Mbi revolucionin Flamingo dhe gota ime gjithmonë plot

Entenela Ndrevataj |06.07.2026 | nyje.al 

Revolucioni Flamingo, 22 qershor 2026, (c) Antonio Muco
Revolucioni Flamingo, 22 qershor 2026, (c) Antonio Muco

 

Këto ditë janë të jashtëzakonshme për Shqipërinë. Sheshi është i mbushur plot e fytyrat janë të ndritura, si një refleksion i shpresës që mendonim se kishte humbur. Teksa marshojmë natën, në dritare na përshëndesin të moshuar e të rinj, dikush me fëmijë në dorë e dikush me flamur. Na drejtohen ngrohtë teksa valëvisin dorën nga ballkonet e tyre e ne na duket sikur ecjaket e natës na japin krahë. Dikush merr në telefon një të afërm që ndodhet në një shtet të largët, si për t’i dhënë lajmin që më në fund, ne mund ta bëjmë këtë vend një hapësirë të përbashkët e të dashur për njerëzit që ata lanë këtu. Bashkë me ta, ne na mbushen sytë me lot. Ndoshta edhe për shokët e shoqet tona që sot nuk jetojnë më në Shqipëri, mendimi i fjetur se mund të kthehen nuk mbetet më një opsion i pamundur. Revolucioni flamingo ka thyer shumë mite mes nesh e po na mëson çdo ditë mbi veten dhe njëri-tjetrin. E ne këtë revolucion po e mbajmë në gji siç mbahet një foshnjë e sapolindur, sepse për ne simbolizon jetën. Dhe ne nuk e kemi luksin ta humbasim atë – vetë jetën.

Do të doja të ndalesha pak te leksionet që kam marrë këto ditë në shesh e të ndaj me ju botëkuptimin tim, me besimin që nuk jam e vetmja. Gota ime është gjithmonë plot, siç e them shpesh, sepse gjithnjë kam besuar te njeriu, te ai i nëpërkëmburi, me të cilin shkëmbej shikime dhe buzëqeshje në shesh dhe ndjej një valë dashurie të papërshkrueshme.

 Ju shoh drejt e në sy dhe shquaj mirësi e guxim

Ky revolucion është shoqëruar me një krijimtari dhe guxim të pashoq. Çdo ditë shikoj pankartat, parullat politike, memet dhe humorin e hollë dhe nuk resht së surprizuari. Kemi qenë mes nesh, por nuk ia paskemi njohur meritat njëri-tjetrit, pasi e kemi parë sho-shoqin me sytë e shtypësve tanë. Ata na kanë përsëritur pafund se ne nuk vlejmë, duke na servirur dhunshëm programe televizive e politike ku mbizotëron përçmimi dhe dhuna ndaj shikuesit, njeriut të thjeshtë e të nëpërkëmbur. Trurin na e kanë mpirë me lloj-lloj aktiviteti mediatik, mbajtur gjallë nga algoritmi i sforcuar që sot është rebeluar pikërisht ndaj tyre. Pjesëmarrja çdo ditë në shesh më tregon të kundërtën e kësaj retorike. Ne në fakt jemi individë të mbushur me dashuri për mjedisin, për të përbashkëtën, për fqinjin tonë, për të moshuarit, për fëmijët – për të ardhmen. Ne nuk reflektojmë shtypësit tanë, kurrsesi! Në sytë tanë shkëlqen diçka që ata s’mund ta kenë, sepse ne kemi rimarrë dinjitetin tonë, e atyre, grabitësve të tij, sot po ua drejtojmë gishtin. Dhe nuk ka asnjë propagandë që e mund guximin tonë, sepse mbreti nuk mban veshur një petk plot shkëlqim; mbreti në të vërtetë është lakuriq!

Për paqe mes të ndryshmëve

Metodikat përçarëse të pushtetit kësaj here nuk kanë funksionuar. Grupimet e larmishme kuptuan që në fakt, sado bindje të ndryshme të kenë, kanë po ashtu shumë të përbashkëta. Sheshi është bërë hapësirë përbashkuese mes njerëzve që para një muaji e pak ditësh stërbetoheshin se ishin dy vija paralele pa pikë takimi. Sot pika e takimit është hapësira përballë Kryeministrisë. Ky moment duhet të marrë rëndësinë e vet: pra, armiku yt nuk qenka individi queer, as feministja, as ndonjë i ndryshëm tjetër, por rendi politik shumëvjeçar që abuzon në mënyrë sistematike me ne. Dhe ne, në atë shesh, mund të gjejmë mundësinë të njihemi më tej me njëri-tjetrin e të ecim dorë për dore në këtë revolucion, sepse ne nuk jemi armiq. Në fakt, ne mund të jemi edhe miq.

Kauzat mjedisore po na rikthejnë te vetja

Para disa ditësh dhashë një intervistë për një media të huaj dhe veçanërisht kërkova që fjalia e mëposhtme të integrohej në artikull. Kjo nuk ndodhi, pasi është e kuptueshme që editorët përzgjedhin frazat që ata mendojnë se janë më të përshtatshme. Megjithatë, unë mendoj se ata hoqën fjalinë më të vlefshme të asaj interviste të shkurtër. Sot gëzoj që mund ta risjell sërish. Fjalia mbyllëse e asaj interviste ishte pak a shumë kështu: “Kam shpresë se kauzat mjedisore do të na kthejnë në rrënjët e të qenit njeri, ku ne jemi pjesë e natyrës dhe jo zotëruesit e saj.” Kjo shkon për flamingot, pelikanin e një pafundësi speciesh të cilat unë nuk ua di emrat – ne po i mbushim sheshet edhe për ju. Refuzojmë beton për njerëzit e mbi të gjitha refuzojmë beton për speciet e tjera që hijeshojnë planetin tokë. Ne kemi gjetur një mënyrë të bashkëjetojmë me betonin, por ato jo, dhe pikërisht ky është leksioni që ne marrim sot. Sa vlerë ka ajo përbërje e ngurtë gri para natyrës dhe krijesave të saj shumëngjyrëshe? A është ky “zhvillim” në fakt një çmenduri që po na e bën jetën më të rehatshme apo më të vështirë? Zëri ynë flet qartë e tashmë në sinkron edhe me flamingot: Jo, ne jemi ngopur me beton.

Bota të na dëgjojë dhe të mësojë prej nesh

Duan të na marrin lumin, gjithashtu edhe plazhin, duan që lagjet tona të mos duken më njësoj (fjalë të huazuara nga Bad Bunny) e ne të mos kemi përkatësi askund. Mundësisht, të zhdukemi nga sytë e tyre në procesin e shëmtuar të gjentrifikimit. Dhe ajo çfarë dikur ishte e jotja të ndryshojë aq shumë, sa të të fshihen edhe kujtimet, edhe ndjesia e përkatësisë. Këtë ndjejmë ne sot, teksa ata ngrenë gardhe pafund dhe ne befas, si në një ëndërr të keqe ku orvatemi të shkojmë diku, na dalin pengesa pafund dhe mbetemi të bllokuar, të përjashtuar. Kjo ëndërr e keqe tashmë po bëhet realitet kudo ku ende ka natyrë të paprekur. E ndoshta për këtë arsye, Revolucioni flamingo i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë dhe ne po bëhemi zëri i shumë komuniteteve në botë. Në atë shesh ku mbizotëron flamuri kombëtar, po flasim për diçka që nuk i përket vetëm Shqipërisë: ne po i rezistojmë një grushti oligarkësh, lokalë dhe ndërkombëtarë, që në bashkëpunim me pushtetarët arrogantë vijnë dhunshëm, shoqëruar me një babëzi (të pakuptueshme për mua), për të privatizuar të mirat e përbashkëta për fitimin e tyre. Elita e korruptuar oligarkike gjen kurdoherë gjuhën e përbashkët, por edhe ne arritëm të gjejmë gjuhën tonë të përbashkët. Kjo është një fitore ndërkombëtare dhe e përbashkët.

Asgjë nuk është më njësoj dhe gjithçka do të jetë më mirë

Prej nisjes së këtij revolucioni, asgjë nuk është më si më parë. Njerëzit kanë kuptuar forcën e tyre dhe ata kanë mundur frikën e rrënjosur ndër breza se pushtetin nuk mund të guxosh as ta sfidosh, e jo më ta rrëzosh. Tashmë që i kemi marrë pushtetit forcën e tij më të madhe, dhe mund ta shohim në sy me të njëjtin përçmim, nuk na mbetet asgjë tjetër veçse të punojmë drejt një të përbashkëteje më të mirë. Ky është një proces i vështirë dhe i gjatë, por unë kam besim te të gjitha shoqet e të gjithë shokët e mi, që i gjen nata duke marshuar. Sepse e kam provuar zhgënjimin dhe dëshpërimin, por asnjëherë s’e kisha njohur revolucionin. Dhe revolucioni na qenkësh dashuri, shpresë, mirësi e komunitet. Revolucioni mban fytyrën e Shqipërisë së Re.

Ju dua shumë!

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje