Shëtitorja e Bathores, “qilimi” prej betoni

nyje.al | 09.02.2024

“Si një element tradicional shqiptar me rrënjë të thella në kulturën e banuesve të zonës, qilimi është një element i cili shton vlera në hapësirat e shtëpive dhe sidomos përgjatë ecjes. Duke dashur të përcjellim këtë ndjesi në hapësirat publike të zonës, elementë dekorativë të qilimit ftojnë banorët që të përdorin shëtitoren.” 

Ky paragraf gjendej i shkruar në tabelën e njoftimit të punimeve për ndërtimin e shëtitores “Bashkim Gazidede” në Bathore. Punimet kanë përfunduar, tabela është hequr dhe banorët e lagjes kanë filluar frekuentimin e saj. Por, qilimi si element tradicional  shqiptar me rrënjë të thella në kulturën e banuesve të zonës, nuk duket të jetë prezent në asnjë metër të shëtitores. Ashtu siç paraqitet në pamjet e mëposhtme, shëtitorja është një rrip me beton të stampuar që përpiqet të imitojë pllakëzim gjeometrik me figura si katrori dhe drejtkëndëshi.

Projekt i cunguar anipse koha dhe lekët të bollshme

Shëtitorja në Bathore ishte një ndër investimet e miratuara përpara zgjedhjeve të 14 majit të vitit të kaluar. Punimet nisën disa javë përpara zgjedhjeve dhe ndonëse afati limit ishte tre muaj, u deshën më shumë se nëntë muaj për ta përmbyllur atë.  Në një postim në faqen e rrjetit social Facebook kryetari i bashkisë Rakip Suli njoftonte afrimin e përfundimit të punimeve në nëntorin e kaluar por kjo rezultoi të ishte e pavërtetë. Tashmë gjendeshim një muaj mbi afatin limit, pa shëtitore të përfunduar.  

Gjithashtu fondi për realizimin e këtij investimi ishte i konsiderueshëm. Shëtitorja “Bashkim Gazidede” i ka kushtuar qytetarëve të Kamzës rreth 7.3 milionë lekë të vjetra në secilin metër të saj. Me një gjatësi prej 675 metër, vlera e kontraktuar ishte 49,291,934 lekë. 

Por a garantoi koha e tejzgjatur e punimeve dhe shuma prej 50 milionë lekësh realizimin e projektit ashtu siç paraqitej në pamjet 3D të publikuara nga Bashkia Kamëz dhe siç përshkruhej në projekt? 

Duke u nisur nga pamjet 3D të projektit e formulimet e rëndësisë së tradicionales së banorëve, konstatimi në terren nxjerr në pah një huqje të madhe në realizimin e punimeve. Ashtu siç u përmend më sipër, në asnjë metër të shëtitores nuk kemi të bëjmë me shpërfaqje, as simbolike, të qilimit si element të premtuar në projekt. 

Në pamjet 3D por edhe në preventivin e punimeve shfaqet fusha e basketbollit si një ndër hapësirat e shëtitores që u jep mundësinë banorëve të ushtrojnë aktivitet sportiv. Në preventiv specifikohet një fushë me shtrese tarpen me sipërfaqe 78.5 metra katrorë. Në vëzhgimin e bërë kuptojmë që fusha me tarpen nuk shfaqet asgjëkundi, por përreth shtyllës së instaluar gjejmë vetëm beton të bojatisur me të kuqe. Edhe pista e biçikletës është poashtu me beton të lyer. 

Në preventiv gjithashtu përcaktohet vendosja e gjashtë tavolinave me syprine pllakë mermeri, gjashtëmbëdhjetë stola ulëse me gur natyral, vend parkime biçikletash, mure rrethuese me kangjella e shumë ndërhyrje të tjera që në përfundim të punimeve nuk duken gjëkundi ose janë kryer punime alternative por larg përcaktimeve të projektit.

Shëtitorja para dhe pas-zgjedhore

Mbrëmjen e së martës, kryetari i bashkisë Rakip Suli ka publikuar pamjet nga shëtitorja duke njoftuar përfundimin e punimeve. Komentet dhe ripostimet nga punonjësit e Bashkisë Kamëz, si zakonisht, nuk kanë munguar dhe ndër to gjejmë edhe falenderimin e veçantë të administratorit të njësisë Bathore. Për kryetarin e Këshillit Bashkiak Kamëz kjo shëtitore është një investim që as në ëndrra nuk ishte parë, për një nga specialistët e Bashkisë investimi është me standarte europiane dhe për ish-nën kryetaren miti është thyer nga Rakip Suli si Kryetar Bashkie. 

Shëtitorja “Bashkim Gazidede” është përdorur edhe para përfundimit të saj për qëllime propagandistike. Vitin e kaluar, Rakip Suli dhe Partia Socialiste në Kamëz kishin njoftuar mbajtjen e takimit përmbyllës të fushatës në Bathore, në sheshin e punimeve të kësaj shëtitoreje, më 7 maj, ora 18:00. Videoja në postim paraqiste imazhe tre dimensionale sesi do dukej shëtitorja në përfundim të saj.

Nisja e punimeve në prag të zgjedhjeve vendore të vitit kaluar kur investimi ishte menduar që në hartimin e buxhetit të vitit 2022, u duk jo e rastësishme. Ndonëse procesi i tenderimit kishte mbaruar në nëntor të vitit 2022, fituesi i projektit ishte shpallur më 24.02.2023 dhe kontrata mes Bashkisë Kamëz dhe kompanisë “SHENDELLI SH.P.K” është firmosur më 19 prill të vitit të kaluar. Punimet nisën shumë shpejt por edhe pse në kontratën e mësipërme ishte përcaktuar afati 104 ditë pune, punimet u zvarritën për muaj të tërë. 

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje