Në shkelje të Direktivës Evropiane për Riatdhesimin, qeveria italiane deporton direkt nga Shqipëria pesë emigrantë nga Gjadri

Artikulli origjinal botuar në italisht në Altreconomia me autorë Luca Rondi dhe Kristina Millona, përkthyer dhe përshtatur për Nyje nga Kristina Millona | 29.06.2025 | nyje.al

Më 9 maj, një fluturim çarter me pikënisje nga Roma për në Kajro ndaloi në aeroportin e Rinasit për të marrë pesë shtetas egjiptianë të ndaluar në Qendrën e Paraburgimit për Riatdhesim (CPR) në Gjadër. Një operacion i dyshimtë nga aspekti ligjor sikurse argumentojnë ekspertë të shumtë. “Një ngjarje shumë serioze”, nënvizon Gianfranco Schiavone nga Shoqata për Studime Juridike mbi Imigracionin (ASGI), “sepse transferimi nga CPR në aeroport u zhvillua jashtë juridiksionit italian dhe për rrjedhojë jashtë çdo kornize ligjore garantuese për respektimin e të drejtave bazike të emigrantëve”.

Operacioni i majit 2025 për deportimin e pesë egjiptianëve nga Shqipëria në Egjipt është i paprecedent dhe rasti i parë i regjistruar i deportimit të drejtpërdrejtë nga një vend jashtë BE-së i realizuar nga një shtet anëtar. Sikurse e konfirmuar nga Ministria e Brendshme në Itali, autoritetet italiane në bashkëpunim më ato shqiptare kanë realizuar riatdhesimin e parë direkt të emigrantëve nga Shqipëria më 9 maj. Një procedurë e paprecedentë që qeveria italiane ka vendosur ta kalojë në heshtje. “Një fakt serioz që vë në rrezik stabilitetin e kuadrit ligjor evropian dhe respektimin e të drejtave themelore të personave të përfshirë”, denoncon Francesco Ferri, ekspert i emigracionit për organizatën “ActionAid Italia”.

Të dhëna mbi pasagjerët në tre fluturimet e deportimeve, në kolonën e parë numri i të deportuarëve dhe në të dytën numri i efektivëve të Policisë

Sipas statistikave nga Ministria e Brendshme në Itali, që nga koha kur qendrat në Gjadër u rihapën si qendra riatdhesimi më 11 prill deri në fund të qershorit, janë transferuar rreth 110 persona. Deri më 21 maj, një total prej 24 individësh u sollën përsëri në Itali për t’u riatdhesuar më pas në vendet e tyre të origjinës. Sipas direktivave në fuqi, dukej se askush nuk ishte dëbuar drejtpërdrejt nga Gjadri, por shkresat e Drejtorisë Qendrore të Emigracionit dhe Policisë Kufitare në Itali, të përftuara nga Altreconomia, tregojnë të kundërtën.

Më 28 prill të vitit të kaluar, në fakt, zyra brenda Ministrisë së Brendshme publikoi një tender publik për një shërbim me qira të një avioni për dëbimin e të huajve të paligjshëm. Një proces standard për procedurat e riatdhesimit në Itali që, megjithatë, këtë herë, kishte një veçanti: operacioni i riatdhesimit drejt Egjiptit kërkonte që avioni të bënte një “ndalesë” të ndërmjetme në Tiranë.

Në fund të pasdites së 8 majit, operatori Pas professional solution Srl, nënshkroi kontratën prej 113,850 eurosh për shërbimet e kërkuara nga Ministria e Brendshme. Të nesërmen, një aeroplan u nis nga Roma Fiumicino për në kryeqytetin shqiptar, ku u ul rreth orës 3:30 të pasdites, dhe më pas u nis përsëri një orë e gjysmë më vonë për në Kajro, me emigrantët të zhvendosur nga CPR në Gjadër drejt  bordit të avionit.

Sipas të dhënave të marra nga Altreconomia, nga 11 prilli deri më 21 maj, pati pesë emigrantë me origjinë egjiptjane të transferuar në Gjadër dhe po aq riatdhesime të shtetasve egjiptianë, pikërisht ata që përfunduan në fluturimin e 9 majit. Ministria e Brendshme në Itali, kur u pyet për këtë gjë, nuk iu përgjigj kërkesave tona për sqarim.

Kampi i emigrantëve azil-kërkues në Gjadër

Kjo lëvizje e qeverisë italiane, e cila është mbajtur “sekret” deri më tani, ngre shumë pikëpyetje, para së gjithash në lidhje me vetë ligjshmërinë e procedurës. “Edhe nëse dikush do të donte të argumentonte, me një tezë që sipas mendimit tim është e pabazuar, se CPR në Gjadër është e krahasueshme me qendrat në territorin kombëtar italian – shpjegon Schiavone, – nuk është në asnjë mënyrë e pranueshme të parashikohet që personi të nxirret nga zona e qendrës së paraburgimit, në territorin shqiptar, dhe më pas të riatdhesohet që andej”.

Sipas Schiavone, ekziston një shkelje serioze e rezervës ligjore të parashikuar nga Neni 13 i Kushtetutës. “Operacionet policore të kryera jashtë qendrës së Gjadrit në territorin shqiptar kundër personave të transportuar në këtë rast në aeroport janë të zhveshura nga kontrolli juridiksional. Ajo që ndodhi është në fakt shumë serioze”.

Në këtë kontekst, Egjipti mund të ketë luajtur një rol të rëndësishëm. Ministri i Brendshëm italian Matteo Piantedosi u takua me homologun e tij egjiptian Mahmoud Tawfiq në një takim dypalësh më 9 prill. Gjatë takimit, sipas Ministrisë së Brendshme, ministrat shqyrtuan çështje të ndryshme, përfshirë atë të flukseve migratore. Megjithatë, nuk është e sigurt nëse u diskutua edhe operacioni i fluturimit nga Tirana.

Në dijeni të operacionit është edhe aeroporti ndërkombëtar i Tiranës. Që nga viti 2020, pronësia e aeroportit është blerë nga Kastrati Group. Piervittorio Farabbi, një inxhinier aeronautik dhe drejtor operacionesh italiane, është pjesë e bordit të drejtorëve, i cili ka mbikëqyrur menaxhimin operativ të aeroportit që nga prilli i vitit 2023. Farabbi në të kaluarën ishte drejtor i aeroportit të Perugia-s dhe i Sacal, një kompani aeroportuale kalabreze. Bordi menaxhues i aeroportit, i kontaktuar nga Altreconomia, nuk u përgjigj, as Ministria e Punëve të Brendshme e Shqipërisë. Policia e Shtetit Shqiptar, nga ana tjetër, e anashkaloi çështjen, duke na thënë të kontaktojmë autoritetet italiane.

Për Francesco Ferri-n e ActionAid Italia, i cili vizitoi qendrën në Gjadër me grupet e inspektimit  më 17 dhe 18 qershor kritikon procedurat e riatdhesimit “Me transformimin e qendrave në CPR më 11 prill, mungesa e transparencës është përkeqësuar”, shpjegon ai. “Mësuam për një person të riatdhesuar nga Tirana gjatë vizitës dhe kjo është një çështje shumë serioze.”

Nga njëra anë, Italia po tenton të zbatojë atë që parashikohet në rregulloren e re të propozuar për riatdhesimet nga Komisioni Evropian (ende i pavotuar në parlamentin evropian), por nga ana tjetër “duke minuar stabilitetin e kuadrit ligjor evropian”, ku emigrantët janë të ekspozuar ndaj shkeljeve të rënda të të drejtave. “Tashmë në këto muaj kemi luftuar shumë për të gjetur emigrantët që u kthyen në Itali nga Gjadri dhe u lanë të lirë; nëse njerëzit riatdhesohen direkt, kjo bëhet pothuajse e pamundur – nënvizon ai. Bëhet edhe më e vështirë të rindërtohet dhe të dihet se në çfarë kushtesh ishin të mbyllur njerëzit dhe nëse të drejtat e tyre respektoheshin”.

Së fundmi, çështja e kostove të kripura mbetet shqetësuese: “ndalesa” në Tiranë kushtoi “vetëm 31,779 euro më shumë” në qiranë e një avioni çarter sesa operacioni i fundit i riatdhesimit, i të njëjtit numër njerëzish, nga Italia në Egjipt. Kjo do të thotë, për pesë persona të kthyer nga Shqipëria, operaconi iu ka kushtuar taksapaguesve italianë më shumë se 6,300 euro për person.

Deputetja e Partisë Demokratike, Rachele Scarpa, sfidoi ligjshmërinë e operacionit, duke kërkuar sqarime nga qeveria në senatin italian. Ministria e Brendshme pretendoi se marrëveshjet dypalëshe me Tiranën i bëjnë të ligjshme deportimet e tilla, edhe pse nuk është dhënë asnjë bazë e qartë ligjore. Fill pas publikimit të ngjarjes, çështja ka shkaktuar polemika ligjore dhe politike, me Italinë e akuzuar për minimin e ligjit të BE-së mbi migracionin përmes praktikave sekrete dhe jashtëgjyqësore. Në 24 qershor, një grup eurodeputetësh italianë i paraqitën një kërkesë urgjente Komisionit Evropian për të nisur një hetim mbi operacionin dhe shkeljen e mundshme të ligjit të BE-së dhe ligjin kombëtar italian. 

Pavarësisht polemikave dhe kalimit të çështjes në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, qeveria italiane ka vijuar e pashqetësuar me deportime të reja duke transferuar 15 emigrantë të tjerë në Gjadër ditën e enjte të datës 26 qershor. 

 Imazhet në artikull dhe ballinë: Klodiana Millona

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje