“Për drejtësi nuk është kurrë vonë”. Banorët dhe aktivistët e Zall-Gjoçajt aksion përpara Gjykatës Administrative të Apelit

nyje.al | 20.09.2024 

“Dua që ujin e vjedhur të na e kthejnë mbrapsht” qe fjalia e vetme e Anxhelinës, bijë e Zall-Gjoçaj, drejtuar Gjykatës Administrative të Apelit teksa në duar mbante një pankartë me mbishkrimin “Apel për Drejtësi”. Ajo bashkë me prindërit e saj, banorë të zonës dhe aktivistë të Mbro Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj u mblodhën dje në ballë të gjykatës për të kërkuar shqyrtimin e çështjeve të ankimit të dorëzuara që në vitin 2020. Prej 4 vitesh ata presin që Gjykata Administrative e Apelit të trajtojë kundërshtimin e vendimeve të marra nga trupa gjykuese në shkallën e parë të gjykimit administrativ, vendime që u kanë dhënë të drejtë institucioneve dhe kompanisë private për të ndërtuar HEC-e në Zonë të Mbrojtur. 

Por sipas aktivistëve koha e ka treguar që e drejta i takon lumit, mjedisit e atyre që për shekuj e kanë ruajtur po aq sa përdorur. Akt-inspektimi i realizuar së fundmi në Zall-Gjoçaj tregon qartë, thonë ata, që ndërtimi i HEC-eve po çon në tjetërsim e në rast mosveprimi edhe shkatërrim të eko-sistemeve të lumenjve Flim dhe Urakë. I hartuar nga biologu Melitjan Nezaj, ky akt-inspektim u dorëzua në gjykatë si provë e re, bashkë me tre kërkesa për përshpejtim të proceseve nga avokati i palës Franc Terihati. 

Shumë kohë ka kaluar u shprehën aktivistët por kjo nuk është arsye për të hequr dorë dhe për të lejuar degradimin përfundimtar të asaj zone që deri para pak muajsh kategorizohej si Zonë e Mbrojtur. Ndaj sot përballë gjykatës ata mbanin në duar banderolën“Për drejtësi nuk është kurrë vonë”. Aktivisti Dhimitër Koleci kërkoi nga gjykatësit të njihen me këtë provë të re të dorëzuar dhë të nisi shqyrtimi që mos ti jepet më shumë kohë shkretimit të dy kanioneve, Flimit dhe Urakës. 

“Çështja jonë ka 5 vite që fle nëpër sirtaret e pluhurosura të gjykatës. I bëjmë thirrje gjykatës të shqyrtojë dosjen e Zall-Gjoçajt të cilës i vjen era korrupsion dhe padrejtësi. Sot kemi dorëzuar dhe prova të reja para kësaj gjykate që vërtetojnë që zona është kthyer në një shkretëtirë pas ndërtimit të këtyre HEC-eve. Zona po rrënohet dhe po braktiset nga njerëzit të cilët kanë mbetur pa ujë. Gjallesat nuk kanë më asnjë pikë uji. Dosjet tona flenë bashkë me ju.”

I pranishëm në aksionin e aktivistëve, eksperti mjedisor Melitjan Nezaj që ka parë nga afër pjesë të ndryshme të zonës, tregoi se ka një rrezik imediat për një larmi gjallesash në teh mes ekzistencës dhe zhdukjes. Këto punime të jashtëligjshme, sipas vëzhgimeve dhe ekspertizës së tij, do kenë pasoja afatgjatë nëse nuk ndalohen sa më shpejt.

Zona është e larmishme me bimë dhe kafshë të rrezikuara që duhet të mbroheshin sipas legjislacionit shqiptar. Problemi më i madh me çështjen është ndërtimi i paligjshëm që është bërë gjatë kohës që zona ka qënë pjesë e parkut kombëtar Lurë- Mali i Dejës. Këto punime janë bërë në mënyrë të kundraligjshme për muaj të tërë pa u vënë re nga institucionet përgjegjëse.Ndikimet në florë dhe faunë pritet të jenë për vite me rradhë nëse vazhdon operimi i projekteve.”

Akt-inspektim pas futjes së lumit në tuba

Beteja e komunitetit të Zall-Gjoçajt kundër ndërtimit të HEC-eve Zajs dhe Sekë mbi lumin Urakë dhe përroin e Melthit vazhdon tashmë prej 5 vitesh. Hartimi dhe zbatimi i këtij projekti  është kryer duke përjashtuar nga vendimmarrja banorët të cilët kanë qënë të parët që kanë identifikuar shkeljet që po kryheshin. Që në vitin 2019 ata kanë denoncuar kompaninë për një sërë shkeljesh si falsifikime dokumentash, shpërdorim detyre, shkatërrim të rrjetit të ujësjellsit dhe ndotje të ujit dhe tokës. Kjo veprimtari e kësaj kompanie ka shkaktuar dëme të parikuperueshme në mjedis duke kufizuar ujin e pijshëm për banorët përreth dhe duke cënuar një zonë mjedisore të mbrojtur e supozuar të ishte jashtë çdolloj rreziku shfrytëzimi apo keqpërdorimi. 

Përveç ndikimit në mjedis, kjo tkurrje e lumit ka sjellë edhe ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e banuesëve të zonës për te cilët uji i lumit shërben si element thelbësor dhe përdoret gjerësisht në veprimtaritë e përditshme pasi me anë të tij furnizohen me ujë të pijshëm rreth 11 fshatra, mijra bagëti, bletë dhe shumë lloj kafshësh të tjera. Nëse ngremë pyetjen se si do të jenë këto fshatra pas disa vitesh, rasti më optimist do të ishte braktisja nga një pjesë e banorëve ndërkohë që rasti më realist ka gjasa të jetë shpërbërja e të gjithë fshtrave që furnizohen nga ai burim në rrezik zhdukjeje.

Një nga shqetësimet më të përmendura nga banorët ka qenë dhe mungesa e një studimi të detajuar për pasojat që ndërtimi i impjanteve të prodhimit do i shkaktonte lumit. Më 15-16 qershor të këtij viti, në një ekspeditë monitoruese me qëllim vlerësimin e ndikimeve të shkaktuara nga këto dy HEC-e (Zajs,Sekë), u krahasua prania dhe mosprania e 5 llojeve indikatore të grupeve të ndryshme të cilat pasqyrojnë gjendjen biotike/abiotike të një mjedisi.

Kjo metodë krahasimore  e gjendur në aktin e inspektimit të kryer së fundmi, është tashmë vërtetësi e akuzave të banorëve mbi pasaktësitë dhe mungesat në raportin e projektit të kompanisë ndërtuese. Sipas tij, në lumin Urakë , ndërtimi i HEC-eve ka shkaktuar zhdukjen e troftës së murrme, gjarprit të ujit dhe bretkosave të gjinisë Rana, të cilat e kanë të domosdoshme praninë e ujit. Ndërkohë që në Melth, Lam i Madh dhe Gjoçaj, si pasojë e tharjes së shtratit të lumit, të vetmet burimë janë ato në trajtën e krojeve, shumë të pakta në numër. Sedum Acre, një bimë e cila rritet në mjedise të thata, është gjetur në lumin e Melthit duke dëshmuar tjetërsimin e mjedisit.

Lloji bimor Sedum Acre, Kanioni i Lumit Flim, Korrik 2024, Ronald Qema

Ndryshe nga vlerësimi në projekt i cili e konsideron të papërfillshëm ndikimin në mjedis, në aktin e inspektimin thuhet se dëmet e shkaktuara janë të përhershme dhe të parikuperueshme në praninë e veprave të ndërtuara.

Në rrezik edhe bletaria

Të ardhur si çdo herë tjetër nga fshatrat e  Zall-Gjoçaj për të qënë të pranishëm në aksionin e rradhës, aktivistët Abdi Toçi dhe Adem Gjokola kërkuan drejtësi për vendin ku jetojnë dhe ushtrojnë veprimtaritë e tyre ekonomike.

“Në fshatin tonë ne merremi kryesisht me blegtori dhe bletari por tani po ngordhin të gjitha gjallesat. Jeta jonë është e lidhur ndër breza me atë vend prandaj ne kërkojmë drejtësi dhe vetëm drejtësi.”

Abdiu prej vitesh, pas daljes nga puna në minierë, aktivitet ekonomik primar ka pasur bletarinë. Aktivitet që këtë vit rrezikon të sjellë përfitim të papërfillshëm. Nga mungesa e ujit, shpjegon ai, bletët këtë vit janë larguar masivisht duke lënë edhe zgjuan bosh. Një të tillë ai e solli sot në dyert e gjykatës me mbishkrimin “unë vdiqa nga padrejtësia”. 

Në përmbyllje të aksionit, Dhimitër Koleci iu drejtua gjykatës me kërkesën për shqyrtim sa më të shpejtë të dokumenteve të dorëzuara sot dhe u zotua që komuniteti i Zall-Gjoçaj nuk do të heqë dorë nga kërkimi i së drejtës. Ata do të jenë aty në çdo seancë ku diskutohet fati i vendit të tyre por edhe cilësdo hapësire natyrore nën rrezikun e kthetrave të shkatërrimit. Thënë kjo, aktivisti Koleci njoftoi që do të jënë në sallën e gjykatës më date 25 shtator për seancën e radhës të çështjes së kundërshtimit të VKM-së që ndryshoi kufinjtë e hartave të Zonave të Mbrojtura. 

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje