Jetë me harrna

Diana Malaj | 27.07.2018 | nyje.al

Ky udhëtim fotografik në vite na zhvendos nga kohët e reja në vende dhe kohë të shkuara, nga e sotmja në vitet ’70-’90, nga një shtëpi në periferi të Kamzës në një fshat të Tropojës, Bujanit, prej të cilit shumë familje janë larguar pas ngopjes së keqes së madhe, rënies së diktaturës.
E gjej në oborr pasi e ka larë atë me ujë bunari. Zbathur, po ujit një luleborë. Mban veshur një bluzë të hollë ngjyrë ulliri dhe një fund me lule të çelura, i gjatë deri nën gjurit. Me shpinën kthyer derës së madhe, ia shquaj flokët e kapura, i njëjti model prej më shumë se 30 vitesh. Një tufë flokësh që bëjnë rrotullimin rreth vetes dhe rreth një shqëtësimi të përjetshëm nëne. Kaçurrelat e saj gjysmë të dorëzuara,i sheh vetëm pasi lahet në mbrëmje, pastaj i mbledh shpejt e shpejt ashtu të lagura dhe bie në gjumë e fundit.Vajza e vogël i thotë që t’i shkurtojë. Ajo hutohet për pak dhe i prek me duar, pastaj kthjellohet dhe ia pret “jam plakë tash, s’kam ma vakt për harlisje”. Dhe këtë ia përsërit prej shumë vitesh.

Nga dhoma e saj merr me vete një grusht fotografish bardh e zi, të ruajtura në fundin e arkës prej druri, mbuluar me disa peshqirë të bardhë mbledhur ndër vite për nusen e djalit. Me njëfarë shkujdesjeje dhe pa rënë shumë në sy, filloj dhe shoh fotot e vjetra. Disa prej tyre datojnë në vitet ’70. Zgjedh njërën. Është ajo me dy fëmijët e parë. Djalin e vogël e mban në krah, ndërsa vajzën e madhe, e shtrëngon afër belit.Është 26 vjeç në këtë foto. Dalloj fustanin e freskët veror me pala deri në nëngju. Një bluzë me jakë të rrumbullakët rreth qafës. Është e hajthshme. E sforcuar e mban djalin në krahë. “Nuk më ka njoftë im atë kur i pata shkue për vizitë. Flokët më ishin zbardh aq shumë prej dilli… Punojsha tanë ditën në kooperativë.”

Nga fotoja dalloj një pamje të përvuajtur, një pëllëmbë balluke e hedhur anash ballit si gjethe në një tokë të plasaritur. Ndalem te kostumi i vajzës së saj. “Ia kam qëndis vetë”, thotë, “I zhbajsha fustanet e mia të vjetër dhe ia qepsha Lolës. Dy lulet në gujt e saj ia kam qëndisë me duert e mia. I bajsha qashtu siç dijsha. Nuk kishna mundësi të tjera, më duhej me i ba vetë. Edhe djathin për nji familje prej katër vetash ua nxajsha në një xheze kafjeje.”

Viti 1988. Diku në një cep të gjelbëruar të oborrit në Bujan, kjo grua përpara meje, shkëputet fluturimthi nga dhoma e zjarrit për të bërë një fotografi. Ishte rast i rrallë të të vinte një fotograf në shtëpi. Zakonisht vetëm në raste dasmash. Një burrë dhe një grua në një foto bardh e zi. Dasëm në fshat. Atmosfera e martesës dallohet vetëm në veshjen tradicionale të gruas. Përshkrimi mbrapa fotos thotë: “me rastin e martesës së Sefdilit, viti 1989.” Çdo gjë tjetër duket si një ditë krejt e zakontë. Njerëz që shtrihen në përmasat e një thjeshtësie të plotë, me një këmishë të arnuar, një palë këpucë të marra hua, rripin e pantallonave mbërthyer në birën që kishte hapur me goxhdë, dhe në sfond një fshat që shtrihet buzë një lumi, a një humnere tejet të lagësht. Fotografi që të tregojnë aq sa duhet: ditën, muajin, vitin, rastin dhe emrat e atyre që kanë dalë. Faktet- ata duan të ruajnë këto fakte të thjeshta jetësore, si spirancë e hedhur në bregun e kohës, si e vetmja mënyrë për të mos harruar ç’ka rrjedhë më pas. Gruaja mban në kokë një shami të palidhur, jelek, çorape të trasha dhe një fustan pa ngjyra. Duart i ka të lidhura në bel. Duhet të jetë 30 vjeçe. Ka një shikim të butë e të thellë. Qëndrimi i saj më sjell pranë hijen e një mali me bore në prag pranvere. Një gjysmë gaz shkrihet në portretin e saj. Vetëpërmbajtje mali.

Kaloj te fotografia tjetër: dy burra tejet elegantë, veshur me kostume dhe këmisha të bardha. Si rrallë nëpër foto të tjera: qeshin të përqafuar. Shkrimi nga mbrapa fotografisë thotë: “Me rastin e dasmës së Hamzait. Të hënën 17-09-79. Dalë teTrandafili.” “Kanë pasë një trandafil shumë të bukur në cep të oborrit të shpisë së madhe, aty dilshin tana herat në fotografi.”Shih, më thotë, sesi janë veshë. Njani nuk çonte lekë në shpi po blente veç tesha, që n’at kohë s’i ka pasë kush si ai. Kurse tjetri rrinte tanë natën tuj i kep vet. Të dy janë kanë merakli t’maruem për tesha të mira. Duhet të jetë kanë e hane…po, dita kur nusja rrinte në divan. Një ditë pas dasme, nuses i duhej me nejt në divan për me ardh me e pa tana gratë e katunit. Asaj ju dashke me kanë gati qysh prej ores tetë të nadjes, u ulke në divan, i lidhte duert përpara belit. Duhej me nejt me sytë ulë, nana jeme n’atë kohë m’thanke: “Duhet me kqyr në lule të shtatë të sexhades!” për me e pasë ma lehtë e mos me harrue e pahiri me i çue sytë. Tana grate i bijshin çka kishin n’shpi. Dikush djathë, dikush tlyen, dikush tjetër çorap e 30 lekë…kështu ma. Me harrna, jeta jonë asht kanë me harrna.”

Një tjetër fotografi e shkrepur atë të hënë të vitit 1979 në oborrin e një shtëpie në fshatin e Bujanit, ka të fiksuar dy djem të rinj me kostume të zeza dhe me qeleshe në kokë. Në mes tyre ka një bosh prej dy pëllëmbësh. Janë të kthyer në profil, me duar në xhepa, rrinë drejt e me këmbë të ngulura fort në tokë. Kanë veshur pantallona të gjera tub deri në fund të këmbëve, këmisha të bardha, ndërsa xhaketat, kuptohet nga kostumet që i kanë shkëmbyer me njëri-tjetrin. Janë dy vëllezër, një brezni. Mbrapa tyre ka shumë gjethe dhe pas gjethesh një kthjelltësi uji lumi.

Fotografia e tre breznive më shfaqet nga fundi. Kanë dale dymbëdhjetë veta në një foto të vogël. Në ballore, baba. I ngjan atit në një poezi të Camajt. Ose, ashtu e shpetoj veten per t’u mos u thelluar ne pershkrimin e tij. Rreth e rrotull tij bijat, rejat veshur me fund e pantallona dhe me shami të bardha, njëri nga djemtë qëndron ulur me çifteli në prehër dhe nipat anash. Në anë, të tretët në brezni, shquaj fëmijë me portret të prerë…dhe pyes ç’u bë në thelb me ta? Në thelb, ç’u bë me njeriun?

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje