Ekspozita “Ricikluesit”, imazhe të betejës për të ruajtur punën e siguruar vetë

Diana Malaj & Ronald Qema |13.05.2021| nyje.al

Aktivizmi Rom dhe Egjiptian këtë të mërkurë shpalosi ekspozitën “Ricikluesit”, si ndërhyrje artistike në trajtimin e problematikave të këtij komuniteti. Rreth 30 fotografi dhe ekspozicione të ndryshme synojnë të sjellin në vëmendjen dhe sytë e qytetarëve të Tiranës sakrificën e grumbulluesëve të materialeve të riciklueshme për të siguruar vaktet e ushqimit.

“Këtë rradhë i jemi qasur në mënyrë kreative çështjes së ricikluesëve, duke vënë në dukje problemin e punësimit të këtij komuniteti si edhe paragjykimi dhe diskriminimi që i bëhet këtij grupi.” u shpreh Jeta Pera, aktivistja që ka ideuar ekspozitën “Ricikluesit”.

Përveç të gjitha telasheve të tjera që ky komunitet has përgjatë procesit të grumbullimit të materialeve, ai që mbetet më thelbësori është përplasja e vazhdueshme me policinë bashkiake që kurdoherë që mundet ua sekuestron materialet, duke ua bërë të pamundur edhe vetëpunësimin.

“Ricikluesit vazhdimisht janë në përndjekje nga Policia Bashkiake, ku në disa raste përveç procedimeve ligjore dhe sekuestrimeve, ata edhe janë dhunuar fizikisht.”: shtoi aktivistja Pera.
Ky fenomen, kundër të cilit janë zhvilluar edhe protesta, ka gjetur pasqyrim në një kënd të ekspozitës me një seri “dosjesh” procedimesh penale mbi të cilat janë shkruar me ironi të hollë nga aktivistët veprat penale kundrejt ricikluesëve.

Ekspozitën e ka vizituar edhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi Robert Gajda, i cili ka bërë thirrje për trajtim dinjitoz të ricikluesëve si të vetëpunësuar dhe duke kërkuar më shumë hapësira punësimi për këtë komunitet.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje