Protesta për Diasporën: përplasje dhe zemërim

19.07.2024 | nyje.al

Pasditja e 18 korrikut shënoi protestën për të drejtën e votës së shqiptarëve nga diaspora. Pas nismave të vazhdueshme që prej vitit 2020 të grupimit “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” të përbërë dhe mbështetur kryesisht nga emigrantët shqiptarë të nga vende të ndryshme të diasporës, me 9 dhjetor 2022 Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin e saj ku thuhej se konstatonte cënim të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve dhe detyrimin e Kuvendit për plotësimin e boshllëkut ligjor brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.  Afati i miratimit të këtij projektligji tashmë ka kaluar dhe në parlament ende nuk është marrë asnjë vendim, që do të thotë se nëse sesioni parlamentar mbyllet pa u miratuar kuadri ligjor, diaspora nuk do mundet të votojë as në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2025. Kjo ka sjellë rritjen e presionit të  aktivistëve të kësaj nisme, të cilët janë përkrahur edhe nga qytetarë të grupimeve të tjera. Të mbledhur para parlamentit me pankarta të shumta dhe me banderolën #duatëvotoj2025, protestuesit e nisën protestën me fjalime ku kërkuan sa më shpejt mundësiminin e votës së diasporës.

Julian Kruja, pjesë e diasporës së shqiptarëve të Italisë, u shpreh se vota e diasporës do i shërbente çdo shqiptari pasi dashamirësia e atyre që jetojnë jashtë është e njëjtë me atë të shqiptarëve që jetojnë brenda vendit. Ai gjithashtu foli për numrin e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, argument ky që është përmendur shpesh nga aktivistët si një shifër që tremb qeverinë, pasi mund të sjellë ndryshime të mëdha në zgjedhjet vendore.

“Vota e diasporës është jetike, jo vetëm për shqiptarët që jetojnë jashtë por edhe për ata që jetojnë brenda vendit. Shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve nuk janë më pak shqiptar apo më pak të lidhur me vendin. Ne jemi pjesë e kombit tonë, dy anë të së njëjtës medalje. Numri ynë është pothuajse i barabartë me atë të shqiptarëve që jetojnë brenda vendit.”

Elio Shyti, aktivist i lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e lirë” tha se tashmë ata nuk do të pranojnë asnjëlloj justifikimi për shtyrjen e këtij vendimi, dhe do të vijojnë pritjet para parlamentit deri në një vendim përfundimtar, i cili do të sillte të drejtën për të votuar për shumë shqiptarë nëpër botë.

“Qytetarët nuk pranojnë më asnjë lloj justifikimi për të shtyrë apo për më tepër për të bërë të pamundur votën e diasporës. Jemi këtu përpara parlamentit në pritje të vendimit përfundimtar të shumëpritur për t’i hapur rrugën KQZ-së të realizojë aktet nënligjore në mënyrë që në vitin 2025, të gjithë shqiptarët pa përjashtim, të kenë mundësi të vendosin vetë për të ardhmen e tyre dhe të vendit.”

“Diaspora ka vendosur dhe durimi na është sosur. Ne duam të votojmë, ne do të votojmë”, – ishin frazat që përsëriteshin vazhdimisht njëzëri nga protestuesit, të cilët dukeshin mjaft të revoltuar.

“I përzënë, dhe pastaj ju bllokojnë zërin politik”, – tha Arilda Lleshaj teksa iu drejtohej pjesëmarrësve.

Pas perfundimit të fjalimeve, protestuesit të vendosur për t’i dhënë zë protestës së tyre, tentuan të çajnë përmes trupave policorë të cilët ishin vendosur në mbrojtje të hyrjeve parlamentare. Synimi i protestuesve ishte që të mos lejonin deputetet të dilnin nga salla e parlamentit pa miratuar projektligjin për votën e diasporës. Filimisht ata kërkuan nga policia që t’i linin të kalonin pasi donin të uleshin përpara parlamentit, po një gjë e tillë nuk u pranua. Tentativa për të kaluar me forcë solli përplasje të forta midis dy palëve, gjë që acaroi më shumë situatën. Në pamundësi për të përballuar protestuesit e revoltuar, u shtuan forcat policore, por kjo nuk i zbrapsi protestuesit. Mes tyre pati shtyrje të dhunshme, pasi makinat e deputetëve që dilnin nga parlamenti nxisnin reagim të fortë qytetar. Ata kërkuan nga policia që t’iu bashkohen në protestën e tyre pasi kjo kauzë i përfshin edhe ata.

Deputetja e PD Jorida Tabaku u mundua të fliste me protestuesit, por ata nuk e kursyen zemërimin e tyre edhe mbi të, si përfaqësuse një partie e cila gjithashtu nuk e ka votuar ligjin për votën e diasporës.

“Shko bëj punën në parlament”, – iu drejtua Elsa Paja, aktiviste dhe protestuese. 

Pas qetësimit të situatës, aktivistët lajmëruan se protesta do të përsëritet në datën 25 korrik, datë e cila shënon fundin e sesionit parlamentar, ku do të mblidhen për të përsëritur kërkesën e njejtë: të drejtën e votës për diasporën. 

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje