“Shteti bashkëfajtor”, tre akte në Kamëz dhe marshim në kryeqytet për 8 marsin

nyje.al | 09.03.2022

Për aktivistët e Grupit Ata ky 8 Mars ishte së pari dita e 3 grave të vrara një javë më përpara nga dora e një burri. Për to, pas ditëve të zisë qyteti duhet të shprehë revoltë. Në mëngjesin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, aktivistët e këtij grupi nëpërmjet tre akteve simbolike, tri banderolave dhe ecjes ndërmjet vendosjes së tyre folën me qytetin.  

Marshimi filloi në mbikalimin e shkollës “Ibrahim Rugova”, tek i cili u shpalos banderola “Kamza në zi për gratë”, si shprehje e trishtimit dhe tronditjes së madhe për humbjen e tre jetëve të Mevlute Hysës, Hasime Dafkut, Etleva Kurtit dhe plagosjes së rëndë të tre grave të tjera Elena Hysës, Kujtime Hysës dhe Marjana Gurakuqit. Aktivistët vazhduan ecjen e tyre në mbikalimin e Bathores me banderolën “Shteti bashkëfajtor” si akuzë ndaj institucioneve shtetërore. 

“Dhe si domosdoshmëri për të komunikuar me komunitetin tonë, mes nesh, si bashkëpërgjegjës për gjithë çka ndodh në qytet, kryesisht për shkak të indiferencës sonë, u shpalos banderola “A e ndërtojmë një botë pa lot?”.” – Grupi Ata

Thirrja e fundit, e drejtuar për komunitetin, ishte e vetmja banderolë e cila nuk e shqetësoi pushtetin. Dy banderolat e tjera, shprehëse të realitet të dhunshëm në të cilin jetojmë u larguan nga mbikalimet e qytetit minuta pas vendosjes së tyre. 

“Teksa po hapnim banderolën e fundit në mbikalimin e kodër Kamzës, banderola “Shteti bashkëfajtor” është hequr brenda pesë minutave. Për shkak të largësisë nga njëri mbikalim te tjetri, nuk kemi arritur të shquajmë se kush në të vërtetë është shqetesuar aq shumë sa të sigurohet ta heqë atë akuzë nga sytë e qytetit. Por heqja pikërisht e asaj banderole, brenda pak minutave, të sugjeron se ka ardhur nga duar shtetërore, duar që ndihen të akuzuara, duar në bashkëfajësi.

Brenda një ore, por pas “Shteti bashkëfajtor” është hequr edhe banderola “Kamza në zi për gratë”. Deri para një ore nuk e kanë lëvizur banderolën “A e ndërtojmë një botë pa lot”. Ajo mund të rrijë. Ajo s’e ka me bashkinë, as me shtetin, as me qytetin. Duart selektive shtetërore nuk mbrojnë jetët e grave, por zgjedhin se cila duhet të jetë gjendja e qytetit. Qyteti s’mund të mbajë zi. Qyteti s’mund të akuzojë. Qyteti s’duhet me e hapë zanin e gojës.” – Grupi Ata

Në përfundim të akteve simbolike, aktivistet/ët mes vete uruan që 8 marsi tjetër të mos i gjejë me nevojën për të reagur kundër femicidit.

Marshojmë, s’festojmë

Në mesditë, në sheshin “Nënë Tereza” qindra banorë dhe qytetarë të angazhuar nisën marshimin e përvitshëm të organizuar nga Kolektivi Feminist në Shqipëri. Me pankarta ndër duar dhe me thirrje të përsëritura me megafon, pjesëmarrësit shtruan një sërë kërkesash ndaj institucioneve shtetërore.

Marshimi vijoi përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, me ndalesa përballë Kryeministrisë dhe Bashkisë së Tiranës e për tu përmbyllur në dyert e Ministrisë së Drejtësisë. 

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje