Nyje.al | 15.11.2021
Në shumë rrugë të Kamzës, një drejtues mjeti përshkon të njëjtën distancë me kohë të njëjtë me një drejtues biçiklete. Për këtë nderimet i shkojnë gjendjes së rrugëve në qytetin tonë, ku secili udhëton më vigjilencë të shtuar për gropën e rradhës që mund të hasë. Rrugët e Kamzës janë shtruar me asfalt, më pas janë prishur, e më pas janë çjerrë nga kanalizimet: herë të ujit të pijshëm e herë të ujërave të zeza. Diku has kanale që ta presin rrugën nga njëri cepi në tjetrin e diku të rrjepur horizontalisht në të gjithë gjatësinë e saj.
Rruga NATO, prej dy muajsh e përgjysmuar
Këtë fund vere, banorët e Valiasit të Ri hoqën qafe problemin e madh të kanalizimeve me ndërhyrjen e Bashkisë në sistemin e ujërave të zeza. Për hapjen e kanalit u gërmua gjysma e rrugës në të gjithë gjatësinë e saj, duke e ngushtuar hapësirën për lëvizjen e automjeteve. Pas përfundimit të investimit, kjo pjesë e rrugës u mbulua dhe u sheshua me dhè, por pa e rikthyer në gjendjen e mëparshme, të asfaltuar. Kjo ka shkaktuar probleme në qarkullimin e mjeteve por edhe në përditshmërinë e banorëve.
Bukurie D., shitëse në një market familjar i tregoi redaksisë që prej dy muajsh askush nuk është dukur për ta sistemuar rrugën dhe pluhuri e balta përballë biznesit të saj e shqetëson shumë.
Pjesa e mbetur e asfaltuar përdoret nga makinat që lëvizin në të dy kahet e drejtimit, e pamjaftueshme për këmbimin e mjeteve, dhe me rrezik që të jetë burim aksidenti.
Banorë të tjerë janë të kënaqur me faktin që tashmë kanalizimet u kryen dhe se asfaltimi është në plan të dytë.
“Këto rrugët kanë qenë shumë keq, pa kanalizime, me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste dhe kryetarit Rakip Suli, u rregulluan ujërat e zeza dhe të bardha. …Asfaltimin edhe mund ta kishte bërë, mirëpo s’ka fillu me asfaltimin, ka fillu vetëm me kanalizimin. Domethënë kaq fonde, kaq mundësi ka Bashkia.” – tregon zotëria që banon aty pranë.
Bashkia dhe Media
Për të konfirmuar ose jo mungesën e fondeve apo domosdoshmërive të tjera institucionale për investime infrastrukturore, redaksia jonë iu drejtua Bashkisë së Kamzës.
Zyra e Drejtorit të Medias në Bashkinë e Kamzës
Zyra e Medias na njoftoi t’i drejtohemi për një kërkesë për informim, përgjigjen e të cilës zakonisht do e merrnim pas 14 ditësh edhe pse janë së paku gjashtë të punësuar në këtë sektor. Një kohë kaq e gjatë e bën problemin të vazhdojë, kështuqë kërkuam takim me një përfaqësues të Bashkisë mbi Investimet Publike, e cila ishte në takim me Kryetarin dhe Informacioni i Bashkisë Kamëz tha që do na njoftojë kur punonjësja të jetë gati. Kanë kaluar më shumë se dy javë dhe ende në pritje të përgjigjes, por deri në ardhjen e saj redaksia e nyje.al po publikon lajmin me shpresën që do detyrohemi ta ndryshojmë atë duke ndjekur ecurinë e transparencës së Bashkisë.