Dorëhiqet një nga anëtarët e trupës, nuk ka vendim nga Gjykata e Lartë për liçencën e prodhimit të energjisë së HEC-it në Zall – Gjoçaj

nyje.al | 22.09.2022

Banorët e Zall – Gjoçaj u rikthyen në dyert e Gjykatës së Lartë këtë të enjte, për të pritur vendimin e saj lidhur me heqjen ose jo të liçencës për prodhimin e energjisë elektrike nga HEC-i Zais. Seanca nuk u mbajt pasi njëri nga gjyqtarët e çështjes ka paraqitur dorëheqjen. Ky ishte njoftimi i vetëm që morën banorët dhe organizatorët teksa prisnin në hyrje të kësaj Gjykate.

“Sot do duhet të kishte një vendim mbi çështjen në tërësi mirëpo ne u njoftuam nga Gjykata që njëri nga gjyqtarët ka parashtruar dorëheqjen e tij nga çështja. Kështu që Gjykata do të marrë në shqyrtim kërkesën e tij dhe në një moment të dytë do të na njoftojë për seancën e rradhës, e cila do të zhvillohet kur të plotësohet numri i gjyqtarëve për ta shqyrtuar këtë çështje.”  Aurora Leka – Aktiviste

Mbrojtësi i interesit publik 

Liçenca e përfituar nga “Seka Hydropower” sh.p.k, është shfuqizuar në dy vendime të mëhershme të Gjykatës Admininstrative, të Shkallës së Parë dhe asaj të Apelit. Pas rekursit të ushtruar nga kompania konçesionare, Gjykata e Lartë vendosi pezullimin e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Apelit. Sipas banorëve dhe aktivistëve, ky vendim është i padrejtë pasi nuk ka marrë parasysh parashtrimet e palës paditëse, duke cënuar kështu parimet e procesit ligjor të ligjshëm dhe duke i vendosur palët në pozita të pabarabarta. 

“Në shkurt të këtij viti Gjykata e Lartë, në një mënyrë krejt të paprecedentë në gjykimin tonë, si në asnjë rast tjetër ku kemi dy vendime të njëjta të shkallëve më të ulëta ka pezulluar ekzekutimin e këtij vendimi, me argumentet që po mbron interesin publik dhe interesat financiarë të kompanisë. Ndërkohë nga ana tjetër në këtë vendim pezullimi Gjykata thotë që banorët nuk kanë dorëzuar asnjë parashtrim për kërkesën e kompanisë, gjë që nuk është fare e vëretë sepse ne kemi vërtetuar nëpërmjet dokumentacionit, të cilin dhe e kemi publikuar në faqet tona zyrtare.”  Aurora Leka – Aktiviste

Si kundërpërgjigje të argumentit të “interesit publik” të parashtruar nga firma koncensionare në rekurs, dhe të pranuar si të qënësishëm nga Gjykata, sot aktivistët mbajtën në duar banderolën me tekstin: Mjedisin dhe interesin publik e mbrojnë qytetarët, jo oligarkët.

Banderola e përgatitur nga aktivistët, Shtator 2022, Tiranë, Ronald Qema

Vendimi i sotëm, mundësi për “pastrim shpirti”

Dhimitër Koleci, një ndër aktivistët më të angazhuar në këtë çështje, u shpreh se sot priste një vendim të drejtë nga Gjykata e Lartë, si një pendim dhe rikthim të nderit të trupës gjykuese pas vendimit  të marrë për pezullimin e ekzektutimit të vendimit të Gjykatës së Apelit.  

“Sot prisnim një vendim pozitiv, kishin rastin të jepnin një vendim të drejtë, të mbronin jetën,   natyrën, Parkun Kombëtar që u takon gjithë shqiptarëve. Kishin rastin të pastronin shpirtin nga mëkatet, pasi kjo Gjykatë i dha të drejtë firmës që të punojë deri kur të shqyrtohet, edhe pse vendimi i Gjykatyës së Apelit ishte i formës së prerë për heqjen e liçencës për prodhimin e energjisë brenda Parkut Kombëtar. “  

Kjo mundësi shtyhet për në seancën e rradhës, pas zgjedhjes së anëtarit të ri të trupës gjykuese në rast se pranohet kërkesa e paraqitur për dorëheqje të një prej gjykatësëve, emri i të cilit/cilës nuk u bë i ditur deri në momentin e shkrimit të këtij artikulli.

 

  • Post comments:0 Comments

Lini një përgjigje