Punonjësit e shërbimit të shpërndarjes refuzojnë të shfrytëzohen

nyje.al | 30.09.2024

Punonjësit e kompanisë së shërbimit delivery, Wolt, janë ngritur në protestë ditët e fundit për shkak të mosrespektimit të kushteve të pagesës nga kompania finlandeze. Hyrë rishtazi në treg, kjo kompani proklamoi veten si opsion pune fitimprurës edhe për ata që dëshironin ta kryenin atë me kohë të pjesshme. Kësisoj, shumë të interesuar për punë, kryesisht të rinjtë, nisën të punojnë në këtë sektor me pritshmëri ekonomike të mira duke marrë mbi shpinë edhe gjithë të këqiat që sillen rreth dyrrotakut të motorrizuar në një qytet si Tirana. 

Së fundmi, politikat e Wolt për të ndërhyrë në tarifat mbi të cilat varet pagesa e motorristëve kanë bërë që këto pritshmëri të ndryshojnë. Që nga e premtja e javës që lamë pas, korrierët e kësaj kompanie kanë nisur të prototestojnë duke u shprehur të revoltuar për uljen e tarifave dhe bonuseve duke i konsideruar të pamjaftueshme sidomos për faktin që sipas asaj që protestuesit tregojnë, shpenzimet për karburantin e transportit shprëndarës apo çdo dëmtim i mundshëm, mbulohet nga vetë punonjësit.

“Bëjnë reklama ku thonë se është pagë shumë  e mirë. Çfarë page është kjo për 12 orë, 700 mijë lekë, ku çdo gjë të duhet ta paguash vetë. Kërkojmë të dëgjohemi e të mblidhemi sa më shumë sepse kemi dalë për të drejtën tonë. Kërkojmë minimalisht të heqim shpenzimet tona, se i kemi të gjitha mbi kurrizin tonë.” u shpreh Erald Lika, një prej korrierëve protestues. 

Punonjësit e këtij shërbimi tregojnë se puna që ata bëjnë nuk vlerësohet mjaftueshëm, ku përveçse nuk paguhen aq sa meritojnë, edhe paragjykohen nga njerëz që nuk i kuptojnë rreziqet dhe sfidat e tyre të përditshme.

Kompania parashtron disa arsye mjaft tërheqëse se pse duhet të bëhesh një korrier në “Wolt”, ku premton fitim të mirë dhe orare fleksibël. Sipas informcionit mbi aplikimin, përveç pagës bazë, punonjësit kompensohen edhe për shërbimet në distanca më të zgjatura. Gjithashtu premtohet siguri dhe suport, falas (free of charge). Por realiteti që punonjësit tregojnë na përball me një situatë të ndryshme nga ajo që reklamohet.

“Nuk na respekton dhe vlerëson njeri për punën që bëjmë, punojmë në vapë dhe në të ftohtë. Ata që na akuzojnë që marrim një rrogë shumë të konsiderueshme, le të vijnë dhe ta provojnë vetë lodhjen, shpenzimet dhe rreziqet në punë. Sa e sa motorrisa janë aksidentuar e dhunuar dhe askush nuk ka mbajtur përgjejgësi.”

Në dy protesta të mëparshme, ky grupim zgjodhi ndër të tjera të protestonte duke lëvizur rrugëve të qytetit, ku dhjetra motorristë përdorën boritë e tyre si shenjë revolte, duke i dhënë zë rrugëve të qytetit dhe aksionit të tyre. Pamjet e tyre janë shprëndarë në rrjetin e tyre social, i cili është hapur dhe si një formë proteste dhe ndërgjegjësimi online.

Korrieri Lika tregoi për nyje.al se në fillim, kompania iu ka qëndruar tarifave të premtuara, pra 100 lekë për 1 km, por me shtimin e punonjësve këto tarifa u ulën. Pas protestave ai tha se drejtuesit e kompanisë iu kanë  kërkuar të mos e përshkallëzojnë protestën duke iu premtuar një takim midis palëve për të diskutuar mbi zgjidhje të mundshme.

Sot, njëri prej punonjësve, Bledar Bleta, kishte mundur të fliste me Ornela Memian, menaxhere e kompanisë, ku sipas saj tarifat aktuale janë  tarifa standarte të kompanisë “Wolt” dhe nuk mund të rriten. Ata janë të gatshëm të zgjidhin çdo pakënaqësi në lidhje me keqmenaxhimin por jo rritje të tarifave. Sipas saj, një zgjidhje tjetër është edhe hyrja e një pike të “Wolt-it” qëndror në Shqipëri, proçedurë e cila është në zbatim e sipër, por nuk dihet se sa kohë zgjat. Kjo do sillte punësimin e punonjësve pa përqindje dhe partnership-s. Në lidhje me presionin që iu është bërë punonjësve për shkak të protestës, ajo ishte shprehur se askush nuk do të hiqet nga puna dhe se ata kanë të drejtë të protestojnë për çdo gjë, për aq kohë sa protesta është paqësore. Në rast se ndodh e kundërta ata duhet të ankohen.

Protestuesit nuk e konsideruan të mjaftueshëm shpjegimin e saj dhe kërkuan që takimi të bëhet me të gjithë punonjësit, për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe paqartësive të të gjithëve. Sipas tyre, përllogaritja e kompanisë për pagesën për orë, është absure. Ata u shprehën se do vazhdojnë të ngrenë zërin derisa kërkesat e  tyre të merren parasysh.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje