Nyjëtime ekofeministe në Kamëz

Grupi Ata | 13.10.2022  | nyje.al

Nyjëtime Ekofeministe mblodhi rreth vetes disa prej grave dhe vajzave më të zëshme e të angazhuara në lëvizjet mjedisore në Shqipëri. Ky takim erdhi pas një periudhe reflektimi mbi mundësitë dhe hapësirën që lëvizje mjedisore kanë hapur për të folur rreth tyre. Siç e kemi parashtruar edhe më përpara në të tjera takime dhe debate, nuk ka lëvizje komunitare më të përhapura në territor sesa rezistencat e komuniteteve nëpër fshatra të Shqipërisë për të mbrojtur lumenjtë, pyjet dhe parqet kombëtare. Mbase krah për krah shkojnë me rezistencat e banorëve të zonave urbane në mbrojtje të shtëpive kundër shembjeve nga planet e (ri)ndërtimeve. Në të tilla rezistenca, kemi dëshmuar që burra e gra janë hedhur në mbrojtje të gjëse që u përket, me trup e me shpirt. 

Ashtu siç na rrëfejnë edhe gratë e Laknasit, i gjithë fshati u bë bashkë për të mbrojtur pyllin “Plepat e Brukës”. Dëshira, Valbona, Bukurie dhe Iledjona janë ndër gratë e angazhuara në këtë çështje të cilat, bashkë me shumë gra e burra, i kanë bërë ballë kërcënimeve fizike, procedimeve penale, ndërhyrjeve të dhunshme institucionale dhe ankthit të proceseve gjyqësore. Ato, bashkë me komunitetin e tyre ia kanë dalë të mbrojnë pyllin e vetëkultivuar. Sot pylli është i paprekur, ndërsa firma private është zbuar.

Angazhimi në mbrojtje të lumit të Valbonës ka shënjuar jetën e Reas, bashkë me të sajën, edhe të Catherina Bohne. Lëvizja e aktivisteve, komunitetit, dhe ndërthurja e disa lloj aksioneve për mbrojtjen e zonës kanë kontribuuar në ruajtjen e Valbonës nga ndërtimi i 10 hec-eve të tjerë. Siç jemi mësuar ta shohim, sfera publike e protestave dhe megafonëve është banuar kryesisht nga zëra mashkullor, potentë e plotë vetëbesim. Përvoja e Reas, krejt e përkundërt nga ai lloj imazhi, na sjell përjetime të tjera të të folurit ndër shumësi njerëzish. Habia e saj me zërin e vet, që del jashtë mureve të një shtëpie brenda të cilës është mësuar të flasë ulët dhe me vetëpërmbajtje, është në fakt historia jonë e përbashkët. 

Alta dhe Aurora, krejt afër të njëjtës përvoje dhe vështirësive organizative në terren, kanë arritur gjithsesi të orientohen dhe të bashkë-krijojnë fushatën e gjatë të mbrojtjes së Parkut Kombëtar të Zall-Gjoçajt. Shpesh të gjendura brenda atmosferash të mbizotëruara nga burrat, ia kanë dalë, të japin zgjidhje situatave emergjente në terren. Bashkë me Dorina Asllanin, avokatja që ka ndjekur jo vetëm Zall-Gjoçajn por edhe Laknasin dhe shumë çështje të tjera mjedisore, kanë arritur që me precedentët gjyqësorë, të japin shpresë për komunitete të tjera të ngjashme të cilët janë vigjilentë për lumenjtë dhe po bllokojnë ndërtime hec-esh që në krye të herës.

Raportimet mediatike shpesh kanë sjellë në qendër të vëmendjes situata të nënraportuara, duke i dhënë kështu vëmendjen e duhur aksioneve mjedisore, por njëkohësisht edhe duke kuptimësuar betejat e vetë komuniteteve të përfshira. Entenela Ndrevataj, gazetare dhe aktiviste, e pranishme në aktivitet bashkëndau vështirësitë që ndeshim si vajza dhe gra për t’u artikuluar publikisht, sfida këto të cilat po tejkalohen bashkarisht duke parë angazhimet e njera-tjetrës.  

Çështja nëse lëvizjet mjedisore mbledhin rreth vetes vetëm burra, nëse mund të pohohet nga një kritikë feministe se këto lëvizje janë me karakter patriarkal dhe nëse nuk është bërë ende vendi për të folur për eko-feminizmin, na ka cyt disi për të reflektuar, për të mos u hedhur menjëherë në ‘sulm’ kundërpërgjigjesh, por për të menduar dhe reflektuar mbi pozicionimin tonë në aktivizmin mjedisor dhe rolin që kanë luajtur vajza dhe gra të tjera në lëvizjet mjedisore në Shqipëri. Vitet e fundit, aktivizmi feminist dhe mjedisor i ka bërë vend vetes në lëvizjet dhe angazhimet qytetare në vendin tonë. Edhe pse jemi të vetëdijshëm se lëvizjet feministe dhe ato mjedisore janë ende në një gjendje të brishtë organizative dhe të fragmentuara, fjala dhe angazhimi i grave brenda tyre mbetet qëndror dhe për t’u mos u përmohuar, edhe pse sferat publike dhe private ende nuk janë në gjendje t’i dëgjojnë ato. Në këtë situatë për ne është e rëndësishme të dali në pah fjala e grave brenda lëvizjeve mjedisore dhe prania e shqetësimeve mjedisore brenda lëvizjes feministe. Nyjëtimi i këtyre kauzave duket se mund të shtrohet tashmë si çështje për diskutim dhe implikimet e këtij nyjëtimi mbeten për t’u përvijuar. 

Edhe pse veprojmë lokalisht, gjithmonë mbajmë një sy tek ajo çfarë ndodh përtej nesh, por që rezonon me atë çka bëjmë. Jo vetëm për t’u informuar, por për t’u motivuar nga shembuj kuptimplotë për ne. Janë disa studiuese që kanë ndikuar në qasjet tona ndërdisiplinore, puna e të cilave vlerësohet ndërkombëtarisht. Gjatë muajit shtator patëm kënaqësinë të bisedojmë me njërën prej tyre, studiuesen Brunilda Pali. Ajo është studiuese post-doc në Institutin e Antropologjisë Kulturore pranë Universitetit të Luevenit (KU), në Belgjikë. Ka përvojë disa vjeçare në drejtësinë restauruese, dhe së fundmi është bashkë-editore e librit “The Palgrave Handbook of Environmental Restorative Justice”. Studimet e saj rrokin disiplinën e psikologjisë, kriminologjisë, drejtësisë restauruese dhe artit. Gjatë bisedës u njohëm më shumë me shtyllat kryesore të drejtësisë restauruese dhe sesi qasje të tilla janë implikuar dhe po përdoren në çështje mjedisore. Me rëndësi të veçantë në praktikimin e drejtësisë restauruese, edhe në çështjet mjedisore sipas Palit qëndron imagjinata, si fakulteti njerëzor që ka kapacitetin të zgjerojë pafund mundësitë e veprimit. Ajo na tregoi gjithashtu për përvojën e projektit “Kinstitute”, i krijuar bashkë me një grup studiuesish dhe artistes Maria Lucia Cruz Correia me të cilin investigojnë ekocidin dhe synojnë të propozojnë zgjidhje të reja ligjore për çështjet mjedisore. 

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje