Mziu në faqen e parë të revistës Star People/ Intervista e plotë

05.02.2019 | nyje.al

-Zoti ekziston, mund të ekzistojë, duhet të ekzistojë apo nuk ekziston?!
Estrëjfkullah me këtë të fundit (këtu luan vendit). Zoti ekziston dhe lëreni në punë të vet. Duket që natyrës njerëzore i ka dhënë luksin dhe të dyshojë në ekzistencën e tij. Pikërisht këtu qëndron forca dhe toleranca e tij. Këtë duhet ta merrni si një sprovë. Mos u ngutni.
-Hera e fundit që keni qarë në teatër?
Haha s’e di pse këtu dhe për këtë kërkoj ndjesë, m’u kujtua e hera e fundit që kam qeshur në teatër. Është me Komedinë “Opera për tri grosh” shkruar nga Vaclav Haveli ku gjatë shfaqjes fiken dritat dhe aktorit i duhet të përshtasë batutën me kontekstin ku gjendej. Por që të ngelemi tek pyetja juaj, kam qarë sërisht nga interpretimi i të njëjtit aktor, Arben Derhemi, në Pallatin e Kulturës këtu në Kamëz me monodramën e At Zef Pllumit, “Rrno për me tregue”. Kur rrëfejnë të vjetrit përgjithësisht unë vetëm rri e dëgjoj. Ka raste që qaj. Ndodhi.
-Nëse do ishit pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit do propozonit diçka ndryshe? Të them të drejtën gegnishtja mua më pëlqen shumë saqë ndonjëherë më vjen keq e inat që jam kryetar bashkie e më duhet të flas në gjuhën standarte, t’i përmbahem etikës. Takimet me elektoratin janë pjesa më e shijshme e fushatës, më shumë sesa fitorja madje. Aty dëgjon një repertor të pasur gjuhësor që dëshmon për pasurinë kulturore që kemi. Kur u ankua dhe Faik Konica për atë vendim që ishte nga jugu i Shqipërisë çfarë duhet të mendoj një dibran si puna ime!!!
-Shihni ndonjë unitet të qartë kulturor mes banorëve të përzier të Kamzës? Kam parasysh këtu kuksianët, dibranët, pukjanët, tropojanët, burrelsit.
Hehe… kjo pyetje s’e di pse por më kujton urbanët e Kamzës në pikun e tyre. Kamza është një familje e madhe që ka vend për të gjithë. Në përgjithësi të gjithë janë njerëz që e duan vendin e tyre, respektojnë familjen, dhe që duan të jenë më të mirë sesa ç’janë. Këtu e shoh unitetin.
-Njeriu në thelb është një qenie e mirë apo e keqe?!
Po të isha në kushte qetësie do mendoja që njeriu është i keq në thelbin e tij por shyqyr që jam i zënë me shumë punë dhe nuk kam kohë të arrij në përfundime të tilla. Unë jam një qenie e mirë, për të tjerët nuk di gjë e as mbaj përgjegjësi, edhe pse jam kryetar bashkie (këtu qesh).
-Toleranca fetare në Shqipëri, ekziston apo zbukurime në shfaqjet televizive?
Në Kamëz myslimani ha mish derri e pi raki, i krishteri bën ballokume për Ditën e Verës, një bektashi ushqehet me mish lepuri, dhe një ortodoks agjëron për Natën e Kadrit.
-Mendoni që do e vrisnit një njeri në kushtet kur ai kërcënon jetën tuaj apo të të dashurve tuaj?
Hehe pyetje labaratorike. “Sa të tmerrshme e mendoj botën pa mua”, thoshte Spinoza kur mendonte për vdekjen. Mbase bota do ishte më e këndshme nga mungesa e disa personave të tillë kërcënues por prapë e vështirë dhe e rëndë si zgjedhje. Dyshoj që në këtë botë nuk ka vrasës gjakftohtë. Njeriu nuk vret për qejf përgjithësisht.
-Libri i fundit që ju ka zhgënjyer?
“Kur sunduesit grinden” i Kadaresë. Mund të ishte një bisedë e këndshme në një kafe nga liqeni mes Kadaresë dhe miqve të tij më të ngushtë letrarë por jo një libër për lexuesin. Shumë mirë mund të botohej i reduktuar si shkrim në ndonjë revistë letrare. Duket që mosha e brengat e fundit të shkrimtarit kanë diktuar stilin dhe natyrën e shkrimit. Po plaket.
-Cila është ajo rrugë e Kamzës që do doje t’i ndryshoje emrin sot?
“Lady Gaga” sepse nuk po bën më këngë të mira si në atë kohë, kur ne e miratuam me vendim të këshillit bashkiak. Ishte koha e Poker Face dhe Ale-ale-handro. Sot mezi kemi një “Shallow” dhe atë me bashkëpunim se nuk ia del dot vetëm.
-Kënga juaj e preferuar nëpër dasma?
Vallja e Kukësit.
-Vegjetarian apo e hani mishin?
Nje mik imi francez thoshte shpesh: “Kur ti bësh gjërat sigurohu që ato t’i bësh 100%. Kur qesh, qesh 100%, kur qan qaj 100%, kur ha ha 100%…”
-Kundërshtari juaj më i fortë politik?
Nuk e njoh e as kam takuar ndonjëherë.
-A jeni krenar që jeni shqiptar?
Është shumë pak auditor që të them “Po”. Thjesht unë, ti dhe diktofoni. Duhet më shumë në këto raste. Nuk është as festa e pavarësisë.
-Nqs ju kandidoni si kryetar bashkie i Kamzës por të jeni i krahut të majtë, PS, si do ishte rezultati i zgjedhjeve? A mendon që do fitoni sërish?
Ju po thoni që më favorizon forca politike që përfaqësoj dhe që njerëzit nuk votojnë për personin. Mundet të ketë lidhje e ndikim kjo. Është paksa e ngatërruar. Por di t’ju them që unë do fitoj sërish. Veç mos ardhttë ajo datë. Por me PD-në.
-Hera e fundit që keni udhëtuar me urbanin e Kamzës?
Ka qenë për Natën e Bardhë vitin e shkuar, kur udhëtuam me disa anëtarë këshilli me linjën e fundit në orën 22.00 nga Tirana në Kamëz. Madje kemi qëndruar në këmbë sepse nuk kishte vënde të lira në ndenjëse.
-A diskutoni me fëmijët për politikën? Për çfarë pyesin më shumë ata?
Flasim shumë pak për arsye sepse është një fushë që nuk dua që të përfshihen ata në të ardhmen. Por duket që janë ambiciozë. Një ditë më pyetën: Përse nuk bëhesh kryetar bashkie i Tiranës sepse është më e madhe ajo.
-Cili është sot problemi më emergjent i Kamzës?!
Fjala urgjent më duket sikur term i përshtatshëm vetëm në ambiente spitalore… urgjente… urgjencë. Do doja që plani urbanistik të ishte ndryshe dhe kjo duhej bërë më herët. Pra i tillë, që nëse i bëhet një foto me dron nga lart të shquhet një qytet i rregullt ku veprojnë njerëz të mençur dhe jo të fortët.
-Arritja më e madhe juaja në gjithë këto vite drejtimi si kryetar bashkie?
Pasqyrimi i modelit politik të një kandidati që nuk di të tërhiqet dhe se me vullnet e forcë mund të arrihet gjithçka.
-Gjuha shqipe është gjuhë e pasur, e varfër apo si gjithë të tjerat?
Ne kemi më shumë se gjysmë ore që flasim dhe nuk kishim ndonjë keqkuptim a rast për ta rishpjeguar. Është e pasur dhe nuk ngjan me askënd tjetër.
-Të jesh shqiptar do të thotë?
Të jesh shqiptar e ndonjë qen të mos të ndjekë deri në varr, e pamundur është.
-A jeni i vetëdijshem që përgjithësisht sa herë që flisni dhe në takime të rëndësishme politike a në media, iu dallohet (spikat) dialekti juaj dibran, përpos gjuhës standarte?
E xhit mrapa!!! A u shem dyjaja?! Jo. (Qesh gjatë).
– Kur mendoni ta lini politikën?
Kur të qethen vàjçat….haha meqë ishim te dialekti.

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje