Për kë bie Kumbaro? Të pavërtetat e ndryshimit të kufijve të zonave të mbrojtura.

Diana Malaj & Ronald Qema | 28.01.2022 | nyje.al

Për cilindo që është sadopak i kthjellët apo pretendon të jetë i ndjeshëm ndaj çështjeve të mjedisit, lajmi i miratimit të dy VKM-ve mbi ndryshimin e kufijve të Zonave të Mbrojtura do të duhej të kishte shkaktuar më së paku indinjatë. Më 26 janar, Ministrja Mirela Kumbaro njoftoi për shtyp dy vendime të cilat lidhen drejtpërdrejt me ndryshimin e sipërfaqeve dhe statusin e zonave të mbrojtura të Republikës së Shqipërisë. Pavarësisht tendencës për ta njoftuar dhe promovuar si ‘lajm të mirë’ nga Kumbaro, dy VKM-të e miratuara deri tani- dy të tjera priten të miratohen- fshehin pas shifrave dhe kategorive parregullsi të mëdha proceduriale, veprime të jashtëligjshme dhe mungesë të thukët të dhënash dhe ekspertize shkencore. Në raste specifike, këto vendime tentojnë të legjitimojnë ndërtime të paligjshme të hidrocentraleve, të ‘legalizojnë’ aktivitete financiare të parregullta, si dhe të shtrojnë rrugën për aludime mbi plane potenciale në shërbim të interesave të ngushta ekonomike.

Vendimi “Për shpalljen e ekosistemeve natyrore rezervat natyror i menaxhuar/park natyror (kategoria iv)” si dhe vendimi “Për miratimin e ndryshimit të statusit dhe të sipërfaqes së ekosistemeve natyrore park kombëtar (kategoria ii) të zonave të mbrojtura mjedisore”- siç është paralajmëruar edhe nga organizatat mjedisore, aktivistë dhe ekspertë– dëmton në mënyrë të pakthyeshme një pjesë të zonave të prekura. Këto vendime janë kundërshtuar përpara kësaj vendimmarrje me argumentin se do të sjellin fragmentarizimin dhe zvogëlimin e sipërfaqeve të zonave të mbrojtura dhe do të vënë nën kërcënim permanent të interesave ekonomike zona të cilat duhet të kenë mbrojtjen më të lartë ligjore.

HEC-i Zais në Zall - Gjoçaj, Janar 2022, Diana Malaj HEC-i Zais në Zall – Gjoçaj, Janar 2022, Diana Malaj

Sipas vendimeve të bëra publike deri tani, ndër të tjera na renditen disa të dhëna mbi reduktimin e hapësirave të mbrojtura, si psh: ekosistemi natyror “Korab – Koritnik” do të ketë 1700 ha më pak, ekosistemit “Kune – Vain – Tale dhe Patok – Fushëkuqe – Ishëm” do t’i hiqen rreth 85 000  ha, ekosistemi natyror/ligatinor “Liqeni i Shkodrës” do të ketë 2400 ha mangut, ekosistemi natyror/ligatinor “Butrint” afro 800 ha më pak. Për secilin prej këtyre parqeve që përfundon me sipërfaqe të tkurrur nuk ka një studim paraprak mbi të cilën të jetë marrë vendimi. Shifrat shpesh nuk e kanë takatin gjuhësor për të treguar sesa u dhemb atyre trojeve për rrezikun që u kanoset kufijve të lëna jashtë mbrojtjes ligjore.

Parku Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”, për shkak të ndjekjes së çështjes nga komuniteti i zonës, ka mundësinë të tregojë sesa i dhemb çdo hapësirë e lëvizur nga këto harta. Në bazë të VKM-së së miratuar, ky park do të ketë rreth 954 ha më pak, duke u tentuar kështu të legalizohet hec-i “Zais” i ndërtuar ilegalisht brenda parkut kombëtar, tanimë i nxjerrë jashtë parkut përmes tkurrjes së kufijve të tij. Mungesa e hartave të sakta me të dhëna të tjera nga Ministria e Turizmit ua vështirëson shumë punën verifikuese aktivistëve, gazetarëve, ekspertëve e palëve të tjera të interesuara. Mirëpo, përpos këtyre vështirësive, aktivistët e grupimit Mbro Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj kanë arritur ta verifikojnë zonën e nxjerrë jashtë parkut kombëtar nga rishikimi i kufijve të tij. Ministria është kujdesur të heqë nga zona e mbrojtur pikërisht territorin ku ndodhet hec-i “Zais” i kompanisë “Seka Hydropwer”, që deri dje ishte zonë qëndrore e parkut. Në janar të këtij viti, në rekursin e kompanisë “Seka Hidropower” kundër banorëve të Zall-Gjoçaj, në Gjykatën e Lartë të Drejtësisë, një nga argumentet që renditet nga kompania koncensionare për t’u pranuar padia e tyre është edhe fakti se “vendimi nr. 10 dt. 28.12.2020 të Këshillit Kombëtar të Territorit në pikën 1.6 është përcaktuar kufiri i zonës së mbrojtur Lurë-Mali i Dejës, duke e nxjerrë përfundimisht jashtë zonës së mbrojtur Melthin dhe Zall-Gjoçaj e duke rrëzuar kështu çdo pretendim të paditësave…” Koordinimi mes shtetit dhe privatit është në linjë. Nuk hiqet hec-i nga Parku Kombëtar, por hiqet Parku nga Zonat e Mbrojtura. Edhe pse duket sikur kompania dhe shteti kanë gjetur tashmë një shtegdalje nga shkeljet që kanë kryer, paligjshmëria e tyre mbetet e pandryshueshme, pavarësisht ndryshimeve ligjore të mëpassshme.

Mbivendosja e Hartave të Zonimit të Parkut Lurë - Mali i Dejës, Janar 2022, Ronald Qema

Mbivendosja e Hartave të Zonimit të Parkut Lurë – Mali i Dejës, Janar 2022, Ronald Qema

 

Harta e Zonimit në vitin 2018

Shumë prej zonave të mbrojtura të listuara në vendimet e sipërpërmendura ju është zvogëluar shkalla e mbrojtjes, edhe pse shtuar në sipërfaqe, duke e kaluar nga mbrojtje në kategori strikte/të dytë e të tretë në kategori të IV. Kjo passjell rritjen e mundësisë së ndërhyrjeve kryesisht për interesa ekonomike në ato zona. Disa prej ekosistemeve natyrore si ai i “Bredhi i Sotirës”, “Qafshtama”, “Syri i Kaltër”, “Bredhi i Kardhiqit” dhe “Bredhi i Zhulatit”, iu është shtuar sipërfaqja e mbrojtur, por ju është zvogëluar shkalla e mbrojtjes ligjore, duke e zvogëluar nga mbrojtje e nivelit të parë, të dytë apo të tretë, në atë të kategorisë së katërt. Edhe Lumi i Vjosës, Mali i Munellës dhe Lugina e Shalës janë zonat e reja që i shtohen listës së zonave të mbrojtura mirëpo si parqe natyrore dhe me mbrojtjen e brishtë të kategorisë së katërt. Kjo mbrojtje e kategorisë së katërt veç e shton mosbesimin e të gjithë atyre aktivistëve, gazetarëve dhe ekspertëve mjedisorë të cilët ndër dy dekadat e fundit kanë dëshmuar ndërtime të njëpasnjëshme të jashtëligjshëm të hidrocentraleve edhe në zona të mbrojtura. Për sa kohë qeveria dhe ministria nuk del me një qëndrim dhe politikë të prerë në lidhje me dëmet mjedisore të shkaktuara nga hec-et e shumta të ndërtuara në mënyrë të pakontrolluar, me dëme të shumta mjedisore dhe për komunitetet pranë tyre, dyshimi vazhdon të qëndrojë se i njëjti fat i Valbonës e Zall-Gjoçajt, me hec-e dhe betone në zemër të tyre, i kanoset ende edhe këtyre zonave të mbrojtura nën kategorinë e katërt. Praktika grabitqare e shtetit shqiptar kundrejt zonave të mbrojtura pengmban entuziasmin edhe për rastet që mund të kishin qenë fatlume.

Edhe pse ende herët për të analizuar në detaj përmbajtjen dhe pasojat që sjellin këto dy vendime të Këshillit të Ministrave, për shkak të mungesës së të dhënave të qarta apo hartave përkatëse, ligjshmëria e tyre është kundërshtuar që në krye të herës dhe me një qëndrim të përbashkët më 30.07.2021 nga aktivistë mjedisorë, avokatë me ekspertizë të maturuar për çështjet mjedisore dhe studiues. Një grupim prej 48 organizatash kanë shprehur mosdakordësinë e tyre nisur fillimisht prej shkeljeve ligjore. Sipas tyre, Ministria e Mjedisit dhe Turizmit nuk ka bërë publike të gjithë dokumentacionin e domosdoshëm lidhur 53 VKM-të e Zonave të Mbrojtura, duke përfshirë këtu edhe hartat, duke e pamundësuar vlerësimin e saktë të ndryshimeve që do të pasonin. Sipas analizës dhe qëndrimit zyrtar të këtyre organizatave, ka munguar që prej fillimit Plani Specifik i Zonave të Mbrojtura, i detyrueshëm dhe i domosdoshëm sipas ligjit “Për Zonat e Mbrojtura”. Për asnjë prej 44 ekosistemeve natyrore të rreshtuara në vendimin nr. 10 të Këshillit Kombëtar të Territorit “Për Miratimin e kufijve të Zonave të Mbrojtura” nuk është marrë mendim me shkrim nga shkencëtarë/institucione akademike. Kjo vendimmarrje kaq e rrezikshme nuk është shoqëruar as me vlerësimet e ndikimit në mjedis, vlerësimin e ndikimit social dhe ekonomik, dhe mundësinë për kompensim për secilin prej banorëve drejpërdrejt të prekur. Një ndër kushtet ligjore që duhet plotësuar në rastin kur merret nisma për të ndryshuar sipërfaqen e zonave të mbrojtura është edhe konsultimi paraprak që duhet të zhvillohet me komunitetin e zonës, me pronarët që preken nga ndryshimet potenciale në territor, me institucionet shkencore dhe domosdoshmërisht me organet e qeverisjes vendore ku shtrihet zona. (neni 36 “Për Zonat e Mbrojtura”).

Protestë e shoqërisë civile kundër ndërtimit të HEC-eve, Qershor 2020, Ronald Qema

 

Gënjeshtra si qëndrim politik

Në fjalën e saj, përpara mediave Ministrja Kumbaro pohon:

Ky proces [i rishikimit të Zonave të Mbrojtura], i cili mbasi ka kaluar në të gjithë institucionet publike, por edhe bashkitë me të cilat ka qenë një proces i gjatë konsultimi, mbas miratimit të Këshillit Kombëtar të Territorit në 2020, u përfundua me të gjitha saktësimet dhe hartat përkatëse, në dy vendimet e sotme.”

Përgënjeshtrimi i institucioneve shtetërore është i domosdoshëm, por në këtë rast është edhe emergjent. Në sajë të një hulumtimi disa mujor (prill-maj-qershor) nga aktivistët e Grupit Ata lidhur me komunikimin dhe konsultimin e pretenduar me bashkitë, situata rezulton plotësisht ndryshe nga sa pohon me aq shumë siguri [lexo paturpësi] Ministrja publikisht. Prej 28 bashkive që është dashur të kontaktohen për shkak se zonat e mbrojtura janë pjesë e territorit të tyre, 26 prej tyre nuk kanë informacion, nuk disponojnë dokumentacion, nuk kanë dhënë pëlqim paraprak, nuk kanë korrespondencë me Ministrinë dhe Agjencinë, dhe as nuk janë në dijeni të vendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit. Pyetjet e drejtuara kundrejt bashkive ishin si më poshtë:

Me vendimin nr. 10, dt. 28.12.2020, të Këshillit Kombëtar të Territorit, janë miratuar kufijtë e zonave të mbrojtura dhe është bërë zonimi i brendshëm i tyre.  Ligji 81/2017 “Për Zonat e Mbrojtura”, në nenin 8, pika 3 dhe 4, përcakton detyrimin e autoritetit publik propozues për ndryshimin e sipërfaqes së zonës së mbrojtur, që për të caktuar formën e menaxhimit/administrimit të zonës së mbrojtur, ndër të tjera, të marrë edhe pëlqimin e kryetarit të bashkisë përkatëse. I njëjti detyrim është i parashikuar edhe në nenin 10 pika 6 (b) ku specifikisht parashikohet se pjesë e propozimit për miratimin e zonës së mbrojtur, përfshihet edhe miratimi me shkrim nga bashkia përkatëse. Nisur nga sa më sipër, kërkojmë nga ana juaj të na vini në dispozicion informacionin publik, si vijon:

  1. Pëlqimin paraprak të kryetarit të Bashkisë lidhur me propozimin e ardhur për mënyrën e menaxhimit të zonës së mbrojtur.
  2. Çdo dokument apo qëndrim që ka mbajtur bashkia lidhur me këtë proces për zonën e mbrojtur.

Përgjigjet e secilës prej 26 bashkive që u jemi drejtuar, mund t’i konsultoni më poshtë.

Bashkia Berat

Bashkia Berat

Bashkia Bulqize

 

Bashkia Bulqize
Bashkia Devoll

 

Bashkia Devoll
Bashkia Diber

 

Bashkia Diber
Bashkia Divjake

 

Bashkia Divjake
Bashkia e Elbasanit

 

Bashkia e Elbasanit
Bashkia Fier

 

Bashkia Fier
Bashkia Gjirokaster

 

Bashkia Gjirokaster
Bashkia Gramsh

 

Bashkia Gramsh
Bashkia Konispol

 

Bashkia Konispol
Bashkia Kruje

 

Bashkia Kruje
Bashkia Kukes

 

Bashkia Kukes
Bashkia Malesi e Madhe

 

Bashkia Malesi e Madhe
Bashkia Librazhd

 

Bashkia Librazhd
Bashkia Maliq

 

Bashkia Maliq
Bashkia Mat

 

Bashkia Mat
Bashkia Permet

 

Bashkia Permet
Bashkia Pogradec

 

Bashkia Pogradec
Bashkia Poliçan

 

Bashkia Poliçan
Bashkia Rrogozhine

 

Bashkia Rrogozhine
Bashkia Tepelene

 

Bashkia Tepelene
Bashkia Tirane

 

Bashkia Tirane
Bashkia Vau i Dejes

 

Bashkia Vau i Dejes
Bashkia Vlore

 

Bashkia Vlorë

Shumica e bashkive të mësipërme na njoftojnë që kanë marrë dijeni për këtë vendim për herë të parë vetëm nga shkresa jonë. Të gjendur në vështirësi dhe përpara një fakti që u bëhet me dije vetëm nga kjo kërkesë, shumë prej bashkive fillimisht nuk kanë kthyer përgjigje. Të ndërmjetësuar nga ankesat e shumta pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit, dhe pasi na bëjnë me dije se kanë zhvilluar një seri telefonatash me institucionet qëndrore për t’i pyetur mbi çështjen në fjalë, ia kanë dalë më në fund të na kthejnë përgjigje. Përgjigjet janë të thjeshta, thuajse të njëjta me njëra-tjetrën. Mohojnë që kanë informacion. Mohojnë që janë përfshirë në procese konsultuese për çështjen në fjalë. Mohojnë që kryetari i bashkisë të ketë dhënë pëlqim apo miratim. Mohojnë të kenë marrë apo të kenë dërguar dokumente zyrtare lidhur me këtë nismë, që sipas fjalës së Ministres “ka shumë vite që po punojnë në terren”.

Disa prej përfaqësuesve të bashkive, me zë të tendosur, nuk kanë hezituar të telefonojnë aktivistet që u janë drejtuar me kërkesa, duke u kërkuar llogari për pyetje të tilla. Të tjera bashki janë treguar aq verbërisht besimplotë sa edhe pyetjeve tona nëse janë të njoftuar dhe nëse kanë dhënë pranimin për ndryshimin e zonave u janë përgjigjur me: “Po, jemi dakord dhe shprehim miratimin tonë për ndryshimin e sipërfaqes së zonës së mbrojtur”; duke keqkuptuar krejtësisht objektin e kërkesës, me idenë se dërguesit e shkresave janë inicues të nismës së ndryshimit të kufijve të zonave të mbrojtura, dhe jo aktivistë që ndjekin çështjen e kufijve. Kjo përgjigje që tingëllon komike, është në fakt çelësi me të cilën mund të lexohet njëlloj edhe lehtësia e padurueshme e qënies Ministre, që pohon, që të gjitha bashkitë janë të përfshira në këtë proces të gjatë. Me të njëjtën lehtësi që disa bashki pranojnë të miratojnë rizonimin, me të njëjtën lehtësi Ministrja Kumbaro pohon një proces jo të vërtetë dhe krejtësisht të parregullt.

Bashkia Delvine

 

Bashkia Delvine
Bashkia Puke

 

Bashkia Pukë

Fjalimi i para dy ditëve i Ministres ia doli që disa sentimentalistë të çështjeve mjedisore t’i bënte përvete me përdorimin e termave si “park natyror” të shoqëruar nga një ton kinse i brengosur për fatin e mjedisit. Mirëpo, kur këto terma analizohen në mënyrë kritike duke ua parë domethënien ligjore dhe duke ua ndjekur procesin që tentojnë të mbulojnë përmes sentimentalizmit mjedisor, përdorimi i tyre na del të jetë hi syve që po përpiqet të hidhet në publik për të mbuluar jo mbrojtjen, por zhveshjen nga mbrojtja të zonave të mbrojtura. Mbrojtja e kategorisë së katërt dhe tkurrja e kufijve të zonave të mbrojtura veç i ul barrierat për ndërtimet abuzive të rradhës, siç po ndodh me ndërtimet e hec-eve në çdo rrëke duke tharë tokat, shtëpitë dhe fytet e fshatarëve dhe duke shkatërruar ekosistemet në shërbim të privatizimit të të mirave natyrore të përbashkëta. Nuk ka ndodhur asnjë ndryshim domethënës trajektoreje në qasjen e qeverisë ndaj mjedisit, kështu që nuk ka asnjë arsye pse qytetarët, gazetarët dhe aktivistët të ulin mbrojtjen e tyre nga propoganda e saj. E vetmja gjë që duket se po ulet është mbrojtja e mjedisit dhe pasurive tona të përbashkëta.

  • Post comments:2 Comments

This Post Has 2 Comments

Lini një përgjigje