir Zalli 

“Qeveria e sotme ka para për oligarkët, ndërtuesit dhe kriminelët e parave të pista, dhe nuk kanë para për ata që kanë dhënë jetën dhe mundin e tyre për zhvillimin e këtij vendi. Galeritë e minierave nuk kanë sjellë zhvillim për komunitetit dhe punëtorët, por për të fortët e zonës apo oligarkët që janë pasuruar në kurriz të këtyre punëtorëve.” Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës

Për Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, ish-minatorët vazhdojnë të mbijetojnë me pensionet aspak të dinjitetshme. Kjo duhet të ndryshojë dhe do të ndryshohet kur Statusi i Minatorit të miratohet, deri atëhëre do të jenë në krah të minatorëve e ish-minatorëve, pohoi dje në rrjetin social Facebook kjo sindikatë. 

Përshpirtje për minatorët që humbën jetën 

Minatorët dhe ish-minatorët ndezën qirinj në dyert e Ministrisë për të gjithë kolegët që kanë humbur jetën në vendin e punës ose prej kushteve të rënda gjatë saj. Shumë prej minatorëve humbin jetën pa gëzuar pensionin dhe ndaj me Statusin e Minatorit kërkohet që ata të marrin pension të plotë dhe të parakohshëm, në mënyrë që të përballojnë jetesën që shpesh shoqërohet me vështirësi në shëndet.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje