Marrëveshja Rama-Meloni vihet në zbatim, autoritetet italiane përcjellin emigrantët e parë për në Shqipëri

Ronald Qema | 17.10.2024 | nyje.al

Anija e marinës italiane “Libra” u ankorua dje në Portin e Shëngjinit pas dy ditësh lundrim. E nisur prej Lampeduzës, anija solli emigrantët e parë azilkërkues në Itali në vendin tonë për t’iu nënshtruar procesit të azilit në qendrën e ngritur në Gjadër. Ashtu siç përcaktohet në protokollin e miratuar mes dy qeverive, asaj italiane dhe shqiptare, emigrantët pasi zbritën mëngjesin e djeshëm nga anija kaluan procesin e identifikimit në qendrën “hotspot” të ngritur në Shëngjin dhe në prag mesnate ata u nisën për në Gjadër. Të shoqëruar nga policia shqiptare dhe karabinierët italianë, 12 prej 16 emigrantëve u dërguan në qendrën për shqyrtimin e kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare. Ndërsa katër emigrantë u kthyen për në Itali pas identifikimit si minorenë, dy prej tyre, dhe dy të tjerët për gjendjen shëndetësore vulnerable në të cilën ndodheshin, sipas raportimeve të mediave italiane. 

Anija Libra ankorohet në Portin e Shëngjinit me emigrantët në bord, Tetor 2024, Ronald Qema

Një ditë e gjatë, pas dy ditësh të gjata, pas muajsh të gjatë

16 emigrantët që arritën dje në Shqipëri u kapën në det të hapur në Mesdheun qëndror nga autoritetet italiane teksa përpiqeshin të shkonin në Itali. Pa u identifikuar nga këto autoritete, ata e gjetën veten në anijen ushtarake “Libra” mëngjesin e 14 tetorit. Të mbathur me shapka dhe të veshur hollë ata udhëtuan me këtë anije për dy ditë derisa arritën bregdetin shqiptar. 

Emigrantët azilkërkues në Itali shoqërohen drejt qendrës "hotspot" në Portin e Shëngjinit, Tetor 2024, Ronald Qema

Pas ankorimit të anijes ushtarake, emigrantët u shoqëruan katër nga katër për në qendrën e identifikimit në port. Në dukje të rraskapitur prej lundrimit, ata u shfaqën të përhumbur përballë dhjetra punonjësve të medias që vinin nga Shqipëria, por edhe nga gjithë Europa. Ecja përgjatë pak metrave nga anija deri në qendrën e rrethuar me gardhim metalik, që arrinte lartësinë mbi pesë metra, u jepte disa sekonda mundësi dukjeje përballë aparateve dhe kamerave të medias. Këto sekonda i shndërronin gazetarët e operatorët në ushtarakë që merrnin pozicionin “gati-tu” sapo imazhi i një të veshuri pa uniformë shfaqej. Gazetarët italianë, më të zellshmit për të identifikuar origjinën e tyre, hapnin sytë dhe zmadhonin imazhet për të kuptuar se nga vinin këta emigrantë.

Punonjësit e medias në hyrje të Portit të Shëngjinit, Tetor 2024, Ronald Qema

Orët e gjata që përshkonin ditën nuk do kenë qenë hiç gjë krahasuar me muajt nëpër të cilët emigrantët kanë udhëtuar, por për gazetarët ishin shumë. Me shprehi lodhjeje, reporterët mezi prisnin që diçka ose dikush të lëvizte përderisa ata ishin aty në hyrje të portit. 

Qendra "hotspot" e ndërtuar në Portin e Shëngjinit, Tetor 2024, Ronald Qema

Katër emigrantë kthehen në Itali

Dy të rinjtë nga Bangladeshi, sipas lajmeve të mediave italiane, janë identifikuar nga stafi i Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit si minorenë që ende nuk kanë mbushur moshën 16-vjeçare. Për personelin e trajtimit të emigrantëve dhe vëzhguesit e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, dy të rinjtë mësohet të jenë shprehur se janë fëmijë dhe që e kanë ndërmarrë vetë gjithë rrugëtimin për t’u larguar nga Bangladeshi drejt Europës. 

Kësisoj prej moshës minorene, dy të rinjtë u shoqëruan nga autoritetet italiane në një gomone e cila u nis për të arritur anijen “Libra” që tashmë e kishte lënë Portin e Shëngjinit në mesditë. Ashtu si adoleshentët bangladezë, edhe dy emigrantë të rritur nuk u dërguan në qendrën e Gjadrit por u kthyen në Itali për shkak të gjëndjes shëndetësore që përkeqësohej përgjatë qëndrimit në qendrën “hotspot”. 

Anija ushtarake "Libra" duke u larguar nga Porti i Shëngjinit, Tetor 2024, Ronald Qema

Kthimi i këtyre emigrantëve, që çoi numrin e personave të transferuar në vendin tonë në 12, rriti reagimet në rrjetet sociale në Itali kundër kësaj marrëveshjeje të nënshkruar nga kryeministrat Rama e Meloni në nëntor të vitit të kaluar. Kreu i së majtës italiane Nicola Fratoianni në një postim në rrjetin X u shpreh se operacioni i djeshëm i transportimit të emigrantëve për në Shqipëri ishte konfirmim i absurditetit të masave që qeveria italiane ka vendosur të përdorë si politikë për frenimin e emigrantëve azilkërkues. 

Qendra për shqyrtimin e kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare në Gjadër, Tetor 2024, Ronald Qema

Rama e Meloni si gardianë

Aktivistët në Shqipëri që kanë kundërshtuar marrëveshjen që prej bërjes së saj publike ishin gjithashtu dje në Shëngjin për të përcjellë reagimin e tyre. “Ëndrra europiane mbaron këtu” shkruhej në banderolën që mbanin në duar në hyrjen e Portit të Shëngjinit. Për aktivistët, mbaron ëndrra e emigrantëve që me muaj përpiqen të arrijnë në Europë për një jetë më të mirë por edhe ëndrra e shqiptarëve që presin ta shohin vendin e tyre si shtet europian, pra shtet që respekton të drejtat e njeriut. 

“Ne mendojmë që ky kamp është një skenë krimi që i bëhet demokracisë. Është një skenë krimi që ju bëhet emigrantëve që vijnë këtu, shqiptarëve dhe italianëve. Ky model nuk mund të jetë modeli që zgjidh çështjen e emigrantëve. Jemi të vetëdijshëm që është çështje e rëndësishme, por jo që të marrë përmasa zgjedhore dhe spektakolarizime të disa njerëzve. Kjo lloj marrëveshje nuk ka bërë asgjë veçse ka forcuar pozitën e Ramës në perëndim dhe të Melonit para elektoratit të vet. Ky është një model që nuk mund të ndiqet sepse është fundi i demokracisë perëndimore për të cilën është luftuar dhe besuar prej vitesh. Ky është një aksion simbolik.” Edison Lika – Aktivist

Aksioni simbolik i organizuar nga aktivistët e kolektivit Mesdhe, Tetor 2024, Burimi: mesdhe.al

Bashkë me banderolën, aktivistët paraqitën dhe një imazh të kryeministrave Rama dhe Meloni të veshur si gardianë. Përmes saj ata përcollën mesazhin se këta krerë qeverisës janë shkelës të të drejtave të njeriut përmes politikave të tyre autokratike që çojnë në “arrestimin” e emigrantëve refugjatë. 

Mbetet veç ndjesia e fajit

Ditën e djeshme, përpos dhjetra reporterëve shqiptarë e të huaj, mbërritjen e emigrantëve në portin shqiptar e ndoqi dhe gazetarja e pavarur Kristina Millona. E investuar në mbulimin e kësaj marrëveshje mes qeverive që prej miratimit të saj, Millona tregoi se implementimin e saj e shihte si akt distant dhe përmes drejtësisë do të bëhej i pamundur. Ajo u shpreh se nuk i besohej që vendi ynë kishte arritur ta bënte fakt pozicionimin e tij fashist kundër të drejtave të njeriut. 

Vëzhgimi i emigrantëve teksa hynin në qendrën e portit të Shëngjinit e preku emocionalisht atë. Përgjatë bisedave ajo u shpreh se ndihet edhe fajtore kur sheh dëshpërimin dhe përhumbjen e emigrantëve.

Përmes burimeve dhe kontakteve me kolegë italianë ajo mësoi se të tjerë emigrantë priten të nisen brenda kësaj jave dhe ndjesia e nevojës për të monitoruar çfarë ndodh brenda atyre qendrave sa vjen dhe rritet. Por ky proces është bërë i pamundur nga autoritetet italiane që nën juridiksionin e tyre e kanë minimizuar transparencën e gjithë procesve që kryhen në qendrën e Shëngjinit apo Gjadrit. 

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje