Në kërkim të një ure dhe vijave të bardha

Ronald Qema & Diana Malaj | nyje.al
Frutikultura është një ndër lagjet e Kamzës që dikur ishte një fushë e madhe e shndërruar në pemtari që prodhonte fruta për të gjithë vendin por edhe për eksport. Dardha, kumbulla, pjeshkë e shumë kultura të tjera frutash prodhoheshin me tonelata në tokën shumë prodhuese në të cilën kalonte edhe Lumi i Tiranës. Me ardhjen e viteve ‘90, si çdo zonë tjetër e periferisë së Tiranës, edhe Frutikultura u popullua me familje që vinin nga të gjitha zonat e Shqipërise. Zhvillimi demografik nuk ka qenë në përpjestim të drejtë me zhvillimin urban, ku vetëm në dekadën e fundit është ndërhyrë në infrastrukturë.  
Vija të bardha dhe pengesa që të ruajmë fëmijët
Bulevardi “Donald Trump” është arteria kryesore infrastrukturore që lidh Frutikulturën me Bulevardin Blu, e shtruar vitet e fundit por e pa përfunduar me sinjalistikën e nevojshme. Banorët tregojnë se ndihen të pasigurtë në kalimin e rrugës nga njëri krah në tjetrin pasi vijat e bardha për këmbësorët mungojnë dhë shpejtësia me të cilën lëvizin automjetet i kalon limitet për një zonë të banuar. Një zotëri që banon rrëzë rrugës u shpreh me ironi: 

“S’janë bërë vijat e bardha ende, se s’është çliruar akoma Shqipëria. 

Duhet të vijë Ismail Qemali dhe të bëhen.”


Një nga degëzimet e fund-Bulevardit Trump, të çon drejt shkollës 9-vjeçare “Hillary Clinton”, rrugë që ka të ngjyrosura 5 vija mbi të por mungojnë trotuarët anësorë, ndarëset metalike në to që një institucion arsimor duhet t’i ketë. Kësaj rruge në të cilën kalojnë me dhjetra fëmijë çdo ditë i mungojnë gjithashtu pengesat që shërbejnë për sinjalizimin e uljes së shpejtësisë. Prindërit shpesh janë shprehur të shqetësuar për pasigurinë e fëmijëve që e frekuentojnë këtë shkollë. 

Këmbët në shpinë dhe kalo lumin
Nëse dikur Lumi i Tiranës ishte bekim për shkak se ndikonte në pjellorinë e tokës dhe rrjedhimisht edhe në prodhimtarinë e pemtarisë, sot është shndërruar në një mallkim për banorët e zonës pasi mungon një urë që lidh dy anët e lumit dhe detyrohen të kalojnë përmes tij. Përpara se të hynë në lumë banorët heqin këpucët, përvjelin pantollonat dhe rimbathen pasi të kalojnë lumin, që është tejet i ndotur dhe mbart me vete një rrezik alarmant.  
Një kalimtare bashkë me fëmijën e saj shprehet me shqetësim për zonën e lumit. Përpos mungesës së urës dhe vështirësisë në kalim në këtë rrugë, e cila përdoret gjerësisht nga banorët e zonës, edhe pse rrugë dytësore, zona po i nënshtrohet gërryerjes nga makineri për të cilat janë ngritur dyshime nga banorët përreth. “Shohim çdo ditë eskavatorë që gërryjnë dhe marrin materiale të cilat i përdorin për vete, as s’e dimë kush janë, as çfarë bëjnë.”  
Redaksia jonë i është drejtuar bashkisë Kamëz nëpërmjet një kërkese për informim e cila synonte të informohej nëse bashkia ka bërë studim për rrezikshmërinë e lumit në Frutikulturë si burim infeksionesh për qytetarët e kësaj zone, nëse ka hetuar se cila prej kompanive po gërryen dhe po merr materiale të bregut të lumit; si dhe nëse bashkia në bashkëpunim me institucionet e tjera përgjegjëse qendrore ka një plan potencial për rehabilitimin e zonës. Për të gjitha këto pyetje përgjigjia ishte e njejtë: jo. Edhe pse banorët ankojnë për neglizhencën institucionale të treguar ndër vite lidhur me lumin e Tiranës, bashkia dhe institucionet e tjera nuk janë interesuar deri më tani.  

Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore u përgjigj se nuk ka një plan për rehabilitimin e zonës. Ky institucion na informon se bashkëpunimi me Bashkinë e Kamzës realizohet nëpërmjet vendimmarrjes në Këshillin e Basenit ujor Ishëm, të cilët në procesin e tyre vendimmarrës duhet të marrin parasysh kërkesat dhe mendimet e publikut që preket drejtpërdrejt nga një plan potencial. 
Kamzës, sa vjen e më shumë po i shtohet popullsia. Paralelisht me rritjen numerike të saj, po rritet numri i pallateve të reja në qëndër të qytetit, rrjedhimisht hapësirat e përbashkëta rekreacionale po ngushtohen. Vëmendja institucionale është krejtësisht e zhvendosur nga nevojat e qytetarëve për të investuar në hapësira të gjelbra, në parqe e pyje të cilat do i jepnin frymëmarrje qytetit. Për shkak të punës në terren jemi njohur me raste kur pyjet e krijuara nga komunitetet rrezikojnë të tranformohen në hapësira të privatizuara nga biznese fitimprurëse, siç është ai i rastit të pyllit të Brukës.

Derdhja e ujërave të zeza dhe hedhja e mbeturinave e ka shndërruar këtë lumë në një zonë të ndotur, me aromë të rëndë, kur mund të ishtë një një ndër pikat kyçe të rekreacionit në qytet, propozim i shtruar nga banorët e fshtatit të Frutikulturës.  

*Ky shkrim mbështetet nga Lëviz Albania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje