Kryepleqtë e Zall-Gjoçajt të vendosur: edhe pa vulë, do e mbrojmë parkun kombëtar!

18.02.2020 | nyje.al

Ndërkohë që punimet për ndërtimin e hec-it Zais në zonën e mbrojtur të Parkut Zall-Gjoçajt vazhdojnë me tre turne, angazhimi i banorëve me të gjitha mënyrat paqësore sa vjen dhe rritet dita-ditës. Çadra e vendosur në hyrje të parkut, që banorët e quajnë çadra e rezistencës, “pika e kufinit”,  apo “dogana” matanë së cilës nuk kalojnë ata që kanë për qëllim ta dëmtojnë, është një ndër pengesat e përparimit të mëtutjeshëm të ndërtimeve deri te burimi i ujit.

Rruga për të mbërritur deri te banorët e Matit na njeh me hec-e të tjera e të reja që sipas banorëve të zonës janë ndërtuar në 6 muajt e fundit. I tillë është një hec që duket prej së largu, i cili me një tubacion të zi merr burimin nga mali, në afërsi të liqenit të Shkopetit. Ndërkohë që sapo hec-i na hiqet sysh, terri i tunelit ngjitur na përvishet. “Hec-e kemi, por dritë në tunel s’kemi” – është batuta që na i paraprin dritës në fund të tij. Sytë i kemi nga shoqëruesi ynë, i cili nuk e fsheh indinjatën ndaj asaj që ia evokon ai imazh: për  fatin e njëjtë që i kanoset parkut të Zall-Gjoçajt dhe devijimit të 2 lumenjëve Urakës dhe Zallit të Melthit.

Në qendrën e qytetit të Matit, takojmë disa nga banorët që janë angazhuar qysh në krye të herës në protestën kundër ndërtimit të heceve në zonën e mbrojtur. Të matur në fjalë, e me vështrimin me brengë, ata na ngjajnë si një palimpsest dhimbjesh e padrejtësish. Më i madhi ndër ta, Abdiu tregon se përse e ka konsideruar veten si njeri të persekutuar ngahera. Në kohën e diktaturës ka qenë i detyruar të punojë si minator në Martanesh për rreth 21 vite  (sot pa status minatori) që pasohet nga varfëria në demokraci, humbja e pronës me ligjin 7501 dhe mungesat bazike për ujë e rrugë në fshat. Abdiu ka ndjesinë që ende po shpaguan për diçka që s’e ka kryer.

Siç na thonë, është veç një shplakë qielli që shihet nga Zall-Gjoçaj. Aq të larta e ngat e ngat janë malet përreth. “Dikur këto male e kanë mbrojtur popullin shqiptar nga sulmet e turqëve dhe serbëve, sot jemi ne që po mbrojmë malet e ujin nga njëri-tjetri”- shprehet njëri prej tyre. Ndërtimin e heceve Sekë dhe Zais, firma ndërtuese i ka justifikuar me argumentin se do i sjellin fshatit rrugë e zhvillim. Ndërkohë banorët shprehen se rruga e improvizuar në Kurbnesh për të vajtur në Zall-Gjoçaj është bërë për t’ia lehtësuar punën firmës, dhe jo banorëve. Për ta, nuk ka asnjë përfitim sepse për të kaluar nga fshati në fshatin fqinjë duhet përshkruar një rrugë që zgjat mbi 5 orë, në vend të hapjes së një rruge që lidh dy fshatra me distancë 4 km nga njëri-tjetri.

“Kjo zonë e ka merituar prej kohësh një rrugë të asfaltuar.” – shprehet sërisht Abdi Toçi. “Se prej Zallit të Gjoçajt e deri në Burrel jo thesin e miellit që s’mund ta çosh, por as portofolin s’mundesh me e bajt. Portofolin që është me lekë të vjen randë me e çue deri atje.”

Ndërtimet e deritanishme nga firma Seka Hydropower kanë dhënë efektet e para negative. Në afërsi të tunelit të hapur është dëmtuar tashmë një burim uji me të cilin furnizoheshin banorët e zonës përreth. “Kushdo në botë mundohet ta nxjerrë ujin nga toka, këtu te ne gjejnë lloj-lloj marifetesh si e si ta groposin atë. Që prej viteve ’70 premtohet sistemi i ujit të pijshëm. Nuk dihet sa mandate janë marrë me këtë premtim. E ne sot e kësaj dite s’kemi ujë të pijshëm në shpi. Gjejmë burime të vogla uji në fshat në të cilat shkojmë dhe mbushim bidonat me gomarë. Rrimë me orë në radhë deri sa rikthehemi në shtëpi.

Protesta dhe kundërshtimet ndaj ndërtimit të hec-eve në zonë ka filluar tashmë prej më shumë se 1 viti. Banorët kanë përdorur të gjitha mjetet për t’ua bërë të ditur institucioneve qeveritare, bashkisë e firmës për mosdakordësinë e tyre. Mes tubimesh në zonën ku po ndërtohen, përpara bashkisë Mat, Gjykatës Administrative, padive dhe procesve gjyqësore, peticioneve dhe dhjetra shkresave zyrtare nëpër ministri, kërkesave për takime me ish- kryetarë e kryetarë aktual bashkish, deputetë dhe ministra, ata sot gjenden në po të njëjtën pikë fillimi: me heshtje institucionale, të tradhëtuar nga krerët e institucioneve dhe të shantazhuar.

Ish-kryetari i fshatit Gjoçaj, Adem Xhokola, si një ndër kundërshtarët më të zëshëm të ndërtimit të hec-eve na bën me dije që i kanë kërkuar të dorëzojë para një muaji vulën e kryeplakut. Pas një procesi zgjedhjeje sipas parashikimeve ligjore, në fundvitin e 2019-s Xhokola është përzgjedhur nga anëtarët e kryesisë së fshatit në cilësinë e kryeplakut, pas një përvojë 8 vjeçare në të njëjtin funksion (1989-1992 dhe 2015-2019). Si pretekst për këtë veprim, ka shërbyer mospjesëmarrja e njërit prej anëtarëve të kryesisë së fshatit Gjoçaj në procesin e zgjedhjes së strukturës komunitare në fshat. Personi në fjalë z. Mersin Pasha, do të zinte vendin e Xhokolës muaj më vonë, me emërim të drejtpërdrejtë nga kryetari i bashkisë. Zëra të tjerë në qytet na informojnë lidhje familjare mes kryetarit aktual të Partisë Socialiste, i cili është njëkohësisht edhe anëtar këshilli, z. Hasan Pasha.

Ish-kryeplaku shprehet se në procesin e zgjedhjes së drejtuesve të fshatit ishin prezent dhe 3 këshilltarë të Këshillit Bashkiak Mat të cilët e kanë konsideruar të ligjshëm këtë proces, madje kjo gjë është miratuar dhe me vendim të këshillit bashkiak. “Më vonë mora vesh që gjërat kishin ndryshuar, e që më 14 janar të këtij viti siç mu kërkua e dorëzova vulën e kryeplakut. E gjitha kjo është bërë për ta pasur më të lehtë manovrimin në fshat për vazhdimin e punimeve për hec-et.” – shprehet ai.

Sipas vendimit të këshillit bashkiak nr. 36, datë 12.11.2019, përcaktohet se Njësia Administrative Derjan përbëhet nga 6 fshatra (Derjan, Barbullej, Urxalle, Dukagjin, Gjoçaj, Lami i Madh). Fshati Gjoçaj, sipas këtij vendimi ka një kryesi fshati të përbërë nga 3 antarë, ndër ta ish-kryetari Adem Xhokola, Haxhi Pasha dhe një vend vakant pasi njëra nga lagjet nuk ka pranuar të zgjedhë një anëtar kryesie. Për shkak të këtij vendi vakant, edhe pse është votuar Xhokola si kryetar fshati, kryetari i Bashkisë Mat ka vendosur të emërojë pa zgjedhje z. Mersin Pasha.

Ligji “Për vetëqeverisjen vendore” në nenin 70 të tij parashikon mënyrën e zgjedhjes së strukturës komunitare në fshat. Kryesia është organi këshillimor i kryetarit të fshatit dhe zgjidhet në mbledhje fshati me pjesëmarrje jo më pak se gjysma e banorëve me të drejtë vote. Në rastet kur nuk janë bërë ende zgjedhjet pas konstituimit të këshillit të ri bashkiak, është kryetari i bashkisë ai që emëron përkohësisht një kryetar fshati. Në rastet kur krijohet vendi vakant për anëtar kryesie, sërisht është kryetari i bashkisë që bën emërimin përkohësisht.

Fshati Derjan duhej të kishte zgjedhur 3 anëtarë kryesie. Zgjedhjet janë zhvilluar dhe janë zgjedhur dy antarë kryesie, e më pas është zgjedhur dhe kryeplaku. Sipas parashikimeve ligjore, kryetari i bashkisë në vend që të zgjidhte kryeplakun përkohësisht, duhej të kishte emëruar një anëtar kryesie për shkak të vendit vakant të krijuar gjatë procesit.

“Interesi ynë nuk qëndron te pagesa. “- shprehet njëri prej banorëve të Derjanit- se pagesa për një kryeplak është diku te 5 mijë lekë në muaj, por më shumë te funksioni dhe simboli që ka. Vula e kryeplakut ngjan me vulën e kryeministrit. Me to jepen vërtetime, lehtësohen aktivitetet e përditshme të fshatit, për kalimin e bagëtive, për ndërhyrje që duan të bëjnë në shtëpinë e tyre që mund të ketë efekt në mjedis. Dhe ne kemi dyshimet tona që kjo punë është bërë vetëm prej çështjes së ujit.”

Në mungesë të kryetarit të bashkisë, Agron Malajt, për të marrë dhe deklaratën e institucionit i jemi drejtuar Nënkryetarit të Bashkisë, Muslim Zeneli i cili shprehet se nuk ka asnjë informacion në lidhje me sa më sipër, dhe për më shumë duhet ta kenë këtë informacion vetëm këshilli bashkiak, përfaqësuesit e të cilit nuk ishin të disponueshëm për t’u takuar.

Në një situatë ku punonjësit e administratës publike shfajësohen me padijen dhe mungesën e kompetencave, jashtë dyerve të institucioneve e përpara portave të tjera të ligjit qëndrojnë të vendosur banorët e zonës të cilët bëjnë thirrje për mbështetje për organizimet e afërta me komunitetin.

“Ne kërkojmë veç përkrahje njerëzore dhe mediatike, sepse kjo ngjarje nuk po na ndodh veç ne, por po na ndodh kudo. Ne e kemi ende të freskët e shumë të afërt atë që i ndodhi Parkut të Lurës, ndaj s’duam e nuk pranojmë të përfundojmë njësoj.”

  • Post comments:1 Comment

This Post Has One Comment

Lini një përgjigje