Pavjo Gjini | 28.08.2021 | nyje.al
Bulqize, gusht 2021
Në vendin tonë, në prakun e çdo banese ku ka ndonjë shenj jetese, kudo shpërthejnë tritolët e një krimi terrorizues… dhe askush s’mund të thotë se këtu rron një popull që ndërton diçka të re. Për mëngjes-drekë-darkë lajmet shërbejnë fishekzjarre tritolësh nga Vermoshi në Konispol, banda që lajnë hesapet, dridhin mure shtëpish, prishin gjumin e trishtë në cepat e Shqipërisë dhe mediat që u bëjnë jehonë në të gjithë vendin.
Aty këtu në hijet e flamujve mund të shifet një mund, një përpjekje e madhe përmbi vdekje, për të pjellë diçka të madhe. Në vitin 2019, nën grinë e mpakur të Bulqizës e mbi zezonë e minierës, minatorët që punojnë për Albchromin e oligarkut Samir Mane themelojnë një sindikatë të re të pavarur. Ndaj sindikatave të vjetra ngrenë mosbesim dhe akuza se nuk u është dëgjuar zëri e nuk u është parë fytyra prej dekadash në takime, organizime e protesta për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve e për të kërkuar statusin e minatorit. Sindikata themelohet nga domosdoshmëria e minatorëve për t’u organizuar dhe për të pasur një organ me një zë të përbashkët për të ngritur kërkesat e tyre politike ku kryesorja është statusi i minatorit. Pikërisht në mungesë të sindikatave, nën privatizimin e minierës dhe në mungesë të politikave në mbështetje të punëtorëve, minatorët prej dekadash shohin jetën e tyre t’u kushtojë shumë më lirë se kromi e sikur të mos u mjaftojë vdekja në vendin e punës të akuzohen edhe se janë të vetmit fajtorë për vdekjen e tyre.
Menjëherë pas miratimit të saj në gjykatë, Albchromi i frikësuar nga potenciali i sindikatës pushon 4 minatorë nga puna, mes tyre kryetarin e saj, Elton Debreshi. Protesta organizohen në Tiranë dhe gjyqe hapen për të kërkuar rikthimin në punë të shokëve e kolegëve. Paralelisht me lëvizjet e sindikatës nisin edhe tundimet e kërcënimet e kompanisë për të heshtur zërin e minatorëve. Përpos këtyre hapave, Albchromi nis një fushatë reklamimi për kushtet e mira të punës te emisionet e shokëve të Samirit si Blendi Fevziu.
Në zgjedhjet e 25 prillit, sindikata bën një lëvizje tjetër duke kandiduar Eltonin si kandidat të pavarur për qarkun e Dibrës. Zgjedhjet dhe fushata instrumentalizohen për të bërë temë politike statusin e minatorit dhe me atë si zotim kryesor. Përgjatë fushatës vazhdojnë presionet ndaj Eltonit edhe nga institucionet shtetërore duke instrumentalizuar masat kundër pandemisë dhe duke e gjobitur atë me 50milionë lek të vjetra për aktivitetet e tij elektorale. Ndërsa ndaj kompanive, qeveria vazhdon masat lehtësuese për shkak të pandemisë, duke u hequr rentën minerare kompanive që punojnë në industrinë nxjerrëse. Samirit i shërbehet nga jugu në veri, mole e pista helikoperësh i ndërtohen me lekët e taksave të qytetarëve dhe tunele i hapen për t’iu derdhur lumenjtë e turistëve në resortet e tij në jug, e renta i hiqet nga minierat në veri.
Ndërkohë Eltoni është i papunë nga një kompromis i madh për të moslejuar punësimin e tij dhe të familjarëve të tij mes kompanive në Bulqizë. Tashmë askush nga pronarët, të mëdhenj e të vegjël, nuk e do Eltonin në Bulqizë, madje as familjarët e tij nuk i duan. Për ta Eltoni është si një virus që duhet të karantinohet e dëbohet nga qyteti. Kompanitë duan që në malet e nëntokën me krom të Bulqizës të ngjiten e zbriten njerëz në rresht, pa kërkesa politike e pa organizime sindikale, të vdekur për së gjalli, njerëz pa gojë që enden në thellësitë e minierave si në një botë të përtejme e cila s’duhet t’i komunikojë asgjë asaj mbitokë.
Mirëpo, me 23 gusht lajmërohemi që Beqir Duriqi, një nga minatorët e pushuar nga Albchrome fiton gjyqin në shkallë të parë kundër kësaj kompanie. Dhe menjëherë pas fitores së këtij gjyqi shpërthen makina dhe pragu i shtëpisë së Eltonit. Nga festivali i tritoleve në çdo lajm qëndror dje askush prej mediave nuk kishte dëgjuar krisma. Në asnjë lajm qëndror nuk u shfaq lajmi që kryetarit të një sindikate të pavarur i është shpërthyer makina e avllia e shtëpisë. I vetmi tritol që dallon nga të tjerët nuk bëhet lajm kombëtar. I vetmi lajm që duhet të shpërndahet është uniformiteti i tritolëve në Shqipëri. Shqiptarët shpërthehen veç për pagesa e shkëmbime droge të dështuara. Krisma e drejtë e punëtorit e minatorit nuk duhet të jehojë askund. Një e mekur e përgjithshme duhet të shoqërojë një ekonomi oligarkike.
Si të mos mjaftonte kjo, policia, në vend se të ndjekë disa pista kërkimi dhe t’i sigurojë jetën Eltonit dhe familjes së tij, vendos t’i shoqërojë të vëllain e tij si të dyshuar. Eltoni nuk njihet për konflikte me të vëllain, por për konflikte me pronarët e minierave. Ama fabula duket, dashje pa dashje, të qepet ashtu siç duhet për të rehatuar çdo shpirt që mund të shqetësohet nga fati i Eltonit, dhe për të diskredituar Eltonin njëkohësisht. Menjëherë mediat shpërthejnë lajmin e heshtur një natë më parë: Eksplozivi në makinën e Elton Debreshit, autori është vëllai i tij. Fabula tashmë u uniformizua dhe mund të shpërndahet e kopjohet lehtësisht mes tyre. Çfarë fabule me nëntekst klasik: konflikt në familje, problem personal, ja kështu janë shqiptarët, s’di të mbrohet nga i vëllai jo po sindikalist që do të mbrojë të drejtat e minatorëve; sot s’i zihet besë vëllait jo po të merresh me u organizu me të huajin.
Kështu Eltoni gjendet i kurthuar nga të katër anët sepse desh po qet në dritë nga nën toka një xhind, e të gjithë si minj po duan t’ia fundosin fabulën e re e atë bashkë me të. Eltoni ka dalë në dritë, por askush nuk e duron dot dritën e diellit. Shefqet Kastrati mund të marrë aeroporte e të monopolizojë tregtinë e naftës dhe anët e rrugëve kombëtare, Samir Mane mund të devijojë rrugë kombëtare për te dera e bizneseve të tij e të përvetësojë toka e buxhete publike, mirëpo askush nuk do ta dijë se çfarë theksi, çfarë mimike, çfarë mendimesh publike kanë këto personazhe. Askush nuk e di se ku e ka derën e shpisë Samir Mane e Shefqet Kastrati, ndërsa tashmë të gjithë e dinë ku e ka derën e shpisë Elton Debreshi. Askush nuk do t’i shohë në hapësira publike Samir Manen e Shefqet Kastratin të ndajnë mendimet e tyre mbi jetën, punën, dinjitetin, vdekjen e shoqërinë. Personazhe fantazëm apo lugatë siç i quajnë vetë minatorët, që përndjekin një Shqipëri të tërë, thuajse-qenie, gjysmë-qenie që kaplojnë gjithçka duke mos u shfaqur askund.
Eltoni nga ana tjetër është një rrezatim publik mes hijesh e fantazmash private. Eltoni del nga nëntoka bashkë me minatorët e tjerë në bulevardet e Bulqizës e Tiranës për të nxjerrë në pah ekzistencën politike e shoqërore të tyre si punëtorë. Mimika dhe fytyra e tij, meraqet dhe brengat e tij, toni e humori i tij janë publike, gjëja për të cilën flet është publike, të gjithë mund t’ia njohin mendimet e sjelljen, ta dinë për çfarë qëndron ai e se çfarë pritet të bëjë. Me të, jeta e përditshme e punëtorëve të thjeshtë, sidomos minatorëve, del në skenën publike dhe merr një dinjitet që i mohohet duke ia ndaluar shfaqjen kudo. Një personazh i ri i cili rezonon një gjendje të tërë shoqërore që nuk lejohet të shfaqet, një personazh që përkon me shumicën e punëtorëve shqiptarë që janë pa sindikata, të paartikuluar politikisht dhe që nxjerr në pah një thirrje për ta ndryshuar këtë gjendje shoqërore në të cilën ndodhen.
Eltoni është personazhi nga perspektiva e të cilit shihet sesa në errësirë është gjithçka përreth. Nëntoka, thashethemi, koridoret dhe një rend fantazmash, gjysmë-qeniesh mbeten për ata që nuk e duan shndritjen e jetës publike e kërkesave politike të minatorëve e punëtorëve dhe shprehja e një melankolie të trishtueshme: më mirë do ishte të mos kishin lindur fare. Kush nga ne që nuk e do errësirën në të cilën të gjitha qeniet duken të zeza, duhet t’i ngjasojë e t’i bëhet krah Eltonit.