Ngritje pa krye

Në kuadër të zbatimit të projektit “24601”, financuar dhe përkrahur nga qëndra LëvizAlbania, grupi i vajzave të FemArt me regji të Ergys Malsisë, në bashkëpunim me grupin Ata, arriti të vinte në skenën e teatrit të Pallatit te Kulturës, Kamëz, mbrëmjen e 21 janarit, shfaqjen teatrale “Ngritje pa krye”.


Kjo shfaqje trajtonte problemet sociale me të cilat ndeshen çdo ditë gratë dhe vajzat e punësuara nëpër fasoneri. Midis padrejtësive ekonomike, vështirësive gjatë procesit të punës, dhe kushteve të rënda të cilat janë të detyruara t’i pranojnë, secila prej personazheve me një ironi të hollë dhe herë-herë në formën e shakasë naive, thumbon “mbetjet dhe adetet” e një shoqërie patriarkale. Fillon me kryengritje, si mënyrë për të apeluar një gjendje rebelimi ndër gra, dhe përfundon si një ngritje pa krye, fakt që tregon sesi përditshmëria me nevojat që mbart, na mëson vazhdimin e pranimit dhe pësimit duke ua pamundësuar kryengritjen!


FemArt është një grup vajzash aktiviste pranë grupit Ata që zhvillojnë takime teorike me njëra-tjetrën për të krijuar një klimë miqësore mes tyre dhe për të kompensuar ato që ua ka marrë qyteti dhe shoqëria që i rrethon: lirinë. Realiteti i ashpër i qytetit periferik ka prodhuar një formë rezistence ndaj shoqërisë me mendësi patriarkale, nëpërmjet këtij grupi. Duke i kthyer qasjet teorike në akte kreative, artin duke e përdorur si mjet që gjeneron ide provokuese, dhe idetë për të rritur ndjeshmërinë ndaj problematikave të përbashkëta, grupi i vajzave kritikon simbolikisht nëpërmjet performancave minimaliste mendësinë patriarkale të qytetit të Kamzës.

  • Post comments:1 Comment

This Post Has One Comment

Lini një përgjigje