Për panairin e parë të librit në Kamëz

Grupi Ata | 30.05.2022 | nyje.al 

13-14-15 Maj ishin ditët e Panairit “Kamza lexon”, aktivitet i Bashkisë Kamëz që u organizua në hapësirën e sheshit “Nënë Tereza”, përbri Pallatit të Kulturës. Njoftimi në rrjetet sociale rreth kësaj nisme i mëshonte faktit që ky aktivitet ishte ‘për herë të parë’, dhe se kishte pasur ‘kujdesin e pakursyer’ të kryetarit të bashkisë, Rakip Sulit. Nuk ndodh rrallë që njoftime të tilla të palatuara, synojnë të të ngjallin ndjesinë e borxhit karshi ‘drejtuesit’ a “shtetit”, ndërkohë që shkaktojnë efekte të kundërta ndër lexues. Lajmi i ri mbi një panair libri “për herë të parë”, do të duhej të ishte lajm i vjetër; dhe së paku, përballë kësaj vonese të qëllimtë institucionale e të pasuar nga njëra parti te tjetra, bashkia, bashkë me kryetarin e saj, të ishin treguar modest, për të mos thënë që qytetarëve të vet u detyrohen një ndjesë publike.

Tri ditë takimesh me autorë të ndryshëm nga fusha e letërsisë bashkëkohore shqiptare, u përmbyllën me një ceremoni të shpërndarjes së çmimeve, përkatësisht “Vepra më e mirë për fëmijë”, që e fitoi autorja Rudina Çupi, “Vepra më e mirë studimore” që e fituan dy autorë të ndryshëm, Arba Baxhaku dhe Arben Çejku, si dhe, “Vepra më e mirë në prozë”, që iu dha autorit Stefan Çapaliku me librin “Tregimet e tranzicionit”.

Në tërheqjen e çmimit, autori Arben Çejku parashtroi një kërkesë për institucionin e Bashkisë Kamëz, që i shkon shumë më përshtat politikave të këtij institucioni mbi librin.

Kam dhe një lutje. Meqë çdo çmim shoqërohet me një mbështetje, me një vlerë të caktuar, unë do dëshiroja e i lutem Kryetarit të Bashkisë e Drejtorit të Kulturës që atë vlerë ta kthejë në blerje librash për bibliotekën e Kamzës.”

Kjo ndërhyrje e autorit rikthen vëmendjen tek biblioteka e qytetit dhe pallati ynë i kulturës. Biblioteka e Kamzës, një ndër qytetet më të mëdhaja në vend, mbetet ende shumë larg të qënit e denjë për banorët e saj. Titujt e munguar dhe cilësia e titujve në fondin e bibliotekës e bëjnë atë të pafrekuentueshme nga libra-dashësit e qytetit. Gjithashtu, pozicionimi i saj në një pallat kulture të ngërthyer nga bizneset e shumta që zhvillojnë aktivitetin e tyre në të për një pjesë të lexuesve e bëjnë aspak të dëshirueshëm frekuentimin e saj.

Ndërhyrje tjetër me vend në ceremoninë e çmimeve pati edhe fituesja e çmimit “Vepra më e mirë studimore”, që dashur pa dashur përcolli një mesazh për Kryetarin Suli. Autorja Arba Baxhaku, e cila fitoi çmimin me studimin “Identitete Pluskuese”, punë kërkimore që studion “arkitekturën e nevojës”, banesat informale dhe procesin e ndërtimit të tyre u shpreh:

Libri sot vlerësohet në vendin e vet, i takon këtij vendi, i takon Kamzës. I takon të gjitha periferive, të gjitha realiteteve margjinale, të cilat janë parë me përçmim, me nepërkëmbje.

Përfaqësuesi i Bashkisë,  Liridon Mulaj e vlerëson si panair të suksesshëm.

Unë si përfaqësues i Bashkisë në këtë rast, po edhe si ideator dhe organizator i panairit, them që gjithmonë libri është diçka e mirë për çdo komunitet, jo vetëm për ne. Duke qenë se në panair kanë qarkulluar le të themi shkrimtarët më të mirë të letërsisë shqipe, unë mendoj se ky është suksesi më i madh. …Unë mendoj se sukses i madh është dhe prania e librit në një qytet si Kamza, pastaj sa blihet, sa shitet, sa lexohet, etj, etj, këto janë çështje të tjera. Ne synojmë të krijojmë një traditë, tradita mandej e tregon në do ketë sukses, në të ardhmen.

Si banorë të qytetit nuk kemi sesi të injorojmë dy fjalë-shënjuese suksesin dhe qytet si Kamza të Mulajt. Ne kemi sytë e qytetarit, dhe për sytë tanë ‘sukses’ i madh nuk është thjesht prania e librit, por edhe vetëdijësimi i kryetarit dhe titullarëve të Pallatit të Kulturës se e kanë për detyrë të krijojnë mundësitë institucionale për lexuesin e Kamzës, jo vetëm për blerësin e librit. Dhe kur përdoret krahasimi “në një qytet si Kamza” nuanca paragjykuese që mbartet në mënyrë indirekte tek folësi na shqetëson, si lexues e dëgjues. Në një qytet si Kamza? Si qenka Kamza? Fajësojmë qytetin, shfajësojmë veten duke qenë në pozita pushteti. Lojë e përsëritur. Theksojmë, hapja, funksionimi dhe pasurimi i bibliotekës lokale, mirëfunksionimi i Pallatit të Kulturës, dhe jo likujdimi i hapësirave publike kundrejt privatëve brenda tij, janë përgjegjësi kryekëput institucionale. Kryetarët dhe drejtorët e këtij institucioni kanë shumë për të mësuar nga një qytet si Kamza, nga banorët e nismat komunitare të pavarura në qytet.

Kamza a lexon, a s’lexon?!
Ky panair i parë u duk sikur u prit mirë nga qarqet kulturore. Në sytë tanë, qe jo fort i mirënjoftuar dhe bashkërenduar me lexuesit e komunitetin, megjithatë ngjarje me rëndësinë e vet, sidomos si mjet për të lexuar nëntehun e diskursit publik ndaj Kamzës dhe banorëve të saj, të shprehur si prej atyre që jetojnë dhe drejtojnë qytetin nëpër institucione, si nga ata që Kamzën e shohin nga Tirana, ose nga stenda. Panairi i librit, siç vërejmë në historikun e zhvillimit të tij, jo vetëm në Shqipëri, është një strategji e mirë që i vyen jo vetëm kulturës, por edhe industrisë së librit, promovimit dhe botimit. Autorët dhe botuesit e pranishëm, gjykojnë se suksesi më i madh i këtij panairi, ishte prania dhe aktivitetet e zhvilluara në bashkëpunim me autorët më të mirë bashkëkohorë shqiptarë sot për sot. Por, ka pasur dhe nga ato opinione që nxitën pakënaqësi dhe thelluan disa stigmatizime shumë të pakëndshme për banorët e qytetit. I referohemi statusit të përkthyeses Aida Baro në rrjetin Facebook, e cila, duke dashur të komentojë një takim me të rinj dhe autorin Tom Kuka në këtë panair, kalon në gjuhë fyese dhe denigruese.

Statusi i Baros:

#kamzalexon eshte panairi i pare i librit, qe zhvillohet ne kete qyteze kaq afer dhe njekohesisht kaq larg Tiranes. Njerezit jane te habitur, disa nuk e njohin funksionin e librit, varferia lexohet ne fytyrat e tyre, mirepo nese nuk fillohet nga diku, nuk mund te presesh qe kultura e libri te bjere nga qielli. Prandaj, merita i takon pasionit te Liridon Mulajt, qe po perpiqet te mbjelle filiza ne nje toke, qe e pandehin djerre. Eshte e veshtire te mundesh modelet qe popullojne televizionet, me shije vulgare dhe fame te shpejte, por mbetemi me shpresen qe po punojme per te ardhmen dhe jo sot per sot.” 

Kamza, fillimisht, na vjen në përfytyrimet e përkthyeses si qytezë. Kamza përkthyeses, i përkthehet sikur të ishte duke parë Repsin, me 1500 banorë, e jo me 150 000 banorë siç i numëron ky qytet aktualisht. Ky vështrim i ngushtë i Baros na nxjerr në pah më tutje gjuhën cunguese ndaj banorëve të qytetit. Do ishte mirë që vrojtimet e bëra në komentin e Aida Baros, nga Aida Baro, të ishin të argumentuara dhe jo vetëm disa konstatime të cekta,  të cilat jo vetëm që nuk përndrisin ndokënd, por veçsa provokojnë mëri dhe pakënaqësi. Nëse e vendos panairin në mes të sheshit, një sheshi që i është bërë hije ndër dekada, kryesisht prej stendash qoftesh të instaluara nga PS e PD, sigurisht që do shohësh njerëz nga të gjitha llojet, duke përfshirë edhe ne që e kemi ndjekur panairin, qoftë të moshuar, a të tjerë kalimtarë të shkujdesur, secili në tempin dhe punën e vet. Banori i Kamzës ka të drejtën legjitime të ruajë  ‘dhuntinë e habisë’  teksa sheh libra, përballë një hapësire kulturore të likujduar nga bashkia kundrejt bizneseve private të kafeve, bankave dhe zyrave të administratës. Për më tepër, nëse e vendos në hyrje të një kafeneje, që përkon, me hyrjen e Pallatit të Kulturës, sigurisht që do shohësh njerëz që rrinë në kafenenë brenda Pallatit – dhe libri, në prag, jashtë tij. Edhe ndonjë takim që është bërë brenda pallatit të kulturës, tavolinat e bardha dhe autorët janë futur si mes dy menteshash: nga njëra anë me derën e një banke private, në anën tjetër derën e një lokali. Ndaj, e kanë ditë mirë se çpo bëjnë, kur panairin e kanë zhvendosur jashtë. Se jashtë është lënë edhe politika mbi leximin. Njëjtë siç janë politikat kulturore nga institucioni i bashkisë, që sa vjen e më shumë po e bën edhe më periferike çështjen e kulturës, në koordinim me pushtetin qendror. Për bashkinë është më e lehtë dhe i shkon edhe më për shtat ideologjisë së drejtuesve të saj, të organizojë panaire si tregti librash, sesa të çelë e të pasurojë bibliotekën publike si shërbim libri pa pagesë.

