Grupi Ata | 21.09.2023 | nyje.al
Kanë kaluar disa ditë prej se përmbyllëm Laboratorin e Antropologjisë Urbane, dhe ndjesia që ende vazhdon të na shoqërojë na duket sikur vërtitet rreth një fraze të lexuar diku: gjithçka ne kemi është historia jonë, dhe as ajo nuk na takon plotësisht.” Laboratori është ndërtuar mbi domosdoshmërinë e bashkëndarjes së rrëfimit të historisë sonë si njerëz, si banorë, si ndërtues dhe si krijues të një qyteti. Por është edhe hapësira ku si subjekte presim të ritregohemi, të rrëfehemi, e të kallëzohemi nga Tjetri. Historia jonë, a e banorëve të Kamzës, nuk mbetet më vetëm e jona, apo e tyrja. Ajo falet, besohet, dhurohet, ritregohet, përthyhet, ndahet, perifrazohet, por edhe keqkuptohet. Historitë e shtëpive të Kamzës dhe jetët e jetuara të këtyre njerëzve janë ngjarje unike që meritojnë të rrëfehen si histori. Nuk janë vetëm sekuenca jete a ekzistenca thjesht empirike. Nëpërmjet historive të treguara dhe atyre të rindërtuara, njerëzit e Kamzës (bashkë me ne) mund të prekin identitetin e tyre në mënyrë tangente, si dhe të ekspozohen ndaj një hapësire më plurale e më politike.
Të ndarë në pesë grupe, pjesëmarrësit e laboratorit u fokusuan në eksplorimin e lagjes numër 1 të Bathores. Në kërkim të historive të ardhjes, ndërtimit të shtëpisë e ndërtimit të qytetit bashkë me institucionet e veta, përshkohet meraqeve në të cilat jetohet sot nga çështja e legalizimit tek emigrimi i të rinjve, te dështimet e shtetit, e deri te pakënaqësia ndaj shërbimeve publike. Për pjesëmarrësit/et e rëndësishme ishte të hetonin edhe rolin e grave, jo vetëm gjatë ndërtimit të shtëpive, por siç na njoftoi vetë terreni, edhe mbi rolin e tyre në krijimin e shkollave të para të qytetit. Të tjera histori tregohen nga burrat, të tjera histori tregojnë gratë. Për varrezat si ia bënin? Dikush linte amanet të prehej atje nga kishte ardhur, dikush thotë “s’e mendonim, na dukej vetja të pavdekshëm.” Sot shtëpitë janë pranëvendosur njëra-tjetrës. Shumë prej tyre kanë ende kate të pangritura, por akoma më shumë kate të pabanuara.
Gjatë kësaj punishteje shumë intensive katër-ditore u përftuan draftet e para të filmave të cilat, sipas mundësive të pjesëmarrësve, do të mund të vazhdohen me tutje, dhe që trajtonin: historia e Kamzës përpara viteve ‘90, rrëfyer nga banorë që kanë migruar aty në vitet ‘70-’80 [O.Lamaj, A.Lamaj, E.Lika, me mentorim të O.Lelaj]; historia e ujit, mundi i marrjes së tij nga gra e fëmijë, sistemi i ujit në shtëpi dhe lagje [A.Turhani, A.Pipero, E.Tupja, M.Nasi, M.Syla, me mentorim të N. Bardhoshi]; këmbëngulja e një grupi mësuesesh për të krijuar klasa paralele në ndërtesa banimi të shpërndara në lagjet e Bathores dhe histori fëmijësh të arsimuar në kushte të jashtëzakonshme [R.Qema, L.Ismailaj, N. Paja, Th.Krempke, me mentorim të L.Shamku]; narrativat e ardhjes dhe shtëpisë në pluralitet zërash: sipas burrit dhe sipas gruas [E.Paja, P.Gjini, A.Bekteshi, M.Syla, H.P.Jost me mentorim të D.Pllumbi] si dhe histori (-zh) vendosjesh, migrimi të shumëfishtë dhe kreativiteti njerëzor në kushte mbijetese [K.Millona, F.Paja, L.Cenaj, E.Çelaku, I.Gjini, O.Girard me mentorim të E. Kaçiu]
Ndërtimi i Kamzës në vitet ‘90 dhe 2000 u shoqërua nga histori të treguara për të më së shumti nga publicistika përreth Partisë Socialiste, duke skajuar, diskriminuar dhe përbuzur tjetrin e ardhur. Vetë banorët të shqetësuar me ndërtimin e jetëve të tyre, nuk e kishin parësore tregimin mbi to. Tashmë, pas tridhjetë vjetësh, historitë e tyre personale tregojnë jo vetëm për përvojën e tyre të pafundme, por edhe historinë e ndërtimit të një qyteti. Kështu, po rivendikojmë rrëfimin dhe dëshmitë mbi jetët tona të jetuara.
Veç kush e ka përzemër tjetrin e Kamzës do të mundej të ndiqte për katër ditë rresht programin e ngjeshur (ndoshta tepër) të këtij laboratori, ndaj shprehim mirënjohje të plotë për të gjithë pjesëmarrësit, mentorët, folësit dhe autorët e këtij edicioni. Falenderues për praninë e artistit nga Kamza Killua si dhe rapsodëve tanë Zef Mulaj dhe Vuksan Mrishaj. Mirënjohje për Klodiana Millona për mentorimin e saj në filmbërje; kontributit të çmuar të dy fotografëve zviceranë Hans Peter Jost dhe Thomas Krempke; dhe bashkëpunëtorëve tanë pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit. Mirënjohës ndaj familjeve pritëse, si dhe ndaj miqve tanë dhe banorëve të Kamzës që kanë ndjekur takimet publike.
Ky laborator mëton të tregojë kontributin që antropologjia mund të japë për njohjen e vetes dhe tjetrit teksa po i zgjeron territoret dhe mjetet e saj jashtë institucioneve, ndërkohë që po centralizohet në mënyrë autoritare nga Rama-Gjinushi, duke e mbyllur ndaj tjetrit dhe duke ia tkurrur praktikën e saj.
Ky laborator u realizua me mbështetjen e fondacionit Heinrich Böll Stiftung Tirana
Fotografitë: Thomas Krempke
Numri i leximeve: 1 092