Duke i lënë mënjanë për një moment fraza të tilla si “..qytezë kaq afër dhe njëkohësisht kaq larg Tiranës.”, “të mbjellë filiza në një tokë, që e pandehin djerrë,” dhe, më apogjenikja, “..nuk mund të presësh që kultura dhe libri të bjerë nga qielli.”, le të merremi pak me çështjen libër-kulturë, për të kuptuar pse në fakt, komenti i Aidës është jo vetëm i tepërt dhe i panevojshëm, por edhe i gabuar.

Pikë së pari, të para nga prizmi i aktualitetit, libri është gjithmonë një industri ndërsa kultura është një mënyrë vlerore e të jetuarit që ka zënë vend në përditshmërinë e një komuniteti. Që librat e autorëve të cilët me përzemërsi (ose jo) morën pjesë në panair të kthehen në kulturë, do të duhet të jenë më shumë se një ngjarje, por  pjesë e përditshmërisë, kështu që, nuk mund ta themi me siguri se ky panair na solli kulturën. Mund të shtojmë gjithashtu, se libri nuk është shënjuesi i vetëm i kulturës, as vetëm arti, kultura është edhe ajo që trashëgohet, duke filluar që nga traditat, folklori, etj., elemente me të cilat Kamza është e pasur dhe diverse. Duke e kuptuar kulturën më gjerë se librin, dallojmë tek gjuha e përkthyeses mbrujtjen e një rezentimenti ndaj kulturave të pashkrueme. Një pjesë e madhe e kulturës së librit, kur libri, më specifikisht letërsia, ishte në fronin e proceseve edukuese dhe ideologjizuese është mbajtur pas idesë dhe pretendimit që njerëzit bëhen njerëz nëpërmjet librit; humanizëm i lidhur pazgjidhshmërisht me librin, pretendimi se libri të bën njeri, se veç lexuesit janë njerëz. Sikur të mos mjaftonte ky lloj rezentimenti klasik brenda letrarëve ndaj indiferentëve të librit ai intensifikohet edhe më shumë në bashkëkohësinë ku kultura e librit ka ra prej piedestalit. Në vend që përkthyesja dhe letrarët të vetëdijësohen për pozicionin e tyre periferik dhe rrjedhimisht të kenë një qasje solidariteti ndaj periferikëve të tjerë, pretendojnë se do të shohin ‘një të ardhme të ndritur’, me filiza të harlisur, mbjellë nga Mulaj dhe kryetarë institucionesh.

Përveç kësaj, edhe libri nuk është se mungonte a mungon në Kamëz. Kujtojmë këtu bibliotekën e qendrës “Shpresë” në Kamëz, në lagjen e Bathores, abonues të së cilës janë aktualisht mbi 1000 nxënës dhe studentë, me një përqindje lexuesi të rregullt, së bashku me bibliotekën e grupit ATA. Gjithsesi vend për përmirësime ka kudo, ndaj marrëdhënien e Kamzës me librin nuk do duhet ta mendojmë si të ezauruar me kaq.

Kultura nuk kushtëzohet nga panairet dhe se, nëse potencialet për zhvillimin e kulturës janë aty, nuk ka mungesë panairi që ta pengojë të zhvillohet dhe, e anasjellta, nëse potencialet për zhvillimin  e kulturës mungojnë, nuk ka panair që t’i stimulojë. Mekanizmi i librit dhe më tej i panairit, nuk janë pararendëse të kulturës, ato e pasojnë kulturën.

  • Post comments:1 Comment

This Post Has One Comment

Lini një përgjigje